“Të bardhët” prek dy çështje kryesore brenda shfaqjes: ato racore dhe gjinore. Reflekton në dinamikat e shoqërisë që shkojnë nga ky drejtim. Niset nga konteksti aktual në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej nga vjen autori i shfaqjes, Steven Leigh Morris dhe zgjerohet në atë global. Të pashmangshme janë këto çështje edhe në institucionin teatror. Elementet dramaturgjike e ato regjisoriale të Besim Ugzmajlit kthejnë pas në kohën kur një regjisor rom kishte sjellë dramën e Molierit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ishte viti 2008 kur regjisori nga Maqedonia e Veriut, Rahim Burhan, do të angazhohej për shfaqjen “Tartufi”. Pas shfaqjes, në shkurt të atij viti, nëpërmjet një artikulli, akademiku Mehmet Kraja do ta quante si “njëra nga shfaqjet më idiote, të cilat ka mundur t’i shohë ndonjëherë publiku i Prishtinës”.
Në teatrin “Oda” kanë ardhur si një lloj ironie me ngjarjen. Skena teatrore është veç një rast. Ishte konsideruar e arsyeshme që teksti të përshtatej për shfaqjen e autorit amerikan, Steven Leigh Morris, në kryeqytet.
Teatri në Oklahoma është gjysmëprofesional. Drejtori artistik i teatrit, Luisi, aktron dhe e bën regjinë në të njëjtën kohë me shfaqjen “Mbreti Lir” të Shekespeareit. Rolin e sjell aktori Shpëtim Selmani, i cili pret publikun në skenë duke lexuar tekstin. Qëllimi i tij është t’i lërë mesazhe botës me një shfaqje të fundit.
Aktori Shpëtim Selmani, ka thënë se shoqëria në Kosovë mund ta gjejë lirshëm veten në temën e shfaqjes.
“Luisi është regjisor i një teatri gjysmë-amator. Është një temë në të cilën mundet lirisht të gjendet edhe shoqëria jonë, dhe gjendet. Është problematike çështja e racizmit në të gjitha shoqëritë. Luisi është pak para vdekjes, mundohet ta bëjë edhe një shfaqje të Shakespeareit – ‘Mbretin Lir’ - dhe të lë një mesazh sesi është bota sipas tij. Në të njëjtën kohë ai akuzohet për përzgjedhje të roleve, akuzohet për racizëm nga dy krahë fondamentalë ekstremë në Amerikë”.
Aktori Bujar Ahmeti ka thënë se roli i tij është i mbështetësit të regjisorit që mundohet të lërë testamentin e tij.
“Dagu është një aktor, naiv. Edhe pse nganjëherë ofendohet e kushtëzohet në punën e tij si aktor, prapëseprapë mundohet ta mbështesë dhe ndihmojë regjisorin Luis, rol që e luan Shpëtimin, që në prag të vdekjes ka një ëndërr: ta bëjë shfaqjen ‘Mbreti Lir’”.
Shfaqja “Të bardhët” vlerëson se në kohë digjitale jo gjithçka quhet premierë. Derisa bëhen provat e aktit të katërt të shfaqjes, informacionet rrjedhin në rrjete sociale nga vetë aktorët: Priscilia, që luhet nga Verona Koxha dhe Daugh që e luan aktori Bujar Ahmeti.
Autori i shfaqjes, Steven Leigh Morris, ka thënë se shfaqja është përshtatur me kontekstin vendor që vjen nga ai global.
“Është një shfaqje amerikane, e shkruar në theksin amerikan, konkretisht në Oklahoma, që ka të bëjë me atë se si transformimi nis nga aty dhe sesi zhvillohen tema universale. E kemi përshtatur pasi nëse do të bëhej shfaqja siç e kisha shkruar për shfaqjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mendoj se do të zinte vend njësoj. Regjisori ka bërë punë të mrekullueshme me koreografinë, me skenat fantastike. Ata thjesht e sollën tematikën globale në mënyrën se si e ndjenë dhe kjo ishte vërtetë një lloj lirie”.
Regjisori i shfaqjes “Të bardhët”, Besim Ugzmajli, ka thënë se shfaqja është një lloj preludi i diskurseve sociale që janë rrugës për në shoqërinë në Kosovë.
“Janë diskutime që lidhen me dinamikat racore e gjinore në shumë vende të Perëndimit, por te ne janë të pakonsumuara ende, të patrajtuara. Jo krejtësisht, por shumë pak. Mendoj se brenda pak kohësh do të jenë pjesë e diskutimeve në shoqërinë tonë. Shfaqja është një lloj paralajmërimi për atë se çfarë e pret shoqërinë tonë. Jo një paralajmërim ogurzi, por që thjesht paralajmëron që diçka interesante do të jetë pjesë e diskurseve publike”.
Ka përmendur edhe ndërlidhjen më shfaqje të çështjeve racore në shoqërinë në vend derisa ka folur për skenën në shfaqje ku flitet për “Tartufin” nën regji të regjisorit Rahim Burhan.
“Është ndërhyrje e jona. Për shkak të përmbajtjes së shfaqjes kemi vendosur të bëjmë disa korrelacione. Ndërhyrja që është bërë është reale, është e botuar, ekziston. Ka qenë diskutim i gjatë, në vitin 2008, për shkaqe krejt racore, jo për shkak të kualitetit të shfaqjes, por për shkak të nacionalitetit të regjisorit të shfaqjes. E kemi parë më të duhur sipas nesh që ta vendosim më qartë si një lloj rikapitullimi të asaj që e kanë parë, ta vendosim më qartë në mendjen e tyre dhe të lidhet ambienti ynë me dinamikat racore”.
Shfaqja sjell copëzat e një shfaqjeje klasike të cilën publiku në kryeqytet ka vjet që s’e ka përjetuar. Vjen si një lloj ironie, për paragjykimet se ato janë jashtë mode.