Jazzi është në qendër, por rocku, ritmet blues “heavy metal” e meloditë shqiptare vijnë natyrshëm e bukur në zhanrin e veçantë muzikor. Në natën e dytë të “Prishtina Jazz Festival” rrëfimin muzikor e kanë ndërtuar amerikani Trevor Dunn me kontrabas, bendi amerikan “Titan to Tachyons” dhe kuarteti i jazz-kitaristit Taulant Mehmeti. Dy koncerte në një mbrëmje kanë sjellë origjinalitetin, personalitetin dhe shprehjen muzikore në teatrin “Oda”.
Ai ka qenë destinacioni për festivalin edhe në natën e dytë. Publiku i shumtë në numër ka qenë i pranishëm në sallë. Edhe më shumë është mbushur në pjesën e dytë ku kanë performuar “Taulant Mehmeti Quartet”.
Koncerti ka nisur me lojën solo të kompozitorit, bas-kitaristit e kontrabasistit amerikan Trevor Dunn. Vepra e tij ka qenë melodike e frymëzuese. Shumë shpesh befasuese. Në pjesën e dytë të koncertit të parë ka luajtur bendi amerikan “Titan to Tachyons” me lideren Sally Gates, Trevor Dunn, Kenny Grohowski dhe Matt Hollenberg. Intriguese është muzika e tyre. Çuditërisht aty-këtu është ndonjë pasazh melodik. Shpërthimet e papritura janë karakteristikë me pasazhe rock, ritme funku e kulminacion “heavy metal”.
Më shumë se një gjysmë ore e ka ndarë koncertin tjetër në kuadër të “Prishtina Jazz Festival”. Skena ka qenë për kuartetin e Taulant Mehmetit. Formacioni i përbërë prej tromboistit John Cushing, kontrabasistit e kitaristit Noah Garabedian dhe bateristit Sam Levin kanë sjellë jazzin me ritme blues të përzier me melodi tradicionale shqiptare.
Para publikut ka bërë të ditur se kjo ka qenë hera e parë që ka interpretuar në teatrin ‘Oda’ pas tetë vjetësh. Ka kujtuar sesi atëkohë kishte shumë më pak njerëz të pranishëm. Për KOHËN ka treguar se po në teatrin “Oda” ishte njoftuar me jazzin në vitin 2005.
“’Oda’ është eksperiencë shumë e mirë ku jam njoftuar me jazzin për herë të parë kur kam qenë 13 apo 14-vjeçar. Kam parë disa bende amerikane që kanë bërë muzikë dhe më ka inspiruar të hulumtoj jazzin dhe ma ka ndryshuar jetën pozitivisht. Kam vendosur të vij çdo vit prej 2005-tës në festivalin që e ka organizuar Ilir Bajri. Në vitin 2011 kam marrë pjesë me bendin tim me kompozime origjinale dhe tash pas 13 vjetësh po kthehem në ‘Prishtina Jazz Festival’ me bendin tim prej Neë Yorku, ku jetoj”.
Bas-kitaristi Sheki Hoxha ka thënë se është mrekulluar nga performanca e Mehmetit me bend. I ka vlerësuar edhe performancat e Trevor Dunn e të bendit “Titan to Tachyons”.
“Na mrekulloi. Ku ka më mirë se të kesh një emër kaq të madh si Taulant Mehmeti i cili tash është klas botëror pasi tërë kohën është në Neë York dhe ka kontakte me muzikantë të mëdhenj të botës. Kështu që nuk ka mundur të jetë më ndryshe sesa shkëlqyeshëm. Edhe pse edhe muzikantët paraprakë i kam për qejf me ‘fusion’ një lloj ‘psychedelic’, muzikë në të cilën ishin paranojakë. Vetë festivali është mrekullia vetë. Është mirë të kemi këso festivalesh pak më shpesh, problemi është gjithmonë që nëse artin nuk e zëvendëson shteti, arti vdes”.
Ndërmarrësi Mentor Dida, dashamir i jazzit, ka veçuar koncertin e Taulant Mehmetit.
“Çfarë ndodhi sot ishte diçka shumë speciale pasi i morëm ritmet e jazzit që ishin të marinuara me ritmet tona shqiptare dhe të Ballkanit, në mënyrë që depërtoi direkt në zemrat tona. Në fillim nisëm direkt me një energji që na mbajti dhe na çoi shumë lart. Taulanti me ekipin ishin fantastikë, diçka që mua më mungon këtu të ketë më shumë eksperienca të tilla. Është diçka fantastike që Xhafa e ka sjellë këtë mundësi”.
Jazzi bashkon kultura, ngjyra e kombësi e kësisoj ka bërë bashkë edhe publikun e “Prishtina Jazz Festival” jo vetëm për të shijuar koncertet por edhe për ta festuar zhanrin muzikor.