EXPRESS

Virtualja bëhet reale si njohje me “You know me so well”

Janë trupa fizikë të manipuluar nga teknologjia. Është lojë që të futë në botën e teknologjisë. Bile, interaktiviteti shkon deri në nivelin sa mund të bëhet një lojë e atypëratyshme nga vetë vizitorët. Shkurt: botë avatarësh.

Artistja italiane Martina Menegon nëpërmjet ekspozitës “You know me so well” merr në shqyrtim trupin njerëzor në përballje me atë kibernetik. Në krejt rastet ajo ka “manipuluar” me trupin e saj. Format e çrregullta çojnë te një lloj përçudnimi. Nganjëherë krijohet përshtypja sikur ironizon rëndë me filtrat që përdoren për t’i publikuar fotografitë në rrjete sociale që shpesh bëjnë që në realitet dhe në botën online njerëzit të dallojnë si nata me ditën. Por Menegon shkon përtej kësaj. Ka tjetër qëllim.

Ekspozita sikur thyen kufijtë midis trupave virtualë e atyre fizikë. Por në anën tjetër pa trupat  fizikë nuk funksionojnë as ata virtualë. Është njëfarë ekuacioni që nga një perspektivë i gjendet shpejt e panjohura. Por në ndonjë tjetër rast shkon në infinit. “Galeria 17” në kuadër të serisë së ekspozitave “Techne” përpiqet të përafrojë artistët dhe komunitetin me një diskurs më të gjerë global mbi teknologjinë dhe inovacionin në art dhe krijimtari artistike.

“Ne duhet t’ia kujtojmë vetes se jemi trupa fizikë, por njëkohësisht jemi edhe shumë virtualë e digjitalë. Nuk bën të braktiset njëra a tjetra. Duhet të kujdesemi për të dyja njëkohësisht. Për mua është shumë e rëndësishme se sa herë të krijojmë diçka digjitale ajo është gjithnjë pjesë e jotja”.

Sipas artistes, ana virtuale është njëfarë identiteti që njerëzit e krijojnë dhe e ndryshojnë, manipulojmë dhe e ekspozojnë.

“Është shumë e rëndësishme që ta kemi këtë lidhje. Virtualja apo ajo që paraqitet online është shumë reale. Pra, është realitet. Të tillë duhet ta trajtojmë ashtu siç bëjmë me hapësirat fizike. Siç kujdesemi me trupat tanë fizikë duhet të kujdesemi edhe për ata virtualë”.

Menaxherja e komunikimit në këtë fondacion,  Sihana Klisurica, ka thënë se te puna e Menegonit si artiste, qasja e saj me metoda të ndryshme me variacionet që i ofron sot teknologjia u ka bërë shumë përshtypje, sepse duke i përdorur këto elemente ajo vë në fokus trupin.

“Do të thotë eksperimentim me trupin e saj. E vendos trupin fizik në një botë virtuale duke e përçudnuar në njëfarë forme. Mesazhet që ajo i përçon ndryshe quhen edhe feminizëm kibernetik”.

Në veprat e Menegonit trupi real manipulohet fort nga teknologjia. Duket sikur trupi fizik dhe ai virtual tashmë bashkëjetojnë. Kështu del të jetë në perspektivën e saj, por edhe në rrethanat e dekadës së tretë të këtij shekulli.