Federata e Futbollit e Rumanisë mori një goditje të rëndë pas Evropianit “Gjermania 2024”. Për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese të shfaqur nga tifozët rumunë në ndeshjet kundër Ukrainës, Belgjikës dhe Holandës, UEFA e sanksionoi Federatën me seli në Bukuresht, me një gjobë prej 40 mijë eurosh dhe ndalimin e shitjes së biletave për tifozët rumunë për ndeshjen e radhës në udhëtim. Dhe, Rumania ndeshjen e radhës në udhëtim në një garë të UEFA-s e luan të premten kundër Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pra, nuk do të ketë tifozë rumunë në Prishtinë. Të paktën, jo në mënyrë të organizuar.
Mediumi rumun “gsp.ro” ka raportuar se ndeshja në Prishtinë, për Federatën e Futbollit të Rumanisë, ishte e rrezikshmërisë së lartë. Sajti rumun ka shkruar po ashtu për skandalin në Bukuresht dhe në Prishtinë.
Në “Fadil Vokrri” Kosova e Rumania kishin luajtur kundër njëra-tjetrës edhe më 16 qershor të vitit të kaluar. Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” kishte përfunduar 0:0. Por, rezultati u harrua shpejt. Një grup prej rreth 40 huliganësh bënë thirrje si “Kosova është Serbi”. Huliganët rumunë për shkak të thirrjeve anti-Kosovë u larguan nga stadiumi.
Thirrjet anti-Kosovë ishin më të rënda në ndeshjen e dytë të luajtur më 12 shtator të vitit të kaluar në Bukuresht. Kishte reagime nga futbollistët dhe drejtuesit e Përfaqësueses për pankartat anti-Kosovë dhe thirrjeve “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit “Uniti sub tricolor”. Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja të ndërpritej për 50 minuta.
Por, të premten, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të ketë vetëm tifozë të Kosovës.
Kosova e Rumania e zhvillojnë ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve të premten. Ndeshja, e cila nis nga ora 20:45, i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.