Jeta e Vojçekut është poshtërim i pafundmë. Nga të gjithë ai përqeshet, përbuzet, nënçmohet. Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Vojçeku” i Georg Büchnerit, nën regji të Zana Hoxhës, është vënë si version më modern i veprës, me tekst të përshtatur nga dramaturgu anglez Jack Thorne. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm. Fundi është tragjik e në realitet është alarm
Shfaqje përmasash të tilla synojnë efektin që zgjat te publiku. Provon ta arrijë atë që teatri e synonte qysh në zanafillë – katarsisin. Këtë rol ka “Vojçeku” i njërit prej dramaturgëve më të mëdhenj gjermanë, Georg Büchner. Nën regji të Zana Hoxhës, rrëfimi i frymëzuar në ngjarje të vërtetë është zbardhur në Gjakovë dhe sipas regjisores ai rezonon mjaft mirë edhe me këtë qytet. Drama është portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes dhe efektit shkatërrues të padrejtësive në shoqëri.
Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Vojçeku” është vënë si version më modern i veprës, me tekst të përshtatur nga dramaturgu anglez Jack Thorne. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm.
Vepra që shquhet si gur themeltar për teatrin gjerman ka në qendër Franz Vojçekun, ushtarin që plotëson të ardhurat e tij të pamjaftueshme duke kryer punë nga më të çuditshmet.
Me t’u ngritur perdet e skenës, paralelisht nis edhe muzika me ritme rocku, interpretuar nga Kreshnik Koshi.
Njëra nga temat qendrore është dashuria e kryepersonazhit për gruan e tij, Marian, që luhet nga aktorja Vlora Dervishi.
Vojçek, rol që e luan aktori Bujar Ahmeti, duke u kthyer shpejt në detyrën e tij si ushtar, zbulon karakterin e tij prej burri besnik dhe jolakmitar derisa flet me mikun e tij më të afërt dhe të vetmin. Është Andrew, që luhet nga aktori Edi Kastrati, si karakter krejt i kundërt nga protagonisti qendror.
Vështirësitë e klasës punëtore mund të përmblidhen si temë e komplet dramës. Ngjarja zhvillohet në Gjermani.
Nga të gjithë, kryepersonazhi përqeshet, përbuzet, nënçmohet. Veçmas nga kapiteni i tij, që luhet nga Arbies Komoni. Paralele midis të pasurit dhe të varfrit ngrihen veçmas kur gruaja e kapitenit, Megi, që luhet nga Aurita Agushi, e viziton Marian, që i jep për detyrë të shpërndajë dy mijë zarfe nëpër qytet.
Aktori Bujar Ahmeti që e luan Vojçekun, ka thënë se mirësia e Vojçekut keqpërdoret dhe shfrytëzohet naiviteti i tij.
“Ky është një motërzim, dramatizim i tekstit të Büchner ku autori ka bërë një ndryshim ku vjen në pah karakteri i një djali të rëndomtë, që nuk e ka gjendjen e mirë financiare, i cili i nënshtrohet testit. Njerëzit përreth tij ia lakojnë komplet jetën, ia keqpërdorin mirësinë e tij, naivitetin e tij dhe fillon gradualisht të bjerë në ato pozita çfarë janë të shkruara në tekst e që ne i kemi ekzekutuar me performancë”, tha Ahmeti.
Dieta e rreptë e mjekes, të cilën e luan Altina Kusari, e çon përherë e më shumë në çmenduri. Fillon të ketë halucinacione. Sheh veten si fëmijë tek vrapon duke ikur nga e ëma. Vojçekun e vogël e luan Eden Kastrati.
Aktorja Aurita Agushi e konsideron tematikën e kësaj shfaqje si tejet emocionale.
“Jam pritur shumë mirë nga kolegët, më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Procesi ka shkuar vaj. Kjo sigurisht kur punon. Tema është shumë e vështirë, shumë e rëndë, shumë emocionale. Ka situata shumë dramatike, deri në tragjedi. Ne themi që para premierës jemi si bombë me sahat, por që në fund ky rezultat që e patë, është rezultat i punës së jashtëzakonshme, në radhë të parë të Zanës, pastaj aktorët, por edhe i gjithë stafi që nuk shihet në skenë”, tha Agushi.
Goditjen e fundit kryepersonazhi e merr nga miku më i afërt i tij, Andreë. Aktori Edi Kastrati, që e luan këtë rol, ka thënë se ky personazh është pasqyrë e sjelljes së njerëzve që na rrethojnë dhe mënyrës sesi ata ndikojnë në jetë.
“Andrew është njëri prej personazheve, mik i afërt dhe i vetmi i Vojçekut, që e pamë shumë mirë se çfarë ndodhi me të, sesi ia gatoi dhe sesi ia bërë jetën. Një personazh shumë i mirë, i cili na tregon shumë mirë, shumë qartë se duhet të kemi shumë kujdes me rrethin që na rrethon, sidomos në këto rrethana që po jetojmë. Rrethi është i vetmi shqetësim i njerëzve. Rrethi që na shtyn të bëjmë gjëra, që na komploton dhe na rregullon situatat e këqija. Mendoj se kemi arritur ta realizojmë atë që autori ka dashur ta thotë me Andrew”, deklaroi Kastrati.
Një element sa i çuditshëm, po aq edhe asi që zgjon kureshtje, ka qenë materiali prej plastike, me ngjyrë të zezë, që zgjatet në një pjesë të skenës. Roli i tij zbulohet vetëm në fund kur Maria pështillet me të si një shenjë mbrojtjeje nga Vojçeku, por ngulfatet nga ai po me këtë material. Po në të njëjtën formë e vret edhe veten.
Regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, ka thënë se krejt këto ngjarje vijnë edhe si pasojë e traumave nëpër të cilat ka kaluar protagonisti.
“Shfaqja ka të bëjë me një person fatkeq, Vojçekun, i cili ka kaluar nëpër trauma gjatë fëmijërisë së tij, të cilat vihen në pah dhe zmadhohen edhe më shumë kur ai bëhet pjesë e një eksperimenti mjekësor, për shkak të kushteve të vështira që e shtyjnë drejt këtij eksperimenti. Ai humb gjënë më të dashur në jetë – gruan e tij – e cila përfundon e vrarë nga ai dhe ai vret veten. Një fund tragjik, por mendoj se nuk mund të ketë një fund të lumtur pas kësaj”, tha Zana Hoxha.
Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Tomor Kuçi, ndërsa lëvizjet skenike janë nga Nicoletta Bonanni nga Anglia. Skenografinë dhe kostumet i ka punuar anglezja Grace Rumsey.
“Bashkëpunimi ka shkuar shumë mirë që nga fillimi. E kemi dizajnuar bashkë si pjesë e një projekti konceptual dhe pastaj Zana më tha se me të vërtetë do ta bëjmë këtë skenografi. Është nder ta punoj në këtë teatër kaq të mrekullueshëm, veçmas që ky është dizajni i parë profesional i imi”, tha Rumsey.
Büchner e shkroi tekstin e shfaqjes në vitin 1836, por mbeti i papërfunduar si pasojë e vdekjes së tij nga tifoja në shkurt 1837.