Ekspresionizmi i artistit Rron Qena është ndryshe kur merr formë në tablotë e tij me ngjyra vaji. Veç pikturës si ndeshje parësore, ofron dhe një qasje memoaristike në to, është njëfarë ditari që dokumenton udhëpërshkrimet e tij. Diku pikturon familjarë të tij, te ndonjë tablo tjetër jetëson një rrugicë të Prishtinës, vendit ku është rritur. Por, mbi të gjitha, është art urban, graviton nga disa qytete dhe të jetuarit në to.
Rron Qena, i cili tash e tri dekada punon me pikturën tradicionale, vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës për herë të parë me ekspozitën “Udhët që më njohin” të kuruar nga Lulzim Zeqiri. Po me këtë ekspozitë të përbërë nga pikturat në vaj, midis manisë së sterilitetit të artit bashkëkohor, Qena bën me dije se teknikat tradicionale kanë ende fjalën e tyre e janë zor të zotueshme nga çdokush. Turbullimet e brendshme të Qenës në ekspozitën “Udhët...” vijnë me 39 vepra si 39 stacione, të cilat paraqesin përhumbjet e tija në disa qytete si Prishtina, Berlini, Shkodra e Bremeni, adresa e tanishme e artistit. Ani pse ai shkëput copëza nga peizazhe reale urbane, duket se realiteti i parë mbaron në atelienë e tij. Aty marrin forma të tjera, jetësohet bota e artistit me një qasje intime, por që rezonon me këdo që i është përthyer jeta me ato qytete.
Ndërtimin e lidhjes mes këtyre vendndalesave ka arritur ta bëjë me sukses kuartori i ekspozitës, Lulzim Zeqiri.
Me Rron Qenën veç artit i lidh edhe miqësia, për të nuk ka qenë e vështirë të depërtojë në botën e artistit.
“Me Rronin kemi studiuar bashkë, jemi miq të vjetër, e kam përcjellë punën e tij nga afër. Ka pasur momente kur kemi punuar bashkë në atelie, kemi diskutuar për artin, për ëndrrat, të ardhmen si artistë. Të dy jetojmë jashtë Kosovës dhe na ka bërë të mendojmë se kjo pyetja se a ka artisti atdhe, cila është e bota e tij, jo vetëm në vendlindje por dhe jashtë saj”.
Përtej një analize parësore që mund t’i bëhet pikturës së Qenës, kuratori evidenton dhe aspektin psikologjik në to. Sipas tij, kjo prekje është shumë e pranishme në artin e Qenës. Ka veçuar edhe veprën “Drunken Friends”, si njërën nga to e cila e paraqet mirë atë aspekt.
“Në shikim të parë si pikturë kompozicionalisht me këtë siluetën dhe me këto ngjyrat e paraqet njëfarë thellësie të raporteve ndërnjerëzore ku me një gjendje të caktuar shpirtërore njerëzit ndoshta marrin guximin edhe diskutojnë për ëndrrat e veta e që artistët gjithmonë e kanë pasur më lehtë për shkak të gjuhës universale që i bashkon, artin. Dhe në momente të caktuara ne si artistë e kemi hapur horizontin tonë për art dhe kreativitet. Është një punim shumë i guximshëm i tij, përmban njëfarë poetike të kreativitetit dhe mënyrës së shprehjes së tij”.
Në mesin e veprave të ekspozuara gjenden edhe piktura të artistit, të cilat prekin fillet e rrugëtimit të tij me pikturën, por ka dhe sosh të cilat janë aq të reja saqë shikuesi mund ta nuhasë ende aromën e mprehtë të bojërave të vajit.
“Hana Sleeping” është ndër pikturat e para të Qenës, e pikturuar në vitin 1997, paraqet të motrën e tij duke fjetur, ndërkaq pranë e varur rri edhe “Përshëndetja e fundit” e realizuar këtë vit, që fut në dimensionet 70 me 60 centimetra një hyrje të një banese në Prishtinë.
Prezantimi në GKK për vetë artistin kishte qenë ëndërr e kjo ekspozitë, veç tjerash, është pasqyrë e identitetit të tij, i cili përkon me shkollën evropiane të shprehjes.
“Derisa kam studiuar dhe jam rritur, gjithmonë kam ëndërruar se kur kam me mbërri në Galerinë Kombëtare, por mandej gjatë kohës ma merr mendja që kam pasur mundësinë të ekspozoj edhe më herët, por nuk e lidhi koha deri tash. Është privilegj, është maja e ekspozimit. Gjatë studimeve ose analizës që i bën, është një pakicë e njerëzve që mund të thellohen në art ekspresiv dhe atëherë e kam menduar që nëse kemi disa detaje të së kaluarës, atëherë mund t’i inkuadrojmë edhe shumicën. Nëse ka veshje kombëtare, atëherë shumë njerëz e pranojnë, por gradualisht po fillojnë me u thellu dhe me ngjyra më abstrakte”.
Se sa i respektuar dhe i pëlqyer është arti i Rron Qenës u tregua nga fakti se shumë nga veprat e ekspozuara janë mbledhur nga koleksione të poseduesve të pikturave të tij. Janë shitur para ekspozitës. E pjesëmarrja e madhe në hapje ishte edhe një dëshmi tjetër. Aty ishte edhe arkitektja e artistja Eliza Hoxha. ”Mbrapa mureve” ka qenë piktura e Qenës, pjesë e ekspozitës “Udhët...”, e cila është në posedim të Hoxhës. Veprat e Qenës, sipas saj, meritojnë analiza të thella e rivizitime të vazhdueshme.
“Mendoj që ka një qasje duale, sepse Rroni niset nga një ngacmim real i imazheve ose momenteve të caktuara në qytet që i përshkruan përmes pikturës, u jep ngjyrime të veta, u shton ngjyra të tjera, mëlmesa të ëndrrave të vështrimeve të veta dhe ajo mandej e bën dhe Rronin protagonist edhe nëse nuk shihet, sepse ta jep emocionin e tij, të përfshin edhe ty. Prandaj pikturat e Rronit duhet me i lexu e me i pa në prizma të ndryshme për me kuptu në thelb krejt çka ka brenda një pikture, sepse ka shumë shtresime”.
Në një përvijim të kësaj ekspozite mund të thuhet se observimi i artistit në të gjitha peizazhet e subjektet e pikturuara është përndjellës, nostalgjik, dokumentues e, mbi të gjitha, është origjinal dhe shërben si udhërrëfyes i identitetit të një qyteti e të një artisti në të.