Kati i katërt i një prej ndërtesave që i japin formë imazhit të kryeqytetit është hapësira që ka mirëpritur koncertin e ansamblit të instrumenteve frymore. Qendra kulturore “Barabar”, krahas ekspozitës me fotografitë e luftës në Ukrainë, është kthyer në një minisallë koncertale të hënën mbrëma.
Duartrokitjet e publikut kanë qenë paralajmërim se skena po mbërthehet nga pesë instrumentistet. Nita Krajku në flaut, Xhovana Marku në obo, Malborë Krajku në klarinetë, Zanë Xhuli në fagot dhe Ardita Ibrahimi në korno kanë nisur koncertin me “Romanian folk dance” të kompozitorit hungarez Béla Bartók.
Në fillim ka qenë serioze derisa i ka dhënë ngjyra një pjesë solo e lojës së klarinetës. Ritmin e saj e kanë ndjekur më pas edhe instrumentet e tjera. Ndërsa loja solo është e theksuar, nëpër partitura të veprës është dalluar edhe flauti. Të theksuara kanë qenë ritmet e folklorit.
“Piece en forme de Habanera” nga francezi Maurice Ravel ka sjellë ritmet e buta e të ngadalta spanjolle pasuar prej “La fiell aux Cheveux de Lin” nga francezi Claude Debussy. Vepra me kontraste dramatike ngjall ndjenja trishtimi e izolimi. Një pjesë tjetër e saj nxjerr në pah natyrën e trazuar të veprës. Ajo më pas vjen në kontrast të thellë me këto të dyja, duke sjellë meloditë e buta e të ngrohta.
Në veprën tjetër të Debussy, “Reverie”, tingujt e lehtë dalin prej kornizave me tendencë për të rritur tensionin.
Organizatorja e ansamblit “Wind Ensemble”, njëherësh anëtare, klarinetistja Malborë Krajku, ka thënë se programi për koncertin është përzgjedhur nga propozimet e secilës anëtare të ansamblit. Ka thënë se ka repertor të bollshëm me vepra për formacion të tillë.
“Sa i përket formacionit kuintet frymor, jemi shumë të lumtur që ka repertor të bollshëm për të sjellë program. Secila prej nesh kemi shprehur nga një vepër të dashur dhe jemi munduar së bashku të bëjmë një program të përgjithshëm që ka përmbajtur një program prej nëntë veprash, një ciklike dhe të tjera më të vogla. Njëra prej tyre është shqipe, nga baleti ‘Delina’ nga Çesk Zadeja, ndërsa të tjerat janë nga kompozitorë të mirënjohur ndërkombëtarë”.
Ka bërë të ditur se ansambli ka ndryshuar ndër vite sa i përket formacionit. Kjo për të promovuar instrumente të ndryshme frymore.
“Sa i përket ‘Wind Ensemble’, ne jemi krijuar qysh para gjashtë vjetësh, por ndër vite kemi ndryshuar formacione. Momentalisht është një version i ri, siç e patë edhe sot, në përbërje të klarinetës, kornos, fagotit dhe oboas, dhe flautit. Kjo me qëllim që këto instrumente të promovohen më shumë, në mënyrë që të rinjtë që vijnë në koncertet tona t’i stimulojnë të regjistrohen në shkolla të muzikës dhe të zotojnë një instrument muzikor, qoftë frymor apo një tjetër”.
Në “Quintet no.3 in F-Dur, 1mvm” të italianit Giuseppe Maria Cambini melodia e njëjtë vjen në disa versione sa i përket mënyrës si tingëllojnë pesë instrumente. Ka qenë lojë harmonike e atraktive me shumë zhvillime. Tinguj të shkurtër e të shpeshtë e karakterizojnë sikurse edhe ndërveprimi midis instrumenteve.
Në pjesën e dytë të koncertit janë interpretuar edhe katër vepra. “Quintette a Vent” nga francezja Hedwige Chretien, pjesa e ndjeshme “Spirited away” e aranzhuar nga Yoshihiro Tekuguchi, si dhe “Trois Pieces” nga francezi Eugene Bozza. Vepra ka qenë tejet melodike.
Krejt në fund është luajtur edhe një suitë nga baleti “Delina” e kompozitorit shqiptar Çesk Zadeja. Ritmet folklorike dallohen që në fillim. Është e qartë se vepra përshkruan një pjesë të ngjarjes.
Oboistja Xhovana Marku ka thënë se këtë pjesë e bëjnë të qartë meloditë se është e një kompozitori shqiptar.
“Kishim që nga periudha klasike, siç ishte kuinteti i Gambinit, kaluam në romantizëm, më pas në fillim të shekullit XX dhe normalisht e mbyllëm me një vepër shqiptare, e cila është suita nga baleti ‘Delina’ e kompozitorit Çesk Zadeja. Është një vepër shumë e këndshme, e përshtatur nga maestro Bujar Llapaj për këtë formacion. Që në fillim kur dëgjohet, edhe nga një publik që nuk është profesionist, arrin fare mirë t’i dallojë modet, tonalitetet shqiptare dhe meloditë”.
Sipas saj, repertori i zgjedhur përfshin periudha të ndryshme të historisë muzikore në mënyrë që të mund të shpalosen dimensionet e ndryshme të formacionit.
Fillimisht, me të njëjtin program, ansambli ishte prezantuar në Prizren me dy koncerte: në hapësirën e “Autostrada Hangar” dhe në kinemanë “Lumbardhi”.
“Koncerti është pritur mjaft mirë nga publiku, kjo ndoshta pasi nuk ka shumë iniciativa të tilla në përgjithësi, në veçanti në këtë formacion. Ndihemi shumë të vlerësuara nga komentet që kemi marrë pas koncertit. Te kinemaja ‘Lumbardhi’ kemi pasur pas dhjetë ditësh dhe më e veçanta ka qenë që kemi ftuar edhe nxënës të shkollave fillore, në mënyrë që të krijojmë audienca për të ardhmen e koncerteve të muzikës klasike”.
“Wind Ensemble” si formacion i një klarinete, një oboe, një fagoti, një flaute dhe një kornoje do të shkojë përtej. Tashmë ka marrë ftesa nga festivalet në Kosovë e Shqipëri.