Virtuozi i xhazit, Kurt Rosenwinkel, e ka ndërtuar rrëfimin muzikor të radhës në Festivalin e Jazzit në Prishtinë. Toni i pastër e frazat e këndshme të tij bashkë me Doug Weiss në kontrabas e Joost van Schaik në bateri, kanë sjellë shije të bukur muzikore për publikun në Prishtinë për të parën herë.
Tingujt e këndshëm vijnë nga prekjet e sigurta melodike. Vëmendja e krejt publikut është kapur për tingujt që nisin me një lojë solo të xhaz-kitaristit e kompozitorit amerikan, Rosenwinkel. Salla e shfaqjeve të teatrit “Oda” ka qenë tërësisht e mbushur. Performanca e trios e çon dëgjuesin në xhazin e viteve ’90. Pikërisht me veprat origjinale dhe jo vetëm.
Ata kanë luajtur veprat “Synthetics”, “B Blues” dhe “Aurora” dhe të Kurt Rosenwinkel, të gjitha të shkruara gjatë viteve ’90. Në repertor ka qenë edhe “A shifting star” nga albumi “Star of Jupiter” i vitit 2012.
“Po luajmë muzikë standarde, xhaz modern, vepra nga repertori amerikan, sikurse edhe disa vepra origjinale”, tha Rosenwinkel.
Rosenwinkel është instrumentist i vlerësuar dhe me ndikim i xhazit. Vlerësohet si një prej muzikantëve më të rëndësishëm të brezit të tij. Ai ka kaluar dekada duke zhvilluar tinguj të veçantë që kanë mahnitur audiencën në mbarë botën.
Astrit Stafai, i cili zotëron shumë instrumente, e në këtë vijë edhe kitarën, ka thënë se Rosenwinkel ka sjellë magjinë e Nju-Jorkut në Prishtinë.
“U kënaqa me magjinë e kitaristit Kurt Rosenwinkel, i cili me të vërtetë na solli një copë të Nju-Jorkut midis Prishtinës. Mendoj se komentet janë të tepërta, shpresoj që edhe në të ardhmen të na sjellë festivali artistë të kalibrit të tillë, në mënyrë që të shijojmë muzikë të bukur, por edhe të edukohemi si publik në përgjithësi. Shpresoj të bëhet traditë të kemi publik edhe në numër më të madh ku mundemi të kënaqemi me muzikë të bukur e me art mbarëbotëror”, deklaroi Stafai.
Visar Kuçi që zotëron instrumente të ndryshme si violina, kontrabasi, kitara e bas-kitara, ka thënë se me dy të fundit luan ende pikërisht për shkak të ndikimit të Kurt Rosenwinkel.
“Kurt Rosenwinkel, për mua personalisht është një prej heronjve të mi, ndoshta për shkak të tij, unë ende luaj në kitarë. E kam përcjellë, e kam dëgjuar shumë, i kam krejt albumet, krejt CD-të e tij, jam fans i jashtëzakonshëm i Kurt Rosenwinkel dhe është fat shumë i madh që ai ka ardhur në Prishtinë. Është hera e parë që unë e shoh ‘live’, edhe atë në Prishtinë. Kjo është një dhuratë për mua që Jazz Festi e ka bërë këtë koncert. Koncerti ishte fantastik”.
Dyshja Xhaferi e Mehmeti kanë luajtur dy vepra para performancës së treshes nga Nju-Jorku. Janë harmonizuar që herë njëri e herë tjetri të marrin primatin e lojës.
Edicionin e sivjetmë të “Prishtina Jazz Festival” e kanë mbyllur katër grupe muzikore me artistë vendorë. Kanë qenë një lloj pasqyre e xhaz-skenës në Kosovë. Nëse merret parasysh koncerti “Kos Jazz” duket e shkëlqyeshme. E tillë ka qenë loja e tyre në teatrin “Oda”. Por mungesa e akademisë së muzikës xhaz është ngritur si çështje për të ardhmen e këtij zhanri muzikor në vend.
Pjesa e parë ka qenë e bendit “Sheki & Friends”. Kanë luajtur katër vepra, dy nga to xhaz-standard vepra të Duke Ellington e dy të tjera vepra origjinale të Hoxhës – “Prishtina Blues”, si dhe ripërpunimi i “E dehun jam”, siç ka treguar vetë Hoxha.
“Ishin dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë xhazmanët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpretova ‘Kosova blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album xhaz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës, pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë e aranzhova enkas para një jave. Dje e provuam për herë të parë pasi pianisti ynë Ilirian Ahmeti, që është vetëm 20 vjeç, jeton në Vjenë dhe është xhaz-pianist në Vjenë. Kështu që e provuam dhe me introduksionin që ishte e askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë, sepse e përpunova në atë mënyrë”.
Kejdi Barbullushi me bend ka luajtur xhazin origjinal të viteve ‘40 e ‘50.
“Ishte më shumë program amerikan, nuk e kemi luajtur asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm”.
Frymë unike e muzikës xhaz në koncertin e së hënës ka qenë hapësira interpretuese e Liburn Jupollit me muzikë elektronike, mbulim me audio në vepër e lojë në piano.
Jupolli ka treguar se veprat kanë qenë krejtësisht origjinale. Ka thënë se ende është duke punuar në disa prej pjesëve, të cilat i ka interpretuar, ndërsa atë e ka vlerësuar si lloj i muzikës që gjendet pak në Kosovë.
“Festivali qe shumë vjet ka inspiruar lloje të ndryshme të xhazit. Xhazi është shumë i gjerë. Prej filleve të xhazit deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Një skenë shumë e madhe e xhazit, e cila nuk është shumë e zhvilluar në Ballkan, është ‘free jazz’, një pjesë e saj pastaj është ‘fusion’ e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër xhaz-muzikën e Kosovës, pra kjo ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij minikoncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë për të qenë për bandë, të cilat pres t’i zhvilloj ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”.
Bajri e ka vlerësuar unike muzikën e Jupollit. Është shprehur i lumtur që festivali po vazhdon pas një dekade ndërprerjeje të ngjarjes, të cilën ai e drejtonte.
“Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncerteve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdonte. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet, të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet, besoj që njerëzit që janë në institucione do ta përkrahin një organizim të tillë kulturor që është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po u jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj”.
Në pjesën e fundit të koncertit, ka interpretuar “Visar Kuçi Trio”. E ka nisur me veprat “104” e “August’ që kanë qenë me hyrje melankolike. Trio ka interpretuar edhe veprën “Kurtulus”, të cilën Kuçi ka treguar se e ka shkruar duke u bazuar në një lagje të Stambollit ku kishte jetuar shkurt. I ka quajtur tinguj arkaikë ata të veprës “Archaic”, ndërsa në veprën “Enisa” u është bashkuar Dukagjin Muhaxheri me saksofon. Janë vepra origjinale të Visar Kuçit, i cili në këtë koncert i ka luajtur me kitarë.
Pesë koncerte sivjet e kanë ndërtuar edicionin e 12-të të Festivalit të Jazzit në Prishtinë. Kanë sjellë imazhin shkëlqyes në pesë ditë, prej 14 deri më 18 nëntor.