Futbollistët e ekipit U19 të 2 Korrikut të Prishtinës e kanë fituar ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së të Rinjve të UEFA-s.
2 Korriku, të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” mposhti skuadrën irlandeze, UCD FC, me rezultatin 2:1.
Dy golat e fitores i shënoi Lis Berisha. Të parin për 1:1, Berisha e shënoi në minutën e 42-të, kurse golin e fitores 2:1 e realizoi në minutën e 59-të.
Irlandezët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Roy Lawlor. Ai realizoi në minutën e 30-të, por 2 Korriku u kthye për të fituar 2:1.
Trajneri i 2 Korrikut, Labinot Haziri, thotë se lojtarët e tij me meritë fituan ndeshjen.
“Kemi arritur një fitore të rëndësishme. Kem përparësinë e rezultatit dhe duhet ta ruajmë për të kaluar tutje. 50 për qind e punës ka përfunduar, ndërsa mbetet edhe pjesa tjetër për t’u kryer me sukses. Tash na mbetet të përgatitemi këto dy javë për ndeshjen e kthimit. Në pjesën e parë ndikuan emocionet e fushës dhe numri i konsiderueshëm i tifozëve që ishin për të na përkrahur. Kundërshtari shënoi nga një gabim individual, po arritëm të kthehemi, fillimisht ta barazojmë rezultatin e më pas në pjesën e dytë bëmë disa ndryshime që dolën të suksesshme. Jam i kënaqur me paraqitjen e secilit”, ka thënë Haziri për KOHËN.
Ndeshja kthyese luhet më 6 nëntor në Dublin.
“Tani kemi informata më të qarta për kundërshtarin. Kundërshtari u paraqit me ndryshime me ndeshjen kundër nesh, kurse tash kemi incizimet dhe mund ta analizojmë dhe ta përgatisim në detaje ekipin për ndeshjen e dytë. Shpresoj të kthehemi nga ky udhëtim i gjatë me rezultat të favorshëm dhe kalim tutje”, ka theksuar Haziri.
Në raundin e parë, 2 Korriku eliminoi Bylisin e Shqipërisë.
Deri në këtë edicion skuadrat kosovare nuk janë paraqitur në UEFA Youth League. UEFA Youth League i ka dy rrugë, përkatësisht dy grupe. Në grupin e parë janë skuadrat e të rinjve të klubeve që paraqiten në Ligën e Kampionëve. 22 prej tyre kalojnë në fazën nokaut.
Në rrugën e dytë janë skuadrat kampione nga 52 vende. Skuadrat kampione nuk kanë fazë grupore, por tri raunde eliminuese. Dhjetë ekipet më të mira pas tri raundeve kalojnë në 1/16 e finales.
28 klubet që përfaqësojnë vendet më të ranguara e nisën garimin prej raundit të dytë.