Në vitin 1990, John Harton, mësues i artit nga Michigan, do të ndërmerrte një nismë krejt të veçantë. E titulli “Empty Bowl” (Tasi i zbrazur) dhe motivi kryesor i tij kishte qenë që nëpërmjet artit të ngrinte ndërgjegjësimin për urinë. Ky projekt do të realizohej bazuar në një proces, i cili përfshin krijimin dhe dhurimin e tasave punëdore prej qeramike punuar nga artistë dhe vullnetarë lokalë, të cilët më pas përdoren në një aktivitet komunitar, i cili në qendër ka ushqimin.
Pikërisht inspiruar nga kjo ide artistja e qeramikës, Laura Sllamniku- Kryeziu, nëpërmjet një versioni pak më ndryshe, me “Tasin e zbrazur” të saj i jep zë një lufte tjetër. Boshti i ekspozitës – e cila është iniciuar nga vetë artistja – është ofrimi i mundësive për njohjen me artin e qeramikës për grupe pjesëmarrëse nga organizatat joqeveritare “SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës”, “Handikos” dhe “Autizmi”. Në studion e saj “Ura” në kryeqytet, artistja për muaj me radhë mirëpriti 60 pjesëmarrës, të cilët i angazhoi në një aktivitet që i njoftoi ata me qeramikën si dimension artistik.
Aftësimi dhe inkuadrimi i pjesëmarrësve nga grupet e këtyre organizatave në artin e qeramikës kishte qenë qëllimi kryesor i projektit. Ndërkaq kjo eksperiencë e parë do të jetë dhe si shtytje për ta, që në të ardhmen të zgjerohen dhe më tutje në këtë veprimtari.
Studioja e artistes Sllamniku-Kryeziu këtë radhë krahas krijimeve të saja, pjesën më të madhe ekspozuese e kanë zënë kompozicionet e murit, tasat, filxhanët, enët dhe krijimet e tjera nga pjesëmarrësit në projektin “Empty Bowl”. Motivet: secili më unik se tjetri, secila botë më vete.
Punimet e realizuara janë bashkuar në ekspozitën e hapur javën e kaluar.
Nezahat Ramadani-Salihu, drejtoreshë nacionale e “SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë”, ka shprehur mirënjohjen për këtë iniciativë teksa ka bërë thirrje për mbështetje.
“Përmes këtij aktiviteti jo që janë zhvilluar shkathtësitë e fëmijëve, por u ka ndihmuar dhe në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre për të krijuar diçka të bukur. Ne shpresojmë që përmes këtyre punimeve në të ardhmen njerëzit të kenë mundësinë t’i blejnë ato dhe t’i ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë”.
Mimoza Bytyqi-Rrahmani, drejtoreshë e “HANDIKOS-it” ka thënë se ky aktivitet risjell në mendje realitetin që këta njerëz e jetojnë dhe nevojën për sensibilizimin e masës.
“Ky aktivitet përveçse me dhanë dije dhe mundësi me shpreh kreativitetin, ka qenë dhe mënyrë e mirë për relaksim, me pasë një terapi e cila në vazhdimësi po tregohet që është njëra prej mënyrave më të mira që njerëzit me e gjetë veten. Këto punime shfaqen si shumë intime, tregojnë se si akoma ne nuk po mundemi me u shkëputë nga realiteti i brendshëm” .
Shumë nga kompozicionet e qeramaikës në ekspozitën “Empty Bowl” shpërfaqin botët unike të pikturuara nga ëndrrat, synimet e aspiratat e autorëve. Në njërën nga to portretizohet bota dhe kaosi i cili e karakterizon atë së fundi. Në të tjerat zënë vend dhe detaje nga hobi të ndryshme si fusha e futbollit e horizontet plot shpresë. Të gjitha këto evidentojnë dhe fuqinë shprehëse që ka arti.
Për Mjellma Lumën, specialiste e monitorimit dhe evoluimit në “SOS Fshatrat e Kosovës”, në ekspozitë kjo fuqi e artit pasqyrohet me qartësi.
“Arti është një mjet i fuqishëm që shërben në integrimin social, është njëra prej formave më të mira dhe më të fuqishme që ekziston sepse përmes tij, fëmijët dhe të rinjtë, por dhe të tjerë që ndihen të margjinalizuar mund t’i japin zë dhe forcë vetës së tyre. Dhe në anën tjetër arti mundet të ndikojë që ata ta fitojnë ndjenjën e përkatësisë. Jam shumë e lumtur që fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë dhe marrin shërbime nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, kishin mundësinë që të jenë pjesë e këtij projekti”.
Për vetiniciatoren, artisten Laura Sllamniku-Kryeziu, ky projekt, i cili kishte zgjatur disa muaj kishte shfaqur talentin e shumë pjesëmarrësve. E kjo ekspozitë synohet të jetë vetëm shkalla e parë e rrugëtimit të tyre me qeramikën.
“Si nga grupi prej SOS Fshatrave ashtu edhe nga grupi i HANDIKOS-it kemi zbuluar shumë persona kreativë dhe të zotë në shprehje, andaj më vjen shumë mirë që ata kanë arritur sukses. Dëshmia e kreativitetit të tyre shihet në punët e tyre, ata e kanë ndërtuar këtë ekspozitë”.
Nëpërmjet optikës së artit, këto iniciativa shpërbëjnë barrierat e keqkuptimit dhe indiferencës, gërshetojnë disa narrativa që rezonojnë thellë. Thërrasin zëshëm se çdo individ, pavarësisht nga rrethanat apo kushtet, meriton të jetë i dukshëm, të kuptohet dhe të jetë pjesë e të përbashkëtës.