Granit Xhaka është shumë i rëndësishëm te Bayer Leverkuseni. Me kampionin në fuqi të Gjermanisë ka kontratë deri në verën e vitit 2028. Por të premten ka pasur raportime se 32-vjeçari mund të largohet nga klubi gjerman në verë.
Kështu të paktën shkruan sajti i njohur zviceran, “blueëin.ch”, që citon reporterë të “Sky”.
Klubi i madh turk, Galatasaray, pritet të nisë një sulm për ta bindur kapitenin e Zvicrës që të transferohet në Stamboll këtë verë. Sipas raporteve, një shkëmbim fillestarë ka ndodhur tashmë, ndërsa të përfshirë ishin Xhaka, babai i tij, Galatasaray dhe një ndërmjetës.
Klube nga Arabia Saudite po ashtu janë të interesuara për Xhakën, që i ka 135 ndeshje me Zvicrësn. Por Bayer Leverkuseni nuk e ka ndërmend të lejojë organizatorin e lojës që të largohet.
Xhaka e ka nisur karrierën te Baseli në Zvicrës. Prej vitit 2012 deri në vitin 2016 luajti në Bundesligë te Borussia Monchengladbachu. Më pas luajti për Arsenalin deri në vitin 2023. Kalimi te Leverkuseni ishte disi i papritur, por doli plotësisht i qëlluar. Ai e udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit të Bundesligës, pa pësuar asnjë humbje. E fitoi edhe Kupën e Gjermanisë e po ashtu Superkupën gjermane në edicionin e kaluar. Leverkuseni me Xhakën në përbërje arriti deri në finale të Ligës së Evropës.
Së fundi Xhaka i kishte disa ndeshje jo shumë të mirë me Leverkusenin, që po vazhdon garën për titull në Gjermani. Por kosovari mbetet shumë i rëndësishëm për skuadrën gjermane.