Nga ana tjetër e botës, dy instrumentistë dhe një kompozitor kanë sjellë meloditë e veprave unike. Të frymëzuara kryesisht nga natyra e Australisë, Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë dhe kompozitori Alan Holley kanë sjellë frymën autentike të vendit të tyre. Kur janë ndalur në Tiranë e më pas në Prishtinë, repertorin e kanë pasuruar me vepra shqiptare. I kanë sjellë në version të ri në qendrën “Barabar” të enjten mbrëma nëpërmjet koncertit “Directly from Australia”
Hapësira kulturore në katin e katërt të hotelit “Grand” në Prishtinë ka qenë nikoqire e koncertit të radhës të organizuar në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Ka ardhur në kuadër të programit që e paraprin edicionin e 19-të që sivjet mbahet prej 18 deri më 22 shtator.
Programi i kuruar nga kompozitori australian Alan Holley ka sjellë diversitetin e kulturave nëpërmjet veprave atraktive e bashkëkohore.
Me “Diggins for trumbet and guitar” të Enis Mullajt është hapur koncerti. Luhatjet në tinguj të saksofonit e shpalosin temperamentin e saj derisa pozita e kitarës mbetet e njëjta.
“Sorrel – for solo flugelhorn” nga kompozitori Alan Holley ngjan si një lloj vepre me temë abstrakte të së njëjtës frymë me veprën tjetër e kompozitorit australian, “Fallen Light” për solo kitarë, të cilën e ka luajtur Ken Murray.
Të parën, kompozitori Alan Holley ka thënë se për frymëzim ka ngjyrat dhe lulet, ndërsa tjetra që është luajtur me kitarë elektrike ka ngjyra të rockut.
“’Sorrel’ ka të bëjë me ngjyrat e luleve. I mendoja gjithë këto ngjyra që vinin nëpërmjet tingujve të bukur që krijoheshin. Vepra tjetër anon më shumë nga ritmet ‘funk’, ‘rock n’roll’ dhe nganjëherë edhe disa lloj thirrjesh të zogjve nga Australia. Unë jetoj në Sydney dhe kam parë shumë zogj në kopshtin tim që është fat shumë i mirë”.
Veprat “Australian Figbird”, “Grey Headed Robin” dhe “Torresian Crow” kanë qenë pjesë tejet atraktive. Kitara ka mbajtur ritmin ndërsa loja që e identifikon është ajo e trumbetës. Me tinguj të shkurtër e të shpeshtë e bëjnë të tingëllojnë si cicërima zogjsh.
Autori i këtyre veprave, Ken Murray, ka thënë se frymëzimin kryesor në krijimin e veprave të tij e gjen te një numër i madh i llojeve të zogjve në vendin e tij.
“Jam shumë i frymëzuar nga zogjtë. Kërkoj gjithmonë lloje të reja dhe ata që nuk i kam parë më parë, kryesisht në Australi. Kjo pjesë identifikon zogj të ndryshëm. Në Australi kemi 880 lloje të ndryshme zogjsh kështu që duke i dëgjuar kam filluar të mendoj se si do të tingëllonte muzika e bazuar në ritmin e tyre. Tingujt e tyre më bëjnë të ndihem më nostalgjik, sidomos e fundit – ‘The Crow’ – mund të dëgjosh korbin, por edhe emocionin prapa saj”.
Bashkë me trumbetuesin Joel Brennan kanë sjellë veprat shqiptare të përshtatura për trumbetë dhe kitarë. Sipas Brennan më interesantja ka qenë “Trio për trumbetë, korno dhe tuba” e Avni Krasniqit, të cilën e ka luajtur bashkë me Ilir Kodhimën dhe Aleksandar Niniqin.
“Për mua ishte interesante vepra e Avni Krasniqit. Mënyra se si ai e përdor ritmin mendoj se është më shumë lloj i muzikës folklorike që dëgjohet shumë nga njerëzit këtu, gjë që ne nuk e kemi në atë pjesën tonë të botës kështu që duke biseduar me të për muzikën kemi mësuar shumë. Kam qenë shumë i emocionuar që kam marrë pak shije nga ngjyrat e muzikës tradicionale”.
“Echoes” e Kris Sopiqoti dhe “Viotar” e Kreshnik Aliçkajt kanë qenë veç disa nga veprat në program. Kjo e fundit ka qenë më dinamike në kontrast me ato që janë luajtur paraprakisht.
Aliçkaj ka thënë se pjesët më sfiduese kanë qenë ato për kitarë dhe se janë shumë më të vështira për t’u luajtur sesa që ndodh në këtë rast me trumbetën.
“Si kompozitor kam pasur dëshirë që kitara të jetë pak më e zhvilluar sesa instrumenti tjetër, sepse kitara, pianoja apo një instrument tjetër që e përcjell instrumentin solo është çdoherë më pak e zhvilluar dhe i jepet rëndësi instrumentit solistik. Kështu që në këtë rast unë e kam bërë të kundërtën”.
Sa u përket veprave shqiptare është luajtur edhe “Amidst the Peaks” për trumbetë dhe kitarë e Jetmir Zaganjorit, ndërsa në fund është interpretuar “Una per Ornette” për kitarë solo e kilianit Andrian Pertout.