Policia ka bërë 53 arrestime rreth finales së Ligës së Kampionëve, kryesisht për tentim për të hyrë në stadium pa biletë, ka shkruar BBC të dielën.
Finalja mes Dortmundit dhe Real Madridit u zhvillua të shtunën mbrëma në “Wembley”. Real Madridi fitoi 2:0.
Policia ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar për hyrje në fushë. Për finale, policia kishte përgatitur një operacion të madh që përfshiu gjithë Londrën të shtunën. Më shumë se 2000 policë ishin të angazhuar. Ka pasur disa protesta gjatë ditë, njëra prej tyre në përkrahje të Palestinës. Dy persona janë arrestuar në njërën protestë e nëntë të tjerë në atë në përkrahje të Palestinës.
Policia është e sigurt që shumica dërrmuese e përpjekjeve për të hyrë në stadium pa biletë ishin të pasuksesshme.