Yjet kanë qenë kryefjala e skenës minimaliste në hapjen e edicionit të 14-të të “Chopin Piano Fest”, jo vetëm për efekte skenike, por edhe si simbolikë e Evropës, vlerave të saj. Por yll më vete ishte dhe pianisti nga Ukraina, Artem Yasynskyy, i cili e ka bërë madhështore hapjen e festivalit “Chopin Piano Fest” me lojën brilante në piano.
Muzika klasike shpesh asociohet dhe me atë që quhet si “kulturë evropiane”. Kjo lloj muzike e veçuar me seriozitet prej kompozimit e deri te dëgjimi – shërben si rikujtim i vlerave estetike të Evropës. Një rikujtim i tillë u bë dhe në edicionin e 14-të të festivalit më të madh të pianos në vend, “Chopin Piano Fest”. Edhe këtë vit data e hapjes së këtij edicioni përkoi me Ditën e Evropës, detaj ky i cili është kthyer në traditë. Gjatë këtyre 14 vjetëve ky festival ndërkombëtar i muzikës publikut të Kosovës i ka ofruar mundësinë që të dëgjojnë emra të afirmuar ndërkombëtarisht në zhanrin e klasikes.
U bë e ditur se hapja e festivalit do të fillonte pasi pothuajse të gjithë kishin zënë vendet e tyre në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Këtë herë dhe krerët institucionalë të vendit nuk u vonuan, siç ndodh jo rrallë. Tok me korin diplomatik dhe delegatë të ndryshëm të huaj zunë rreshtin e parë të ulëseve kur nisi fjalimi hapës i drejtueses artistike të festivalit “Chopin...”, profesoreshës Lejla Pula. Një projektim kompjuterik i yjeve në tavanin e sallës luhej pa ndërprerje, si simbolikë e cila mbase shkon përtej aspektit estetik të skenografisë së improvizuar. Meqë ishte nata e hapjes së kësaj ngjarjeje, fjalimet nuk reshteshin, morën një pjesë të konsiderueshme të kohës.
Nuk munguan as fjalimet nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe ai i Gjermanisë, Joern Rohde. Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte përgatitur një fjalim i cili krijonte përshtypjen se e njeh muzikën klasike shumë hollësisht, teksa përgëzoi Lejla Pulën dhe Besa Luzhën, organizatoret e festivalit.
Pianisti Yasynskyy performancën në “Chopin...” e nisi me emra që përçojnë seriozitet, “Sonata” trekohëshe e Bachut ishte “takimi” i tij i parë me audiencën e Prishtinës. Ai i bëri një homazh dhe vendësit të tij, kompozitorit ukrainas Myroslav Skoryk – i cili ndërroi jetë në vitin 2020 – me kompozimin e tij “Kolomiyka”. Solli për të pranishmit tinguj të ngrohtë e të njohur për veshin e popujve të Evropës Juglindore.
Yasynskyy, i cili vlerësohet nga kritika për virtuozitetin e tij, tani është profesor i pianos në Universitetin e Bremenit në Gjermani. Kosova nuk kishte qenë krejt e panjohur për të, idenë që të vinte këtu e kishte kaherë në kokë.
“Është hera e parë për mua këtu dhe kam ëndërruar qe 15 vjet që të vija në Kosovë, në këtë rajon. Nuk kam qenë kurrë këtu, por kam shumë shokë nga këto anë. Kam shumë adhurues gjithkund dhe isha i lumtur që isha këtu, e që luajta para kësaj audience fantastike”.
Për repertorin ai në bashkëpunim me Lejla Pulën kanë zgjedhur që programi të ketë stile të ndryshme të klasikes.
“Ne menduam se çfarë mund të bëjmë që të marrim tinguj nga kultura të ndryshme, për mua është me rëndësi që të ketë stilistika të ndryshme, prekje të ndryshme, për shembull kur luajmë Bachun atmosfera është shumë serioze, por dallon te Chopeni dhe më pëlqen ky ndryshimi i karaktereve, ngjashëm me njeriun, ne duhet të ndryshojmë vazhdimisht. Muzika bashkon të gjithë dhe njëmend ia del. Jam shumë i lumtur që sot arritëm që t’i bëjmë bashkë të gjithë këta njerëz me muzikë”.
Atij ju desh të kthehej tri herë radhazi në skenë, ani pse kishte përfunduar programin. Por nuk qe problem për të, ovacionet e duartrokitjet publikut ia ktheu me improvizime aty për aty. Kërkoi nga ta “ndihmë” duke i sugjeruar atij dy nota me të cilat do ta niste pjesën e improvizuar.
Se mundësia për të parë një performancë të tillë nuk është fare e shpeshtë e ka konfirmuar edhe Lejla Pula.
“Festivali është gjithnjë në ngritje e sipër është rritur vërtet si një fëmijë 14 -vjeçar, tash jo më në fillime, ashtu që jemi shumë të lumtur dhe po arrijmë megjithatë të bëhemi mjeshtër të improvizimit të hapësirave... Por mund të konstatoj se dëshmohet se kur njeriu dëshiron diçka shumë dhe synon vërtet të arrijë diçka, atëherë ajo nuk është e pamundur. Duhet të kemi vullnet të mirë dhe përkrahës gjithashtu për këtë punë që ne e bëjmë”.
Pas afro tri orësh program, publiku doli i impresionuar nga performanca e Yasynskyyt. Emri i tij për audiencën e Prishtinës tashmë u bë i njohur dhe zor të harrohet lehtë. Aktorja Ilire Vinca, e cila ishte pjesë e publikut, pas koncertit u shpreh e lumtur që u gjend në hapje të festivalit “Chopin...”
“Të dy kolegeve të dashura të mia, Besa dhe Lejla të cilat me këmbënguljen e tyre dhe shijen e hollë artistike dëshmuan edhe sonte në hapjen e këtij edicioni të 14-të, në prezencën e një audience vërtet shumë të mirë, ishte si një lloj feste shumë e bukur ku të gjithë njerëzit i bashkon muzika. Dhe përtej saj kur muzika është e mirë ne mund të qëndrojmë si individ në një bashkësi me njerëzit e tjerë. Sonte me një program shumë të bukur me një interpretim virtuoz të Artemit, vërtet e shijova dhe udhëtova në hapësirë e vetme. Artemit pata rastin me i thënë jashtë në koktej që në artin tim fjalët janë notat e mia, e në artin e tij notat janë materiali i tij”.
Ka folur edhe mbi rëndësinë e artit për njerëzimin, e inspiruar nga performanca që sapo kishte përfunduar dhe simbolika e Ditës së Evropës.
“Arti është një armë e bukur për ta thënë të vërteten. Kur përfundojnë luftërat arma më e fortë e paqes është gjithashtu arti. Asnjëherë nuk përfundojnë problemet globale dhe ne kemi qenë dëshmitarë dhe vazhdojmë të jemi dëshmitar të dramave shumë të mëdha njerëzore. Arti, tingulli, fjala, muzika, janë ambasadori më i mirë i së vërtetës. Buron përtej interesave dhe ambicieve të ngushta të forcës dhe fuqisë që arma mundet me t’i dhanë. Krisma e saj jehon shumë dhe më gjatë, prek shumë më thellë”.
Shkathtësia brilante në tastet e pianos, përdorimi minimal i pedales dhe dhënia e njëfarë energjie të re në këto vepra historike bënë që përtej madhështisë së veprave të luajtura, vëmendja të fokusohej te Yasynskyy dhe mënyra e tij e interpretimit. Ndërkaq “Chopin...” vazhdon deri më 9 qershor me koncerte të tjera.