EXPRESS

“Specie turshi” e “This is a mirror” në takim prapaskenash

Edhe në koncerte e ngjarje ku interpreton Arbër Salihu, i njohur si La Fazani, është përherë i afërt me publikun. Të njëjtën gjë e bën edhe me tekstet e tij të këngëve, të cilat kur u jep vokal krijon një lloj komunikimi me dëgjuesin. Krejt joformal ka qenë prezantimi i radhës i albumit “Specie turshi” dhe jo vetëm, për dashamirët e këngës së tij. Pos kësaj, për të parën herë në Prishtinë, autorja Likana Cana e ka nxjerrë në publik librin e saj “This is a mirror”.

Ambienti modest e simpatik i kafenesë “Dit’ e nat’“ në kryeqytet ka qenë përzgjedhja e dyshes së artistëve Cana dhe Salihu për të prezantuar krijimet e tyre artistike. Nuk do ndonjë organizim a kohë të caktuar.

Ata janë aty, pranë gjësendeve të tyre duke argëtuar mysafirët me këngë të njohura të artistëve të huaj botërorë.

Bluzat mbajnë shkrime poetike. Disa prej tyre kanë burim librin “This is a mirror” të Canës, i cili përfshin një koleksion poezish. Tema kryesore, siç ka thënë autorja, është një lloj mënyre për t’u lidhur më mirë me veten dhe për të ofruar shërbime shprese nëpërmjet artit.

“Është libër artistik që ka poezi drejtuese, që të shtyjnë të jesh më prezent në këtë moment. Janë ide për vepra arti që i kam pasur dhe i kam, por që e di se nuk mundem t’i realizoj, sepse thjesht janë shumë. Kështu që i kam futur në një libër, i keni aty”.

Te gjësendet e renditura ka qenë edhe albumi i mëparshëm i Arbër Salihut sa ishte pjesë e bendit “Oborri”.

Albumi i tij i fundit “Specie turshi” ka tërhequr vëmendje, ani pse ky është prezantimi i radhës pas promovimit me koncert më 8 mars në “Kino Armatë”.

“Është mënyrë që të lidhemi me publikun që na dëgjon dhe na ndjek, por në princip është mundësi që njerëzit të na shohin produktet. Gjithashtu është edhe libri ‘This is a mirror’, që është mundësi që njerëzit të njoftohen edhe me të”.

Albumi “Specie turshi” i La Fazanit me gjashtëmbëdhjetë këngë është më shumë si një projekt konceptual artistik. Edhe në promovimin zyrtar kishte gjësende si bluza e aksesorë me imazhet e albumit.