Nëpërmjet terrorit, shfaqja “Togeri i Inishmorit” e lufton terrorizmin dhe vjen si satirë ndaj natyrës së tij. Me tekst të dramaturgut britanik-irlandez Martin McDonaugh, nën regji të Gjorgji Rizeskit nga Maqedonia e Veriut, shfaqja që u dha premierë në teatrin “Adriana” të premten mbrëma ka qenë e veçantë nga ajo çfarë ka zakonisht në repertor.
Rrëfimi vendoset në Irlandën e viteve ’90. Kryepersonazhi është një lloj ndëshkuesi i fenomeneve negative në shoqëri.
Por drama kryesore fokusohet në gjetjen e vrasësit të maces së tij, të cilën e do më shumë se gjithçka. Kryepersonazhi Padraic, të cilin e luan aktori Blin Mani, kthehet në shtëpinë e tij në ishullin Inishmore, ku mëson se macja e tij nuk është sëmurë, por është vrarë. Synon hakmarrjen.
Regjisori Gjorgji Rizeski, i cili për herë të parë ka punuar me një trupë aktorësh nga Kosova, ka thënë se atë që vlerësohet si komedi e zezë, e kanë bërë të duket më serioze.
“Kjo është shfaqje shumë e famshme. Është luajtur në 49 gjuhë, por nuk është më ndryshe se të tjerat. Kjo është një lloj shfaqjeje që të bën të qeshësh, por ne e bëmë ndryshe, madje të kundërtën. Është një lloj kontrasti i lehtë”.
Dhunë, krisma armësh, skena e fjalor eksplicit e shoqërojnë krejt shfaqjen. Skena e teatrit bëhet shpesh arenë dyluftimi midis karaktereve.
Aktori Arben Marevci ka thënë se shfaqja ka qenë krejt e veçantë nga ato të mëhershme, edhe për shkak të natyrës së shfaqjes e të regjisorit.
“Është një proces më ndryshe se herëve të tjera, jo pse regjisori është më i veçantë prej të tjerëve me të cilët kemi punuar. I ka ditur saktë kërkesat e tij prej ditës së parë dhe në atë formë kemi funksionuar. Shumë shpejt kemi kaluar prej provave të leximit në skenë. Kemi pasur mjaftueshëm kohë që secili ta realizojë rolin e tij. Sepse nuk është punë e thjeshtë. Edhe fizikisht kërkon angazhim. Secili duhet të merret edhe me skenografinë dhe rolin”.
Krejt zhvillimet dramatike, ngjarjet trishtuese, komedia minimale dhe gjithçka tjetër, kanë veç një shkas: vrasja e një maceje. Aty zbulohet absurditeti i krejt dramës dhe se dhuna është tashmë e pakthyeshme. Në një moment Padraic përballet me Kristin, i cili e pengon vrasjen e babait të togerit.
Por ndonëse kapet, ngjan se shpirti luftarak i kryepersonazhit triumfon.
Ngjyrat e dashurisë ilustrohen në disa prej skenave ku luan aktorja Dora Xhemajli. Aktorja ka thënë se “Togeri i Inishmorit” ka qenë shumë interesante e sfiduese.
“Shfaqja ka qenë shumë më ndryshe prej çfarë jemi mësuar të shohim, shfaqje pak më horror. Nuk sjellin të tilla për shkak të kushteve dhe për shkak se njerëzit nuk munden të durojnë kaq shumë krisma, kaq shumë dhunë e skena eksplicite dhe ne e kemi paralajmëruar që shfaqja është +16 dhe duhet pasur kujdes”.
Vapa në sallën e teatrit “Adriana” ka qenë e vetmja “e metë” në premierën e shfaqjes me të cilën institucioni e ka mbyllur sezonin. Mbrëmë është dhënë premiera e saj.
Është një rrëfim i atillë që duhet përfundim i lumtur dashurie. Por ndodh krejt e kundërta. Vrasja e kryepersonazhit është drama e fundit.