Në gjuhën e figurave stilistike, në muzikën barok notat përhapen si një valë në një liqen të qetë, duke krijuar një harmoni të përkryer mes melodisë dhe kontrapunktit.
Ndjesi të tillë ka përçuar koncerti me protagoniste kryesore Antoinette Lohmann, të mërkurën pasdite në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Në fakt, pos magjisë së veprave, koncerti në të cilin ajo ka drejtuar Ansamblin Harkor të Filharmonisë së Kosovës, ka shpalosur qasje të re dhe edukative. I organizuar nga European String Teachers Association dhe Filharmonia, ka qenë ndërthurje harmonike midis interpretimit artistik dhe reflektimit akademik mbi veprat dhe instrumentet e epokës së barokut. Në repertor kanë qenë veprat e Georg Muffat dhe Carlo Farina, të cilët u takojnë shekujve 17 dhe 18.
Në publik kanë qenë kryesisht nxënës nga shkolla e muzikës dhe studentë të Fakultetit të Arteve, pa munguar adhuruesit e muzikës klasike. Koncerti ishte një lloj urë lidhëse mes historisë dhe interpretimit bashkëkohor
“Arsyeja që i qasemi kësaj epoke është sepse nuk dimë gjithçka. Historia e muzikës baroke është një udhëtim i informimit, i ndërtuar nga konteksti i kompozitorëve të saj. Interpretimi barok është një eksplorim i pafundmë, i ndikuar nga standardet moderne, që na sfidon të kuptojmë muzikën përtej kornizave tona të sotme”.
Ajo ka theksuar rëndësinë e kronologjisë në të kuptuarit e muzikës.
“Nëse nisemi nga kohët moderne duhet të fillojmë nga sot dhe të kthehemi prapa për t’i shpjeguar gjërat, po rune për ta kuptuar Bahun duhet të di se çfarë ka ndodhur para Bahut dhe jo nga Brahmsi dhe kjo bën që të shikojmë nga e kaluara në të ardhmen, në vend se të shikojmë nga e ardhmja në të shkuarën”.
Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton, përveç organizimit të programeve koncertale për publikun e gjerë, po angazhohet edhe për edukimin dhe afirmimin e muzikës klasike te brezat e rinj
“Ky koncert ka qenë një mundësi për muzikantët e rinj që të shohin dhe përjetojnë nga afër teknikat e muzikës baroke, që shpesh mbeten të largëta për shkak të natyrës së tyre të veçantë. Teknikat e interpretimit barok, me harqe më të shkurtra dhe tela të zorrëve, paraqesin sfida të reja si për studentët, ashtu edhe për profesionistët. Për disa prej instrumentistëve tanë kjo ishte një eksperiencë e pazakontë, duke krijuar një mundësi për të nxënë dhe për të eksperimentuar me mënyra të reja të të luajturit”.
Projekti ka përfshirë një seri koncertesh me masterklasa, që pos në Prishtinë janë mbajtur edhe në Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.
“Jam shumë e kënaqur që edhe fëmijët e shkollave jashtë kryeqytetit patën mundësi të përfitojnë”, tha Mrika Hoxha, koordinatore.
Gjatë këtij projekti janë mbajtur masterklasa edhe me profesorë nga Kosova, të cilët kanë shkuar në disa shkolla, në qytete të ndryshme