EXPRESS

Yanagisawa - Maestroja i suksesit të Filharmonisë

24-vjetorin e saj, Filharmonia e Kosovës, pos me koncert, ka vendosur ta shënojë duke nderuar njërën prej figurave të shquara të muzikës klasike që ka dhënë kontribut të pashoq për institucionin më të lartë muzikor në vend. 

Mjeshtrit Toshio Yanagisawa i është ndarë “Mirënjohje e veçantë”, në një ceremoni modeste në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve disa orë para koncertit, në të cilin ai ka dirigjuar Orkestrën në “Simfoninë nr.1” të Gustav Mahlerit dhe në veprat e Lorenc Antonit. Dirigjentit Yanagisawa i është ndarë edhe Çmimi i Lavdërimit nga Qeveria e Japonisë. 

Për angazhimin e tij 17-vjeçar, pikërisht institucioni ku ai ka dhënë kontribut të çmueshëm e ka nderuar me “Mirënjohje të veçantë”. 

Maestro Yanagisawa me rastin e ndarjes së kësaj mirënjohjeje për të, me të cilën institucioni nderon veprën e tij, ka kujtuar kohën kur bashkë me orkestrën luanin veprat për formacion më të vogël.


“Nuk mund të besoj se kanë kaluar 17 vjet. Për herë të parë këtu erdha në vitin 2007 dhe në atë kohë ka pasur shumë më pak anëtarë. Kështu e luanin Beethovenin, Schubertin, pjesë për formacion më të vogël në orkestër. Por tani, 17 vjet më pas, është ndryshe, duke pasur parasysh edhe sonte kur do të sjellim Simfoninë nr.1 të Mahlerit”.

Avancimin e Orkestrës së Filharmonisë e ka konsideruar mision të arritur. 

“Është si një mision i arritur, diçka që 20 vjet më parë nuk do të mund të bëhej, por tani është i mundur. Ne gjithmonë dëgjojmë që progresi është shumë i rëndësishëm, kështu që ne u rritëm secilin vit dhe tani jemi shumë të lumtur që po rritemi për nga numri i njerëzve dhe që mund të luajmë muzikë më të komplikuar si ajo e Gustav Mahlerit”.

Pos “Mirënjohjes së veçantë”, Ministria e Jashtme e Japonisë ka ndarë Çmimin e Lavdërimit për të. Atë ia ka dhënë ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi. Ka lexuar arsyetimin e shkruar në dekoratën për dirigjentin Yanagisawa. 

“Përmes përpjekjeve të mëdha për të promovuar mirëkuptimin ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, ju keni kontribuar në miqësinë dhe vullnetin e mirë midis dy vendeve. Dëshiroj t’ju shpreh  respektin më të thellë dhe t’ju përgëzoj për arritjet tuaja të jashtëzakonshme”.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, e ka çmuar veprimtarinë e dirigjentit ndër vite, duke veçuar koncertet në Japoni. 

“24 vjet më vonë, sonte në koncertin e hapjes së sezonit 2024/2025, Filharmonia do të mbajë koncertin e saj të hapjes, një program ambicioz, tri vepra nga kompozitori kosovar Lorenc Antoni, që konsiderohet edhe pionier i skenës së muzikës klasike në Kosovë dhe simfoninë ambicioze nr.1 të Gustav Mahlerit. Premierën e kësaj të fundit do ta dirigjojë Toshio Yanagisawa, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me Filharmoninë e Kosovës, po ashtu siç është emri i Filharmonisë i lidhur ngushtë me punën e dirigjentit Yanagisawa”.

Yanagisawa është dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës. Puna e tij njihet që nga koha e ish-Jugosllavisë. Në vitin 2007 u bë dirigjent kryesor i Filharmonisë.