Të rinjtë e 2 Korrikut e kanë eliminuar Bylisin e Shqipërisë dhe kanë shkruar historinë me arritjen në raundin e dytë të “UEFA Youth League”.
2 Korriku fitoi 2:1 edhe në ndeshjen kthyese të zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Me po të njëjtin rezultat kishte fituar edhe në “Elbasan Arena” më 18 shtator.
Haris Isufi dhe Rin Ahmeti, të cilët kishin shënuar edhe në duelin e kaluar, i shënuan golat e fitores sërish.
Isufi shënoi në minutën e 61-të për 1:0.
Shifrat në minutën e 75-të për Bylisin i barazoi sulmuesi nigerian, Chidera Nwaneri.
Tre minuta më vonë, Ahmeti shënoi për 2:1 dhe për rezultatin përfundimtar.
2 Korriku avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 4:2.
Ndeshja e parë e raundit të dytë të “UEFA Youth League” luhet më 23 tetor, ndërsa ajo kthyese më 6 nëntor.