Futboll

2 Korriku U19 debuton me fitore në garat evropiane

2 Korriku U19

Futbollistët e ekipit U19 të 2 Korrikut të Prishtinës kanë debutuar me fitore në “UEFA Youth League”.

Kampioni i Kosovës për grupmoshën U19, në raundin e parë është përballur me Bylisin e Shqipërisë, të cilin e mposhti 2:1. 

Ndeshja Bylis – 2 Korriku u zhvillua të mërkurën në Elbasan, kurse ajo e kthimit do të zhvillohet në Prishtinë më 2 tetor. 

Ayomide Babajide shënoi për Bylisin në minutën e 76-të, kurse tetë minuta para fundit të ndeshjes, Rin Ahmeti i 2 Korrikut barazoi rezultatin. 

Aurel Marku i Bylisit humbi penallti në minutën e 93-të, kurse fitoren ekipit nga Prishtina ia siguroi Daris Gashi. 

Ai shënoi golin për 2:1 në minutën e 97-të. 

Është hera e parë që një ekip nga Kosova do të paraqitet në garat evropiane për grupmosha të reja. 

Dhe 2 Korriku e ka nisur mbarë paraqitjen në garat evropiane, përkatësisht në raundin e parë të garës së kampionëve vendorë. 

Në këtë raund garash paraqiten skuadra të vendeve që janë më poshtë të ranguara.