EXPRESS

“Thellësia dhe vëllimi” në dialog elegant për harmoninë

Thellësi e vëllim kanë veprat që janë bashkuar në një ekspozitë. I lidh harmonia. Lejojnë kundrime e interpretime të ndryshme, plotësojnë njëra-tjetrën, ani pse në shprehje të ndryshme artistike.

“Thellësia dhe vëllimi” titullohet ekspozita e Fehim Huskoviqit dhe Valentina Stevanovskës, dyshes nga Shkupi që njihet edhe përtej rajonit. Ani pse është një ekspozitë paralele me dy sosh brenda saj, si tërësi gjen emëruese të përbashkëta.  Huskoviqi “thellësinë” e ka kryefjalë të grafikave të tij, skulpturat e Stevanoskës janë të vëllimshme, luajnë me hapësirën dhe reflektimin që ia mundëson materiali i inoksit që përdor.

Seria “Mbështjellja” e Huskoviqit jep një lloj kuptimësie që në imazhin e parë që krijon. Grafikat duken si mbështjellës e thesare të moçme me dominim të ngjyrës së dheut.  Mesazhi është reminishencë e kohëve të kaluara kur njerëzit përmes tyre bartnin ushqimin, por edhe foshnjat – elemente që ruajnë vlerat dhe kujtimet e një populli. Në kontrast është shkëlqimi i skulpturave, me të cilat Stevanovska mjeshtërisht skulpturon muzikën, tingullin. Prej fjalorit muzikor pagëzohen edhe veprat – kryesisht prej ciklit “Sonata – por edhe format e tyre luajnë në këtë rrafsh.

Valentina Stevanovska, e pranishme në hapjen e ekspozitës në galeria “Qahili”, “Sonatat” i ka krahasuar me muzikën klasike e inoksin që reflekton dritë, reflektimi është i ngjashëm si muzika klasike, e cila përjetohet ndryshe nga individë të ndryshëm.

“Po mundohem të gjej një mënyrë më të qartë për publikun e gjerë dhe të shpjegoj se ashtu siç dëgjohet dhe ndihet muzika, edhe unë në këto skulptura e kam zgjedhur materialin e inoksit për t’i punuar këto skulptura, ku nëpërmjet reflektimit të dritës pasi janë reflektuese, ai reflektim është i veçantë, edhe përjetimi është njëjtë sikurse muzika që është e veçantë. Përndryshe vetë veprat e titulluara ‘Sonata’ tregojnë se lidhja e tyre me muzikën është e pandashme”.

Për Huskoviqin, ekspozita në Prishtinë është e 129-a. E ky nuk është vetëm numër, por mbështjell rrugëtimin e tij të gjatë artistik. Prishtina nuk është e panjohur për të. Ka thënë të ketë përzgjedhur të prezantohet me grafika, sepse Kosova për të është një ndër qendrat e njohura jo vetëm në Ballkan, por edhe me gjerë sa i përket grafikës.

“Kam ekspozuar në Nju-Jork, Vjenë, Berlin, Oslo, Stamboll, nëpër shumë vende të botës, por dua të jem i sinqertë, sonte më keni respektuar në masë të madhe dhe ndihem jashtëzakonisht shumë mirë këtu në Prishtinë”.

Arti i dyshes që ka sjellë “Galeria Qahili” është i njohur për skulptorin e piktorin Hajrush Fazliu, profesor universitar. 

“Huskoviqi është një skulptor që fillet i ka marrë në Universitetin e Prishtinës dhe zonja Valentina, njëra nga skulptoret e shekullit të fundit që me punën e saj, gjithnjë po vijnë duke e pasuruar me vepra shumë cilësore, prandaj jemi me fat që sonte po i nderojmë këta dy kolegë. Me vetë faktin se vijnë nga dy fusha apo disiplina artistike, ku Huskoviqi është vërtet një emër cilësor i grafikës moderne, i cili është bashkëkohës me të madhin Fatmir Krypa, Hysni Krasniqin e shumë e shumë artistë të tjerë kosovarë, por ajo çfarë e bën të veçantë janë eleganca dhe teknika, mënyrat se si i realizon. Ndërsa Valentina është produkt i shumë skulptorëve maqedonas”.

Ka përgëzuar “Galerinë Qahili”, e cila përditë e më shumë po fuqizohet si vatër e artistëve eminentë, jo vetëm nga Kosova apo edhe nga rajoni e më gjerë. E,  “Thellësia dhe vëllimi” do të jetë e hapur aty deri në ditën e gjashtë të dhjetorit.