Si zhanër që i ka rrënjët në shekullin 20, bashkë me të u hap edhe kapitulli i lirisë artistike. Tash e gati dy shekuj, jazz-muzika vazhdon të jetë si njëra ndër shprehjet muzikore që karakterizohet për nga ndjeshmëria dhe raporti intim me instrumentet.
Si simbolikë e vlerësimit dhe rikujtimit të rëndësisë së këtij zhanri, Organizata botërore UNESCO, në vitin 2011 kishte vendosur që 30 prilli të shërbente pikërisht për këtë. Theksimi i rëndësisë së jazz-muzikës dhe roli i saj në bashkimin e njerëzve nga të katër anët e botës, vazhdon të shënohet tash e 13 vjet.
As në Kosovë nuk u la anash.
Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, kjo ditë u shënua me një performancë të arrirë nga talente të rinj, te të cilët muzika jazz duket se buron natyrshëm.
“Vjeshtë” është ansambli më i ri i cili hyn në historinë e jazz muzikës në vend. Mes traditës e cila nisi me Etta James e deri tek inovacioni, përmes rikrijimit të hiteve të këngëtares Dua Lipa, kuinteti i përbërë nga Genc Hajrizi në piano, Yllka Simnica në kitarë e flaut, Olti Perjuci në perkusione, Urim Maliqi në kitarë, dhe Andra Rexhepi në vokal, i dhanë publikut një performancë të rrallë, e cila si iniciativë kishte nisur nga saksofonisti dhe profesori Dukagjin Muhaxhiri.
Përveç përgatitjes për këtë koncert, ai gjithashtu i përcolli ata dhe me saksofon e piano, ndërkaq puna me ta, për të ka qenë e lehtë.
“Kimia më së pari dhe harmonia mes bendit është shumë e mirë edhe procesi për të punuar një këngë është e lehtë sepse secili prej tyre e kërkon punën e vet. Edhe do të thosha ju përshtatet secilit në punën që e bon, kështu që prej secilit instrumentist të mund të bësh diçka bashkë, ndoshta bëhet puna më e lehtë sado që është programi sfidues. Por, dashuria mundem me thonë që ka mbizotëruar mes krejt këngëve që i kemi luajt”.
Ky mini-koncert i cili karakterizohej nga një miks jo fort i zakonshëm mes virtuozitetit dhe pasionit për muzikën, nisi me një klasik të këtij zhanri. Repertori i larmishëm, teknikat vokale e instrumentale të bendit, evidentuan përgatitjen e përkushtuar të pesëshes.
Pjesa e parë ka qenë e rezervuar për Etta James, Frank Sinatra e Joao Gilberto. Me të nisur performanca, audienca u përball me vokalin unik të solistes Andra Rexhepi e cila ka sjellë ndjesinë sikur të jetë para një audience në një bar në New Orleans, 60 vjet më parë. Bashkë me paraqitjen e saj skenike dhe lirshmërinë në skenë Rexhepi, ani pse ende studente e muzikës, lë përshtypjen e një karriere shumëvjeçare.
Për të arritur deri në këtë pikë, veç pasionit, u desh edhe punë në vazhdimësi.
“Mund të them që ndoshta improvizimi është pika kyçe e një jazz standardi, por pa ndihmën e profesorit Dukagjin nuk besoj që do të arrija diçka në këtë formë, por është dashur shumë punë”.
Përveç punës dhe përkushtimit, bashkëpunimi me profesorin Dukagjin Muhaxhiri ka qenë edhe inspirim për këta studentë.
“Me sa e dimë tek ne jazzi nuk ka dhe aq ndikim por kur kam ardhur në fakultet e kam takuar profesion Muhaxheri dhe besoj që ai na ka sjellë inspirim e na ka motivuar, dhe për atë tash kemi dhe ambicie që të vazhdojmë me këtë zhanër”.
Iniciativa të tilla janë të mirëpritura nga talentët e rinj të cilët janë ende në hapat e parë të krijimit të identiteti të tyre artistik.
“Shyqyr që i kemi dhe që po mundemi me u angazhu dhe në koncerte e festivaleve përveç muzikës klasike ose pop rock, kështu që po më vjen mirë që po ndodhin ngjarje të tilla për jazz muzikën”.
E, këtë punë dhe talent i ka vlerësuar edhe Besa Luzha, e cila shpreson që skena jazz në Kosovë të pasurohet dhe më tej përmes iniciativave të tilla.
“Ky grup ka disa kohe qe i shoh që janë shumë aktiv në raste të ndryshme por më erdhi shumë mirë kur e pashë që e kanë formuar një bend kështu zyrtarisht. Janë të gjithë student të jashtëzakonshëm, të shkëlqyer secili ne instrumentin e vet. Vërtet është bukur që janë kombinuar te gjithë edhe sot ne ditën ndërkombëtare të jazzit na dhuruan këtë koncert simpatik, shpresoj që të vazhdojnë dhe me tutje dhe besoj qe do te jene shume aktiv ne skenën muzikore”.
“Vjeshtë” vjen jo vetëm si një grup i ri, por një ansambël i talentuar që shpalos një talent autentik dhe pasion të sinqertë për jazzin. Akustika e sallës se amfiteatrit të bibliotekës universitare i është përshtatur lojës në harmoni në koncertin i cili ka qenë festë për jazzin dhe rikujtim i diversitetit muzikor në vend.