Trashëgimia e tij hyn te brezi që kanë vënë bazën e artit pamor në Kosovë. Krijimtaria e Rexhep Ferrit në pikturë u është shpalosur qendrave të artit evropian qysh në vitet ’70. E trashëgimia e tij prej artisti, duke përfshirë pikturën, poezinë, prozën e esetë, e ka bërë atë një prej artistëve më të kompletuar të Kosovës.
Akademik Rexhep Ferri vdiq të enjten. Ishte 86 vjeç.
Tablotë e Ferrit janë udhëpërshkrimi më i mirë për jetën e tij. Mitet e legjendat gjenden në secilën prej veprave të krijimtarisë së shtrirë gati në shtatë dekada.
Vlerësohet si një prej artistëve që pos krijimtarisë dha kontribut të madh edhe në edukimin e brezave.
“Ferri ishte një person i veçantë një piktor por do të thosha një artist i kompletuar që paralelisht njihte të gjitha fushat e artit ashtu siç do të duhej të ishte në fakt një artist i mirëfilltë”, deklaroi akademik Eqrem Basha.
Akademik Ferri u lind në Kukës më 1937. Më 1958 përfundoi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd, ndërsa në vitin 1970 përfundoi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000.
Biografia e tij përfshin ekspozita personale në Kosovë, ish-Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt e në vende të tjera.
“Për mendimin tim, vepra e Ferrit shquhet për një qasje do të thosha moderne, një qasje që shkon në një vijë midis abstraksionit dhe konkretes. Është një piktor figurativist por që në figurën e tij zhvillon një dinamikë të jashtëzakonshme të vizatimit”, tha Basha.
Pikturës do t’ia kushtonte jetën. Personazhet e tij janë monumentale. I donte të tilla, të flisnin nëpërmjet heshtjes së tyre.
“Për pikturë kam dhënë shumë kohë, shumë vite. Jam munduar ta shpreh vetën me fjalët e mia. Qofshin ato edhe jo fort të shminkuara ose me grim si I quani ju tash. Mua nuk më pëlqen grimi. As në jetë nuk më pëlqen grim shumë dhe as në art nuk më pëlqen grimi. Duhet shpirtërorja”, deklaroi Ferri në një intervistë në vitin 2020.
Shpirtërores i ka dhënë jetë në tablotë e tij. I ka shndërruar në metafora që mund të lexohen në perspektiva të ndryshme, duke i bërë të përhershme.