EXPRESS

“The Best European Show” himnizon teatrin, ironizon Evropën

“The Best European Show” është vështrim satirik se si gjykohet teatri në Evropë. Shfaqja shpalos se çdo akt i krijimit të teatrit mund të jetë rast unik rezistence në formë arti. Është art i kushtëzuar që është i varur nga kontakti i dyanshëm i krijuar ballë për ballë midis shfaqjes dhe audiencës.

Pas Polonisë, Italisë, Maltës e Sllovenisë, shfaqja shtriu “leksionet” edhe para publikut në Prishtinë. Veçmas komunitetit teatror. Me kritikë e autokritikë të rreptë gjykon teatrin e sotëm evropian, duke e paraqitur atë të ndikuar nga politika dhe jo vetëm.

Tragjikomedia flet për një juri evropiane që ka për detyrë të përcaktojë fituesit e festivalit evropian të teatrit para se të bëhet revolucion modern i këtij arti. E trilluar është ngjarja me emrin “The Best European Show” që vjen si version i ri i konkursit evropian muzikor “Eurovision”. Aktorët ftojnë ta imagjinojmë atë duke marrë shembuj krejt në fillim të shfaqjes se si ndikon gjeopolitika në votimin e fituesit e në rezultatin e humbësve.

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë është shndërruar në sallë teatri të enjten kur u dha premierë në Prishtinë. Pasqyrimi për të vjen kur në një sekuencë të shfaqjes trajtohet infrastruktura. Aty nisin rrjedhjet e ngjarjeve të “The Best European Show” e që pasqyron më së miri institucionin pa shtëpi, që është imponuar të shfrytëzojë hapësira alternative për të ushtruar aktivitetin, pasi objektin e vet e ka në dry tash e dy vjet në pritje të rinovimit. 

Shfaqja me tekst të sllovenit Marko Bratush dhe Haris Pashoviqit nga Bosnjë- Hercegovina, i cili ka bërë edhe regjinë, zhvesh ndikimin e politikës, ambiciet personale e dashurinë që ndikojnë në teatrin si koncept artistik. Me të ndërthuren vizionet e guximshme artistike.

Regjisori e bashkëdramaturgu i shfaqjes, boshnjaku Haris Pashoviq, ka thënë se donin të kritikonin Evropën dhe të sillnin në mendje atë që mund të bëjë teatri me ndikimin e tij në përmirësimin e jetës sot. Sipas tij, kjo ka qenë një prej temave qendrore. Këtë e kanë bërë duke kritikuar edhe veten si regjisor, dramaturg e aktor.

“Donim të eksploronim të dyja: teatrin në Evropë sot dhe Evropën sot. Kjo është jeta në të cilën po jetojmë sot. Ka shumë çështje kritike që prej zhvillimeve kritike deri në ato më të këqija si ngacmimet, aborti, migrimi, korrupsioni, të drejtat e njeriut. Të gjitha këto janë pjesë e përditshmërisë në të cilën jetojmë sot”.

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, e ka vlerësuar “The Best European Show” si shfaqje unike që flet për teatrin dhe e analizon atë.

“Është shfaqje unike, nuk është shfaqje shumë e rëndomtë që të kemi një shfaqje teatrale që flet për teatrin, që e analizon atë, që flet për teatrin evropian sot, për problemet që i ka dhe midis saj fut anëtarët e Parlamentit Evropian me të cilin vendosin të kenë një juri që do të zgjedhë shfaqjen më të mirë evropiane. Është shfaqje unike, një produksion shumë i madh evropian për të cilin jam shumë i lumtur që në këtë kohë sa jam drejtor i Teatrit kemi vendosur të prodhojmë”.

Kosova në këtë produksion merr pjesë edhe për kompozimin e muzikës të cilën e ka bërë Trimor Dhomi, ndërsa koreografinë e ka realizuar Robert Nuha. Repriza e parë është shfaqur të premten, ndërsa Sheremeti ka bërë të ditur se me këtë shfaqje në qershor do të rrugëtojnë për në Portugali.

Ngacmuesi është karakteri i Kovaçit në shfaqje, rol që e luan aktori Armend Smajli. Ka thënë se shfaqja është shembull se si teatrot kur bashkohen mësojnë nga njëri-tjetri. Secili prej aktorëve, sipas tij, është rritur e pasuruar profesionalisht.

“Kjo eksperiencë jo veç për ne, por edhe për artistët polakë, sllovenë, francezë, maltezë, gjermanë, italianë që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqjeje, është – sipas edhe një shkrimi –  një shembull shumë i mirë se si teatri në Evropë sot duhet të jetë më afër njëri me tjetrin. Ka teatro të mira në Evropë, por që veprojnë si ishuj, mungon bashkëpunimi. Teatri e ka koston e vet, veprat e tjera të artit mund të udhëtojnë më lehtë, teatri duhet të udhëtojë me njerëz, me shumë infrastrukturë”.

Njëri prej këtyre karaktereve në shfaqje vret veten në shenjë proteste para se të thërrasë “Vive le théâtre” (Rroftë teatri!). Njëra prej anëtarëve kërkon të mbulojë skenën e krimit. Këtë karakter në shfaqje e luan aktorja italiane Anna Fachinni.

“Karakteri im është i një gruaje të fortë që mundohet fort të mbajë gjithçka në rend, por ngadalë gjithçka i del nga dora. Mesazhi i shfaqjes është se rëndësia e teatrit nuk mund të humbë në politikë e ekonomi. Prek zemrat e njerëzve dhe i mëson ata të jetojnë më mirë dhe të gëzojnë jetën”.

Loja e aktorit austriak, Felix Römer, në pjesën e fundit të shfaqjes sfidon regjisorët, dramaturgët dhe jo vetëm. Kritikon ata dhe veten.

“Karakteri im është i një regjisori shumë të famshëm teatri, që ka një eksperiencë shumë të gjatë në profesionin e tij, që është një burrë shumë i mirë. Por është karakter i vështirë. Vuan pak për emrin e tij. Ai quhet Grotowski, sikur revolucionari polak i teatrit. Është një lloj emërtimi tragjik për të. Ai ka një problem me alkoolin, të cilin mundohet çdoherë ta shmangë për të mos e shfaqur, por në situata tragjike problemi i tij i brendshëm del në pah”.

Në shfaqje luajnë edhe aktorët: Maylinda Kosumoviq, Lumnije Sopi, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Gianni Selvagi, Davide Gagliardini, Philip Leone Ganato dhe Paola de Crescenzo.

Shfaqja “The Best European Show” e merr si pikënisje çmimin për shfaqjen më të mirë evropiane si reflektim për teatrin e sotëm evropian. Një lloj lavdie për teatrin. Është pasqyrë për institucionin burokratik në rënie të reputacionit