Teatri Kombëtar i Kosovës trashmë ka shënuar ditën e 100-të në grevë, teksa nuk shihet zgjidhje në horizont. Përkundrazi, janë bërë më të zëshme akuzat në adresë të ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Ministrisë së Kulturës. Një tentim ndërmjetësimi ka dështuar e Ministria vazhdon të heshtë
Janë bërë më shumë se tre muaj prej kur në skenën e institucionit më të lartë teatror në vend s’është dhënë asnjë shfaqje, s’është mbajtur asnjë provë e shkaku i grevës aty s’kanë gjetur vend as aktivitetet e jashtme.
Publikisht nuk ka shenja të ndonjë zgjidhjeje. Aktorët kërkojnë kualifikim tjetër sa u përket koeficienteve të pagës, pasi rangimin aktual e konsiderojnë qasje të padinjitetshëm në raport me ta. Ditëve të fundit i janë drejtuar me një letër ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës në këtë letër ka shkruar se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, për të mos u bërë pjesë e debateve politike dhe për të shmangur keqpërdorimin e kauzës për qëllime elektorale, ka vendosur të mbajë heshtje publike. Kërkohet përgjigje se ku ka arritur procesi në raport me kërkesat. Por zyrtarisht janë injoruar prapë.
Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë bërë të ditur se janë kërcënuar me ndalje pagash e largim nga puna.
“Besoj që ministri dhe Ministria do të duhej të koncentroheshin dhe të punonin shumë më shumë për t’i realizuar kërkesat tona krejt legjitime sesa të merreshin me plane kërcënuese e shantazhuese për përjashtim prej punës të aktorëve dhe të njerëzve të tjerë që janë në grevë. Por kjo e shpërfaq fytyrën e vërtetë, mashtrimin e madh se në këto gjashtë muaj po punohet fort, ndërsa sot ku jemi nuk ka asnjë letër konkrete”, ka thënë aktori Adrian Morina.
Vazhdimisht kanë kërkuar vetëm një zotim me shkrim se kur do të marrë fund plotësimi i kërkesave që kanë për të vazhduar punën. Por, nuk përjashtojnë as radikalizim me masa të tjera sindikale.
“Si anëtar i Shoqatës Sindikale por edhe si artist e qytetar që e kërkon të drejtën e vet besoj dhe uroj që të mos vijmë në masën më ekstreme të grevës sonë, por nuk e përjashtoj masën e fundit sindikale, grevën e urisë, më shumë se kaq si artistë nuk e di se çfarë mund të bëjmë”, ka theksuar Morina.
Të hënën e kësaj jave ministri i Kulturës në detyrë, Çeku, ka pritur në takim Këshillin Drejtues të Tetarit Kombëtar të Kosovës. Krejt aktivitetet e tjera të asaj dite janë bërë publike pos këtij takimi. Nga dy burime brenda takimit KOHA ka marrë vesh se ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët dhe ka thënë se për dy-tri javë do të zgjidhet kjo çështje. Synimet janë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngritje e pagës për aktorët.
MKRS-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS sa i përket grevës.
Aktorët ne TKK-së konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë kthim ku kanë qenë të ranguar. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11.