Koncertet që e ndërtojnë “Chopin Piano Festin” janë kapituj muzikorë më vete. I dhjeti rrëfim me radhë ka qenë me po aq sharmë. Pianistja virtuoze Sofya Gulyak i ka zotëruar në perfeksion kryeveprat e repertorit pianistik. Pos që ka sjellë frymën unike me lojën e saj, publiku në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka pasur fatin të dëgjojë ato që janë luajtur për herë të parë në kryeqytet, siç e kanë nënvizuar organizatorët e festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike.
Mjeshtërinë, jo veç në interpretim, e ka shfaqur edhe në përzgjedhjen e programit. E mahnitshme ka qenë në interpretimin e “Chaconne” të gjermanit Johann Sebastian Bach dhe italianit Ferruccio Busoni.
Ritmet ngjajnë aventureske, ndërsa dinamizmi në pjesë të caktuara kërkon shkathtësi e precizitet. Ka ngjarë tejet sfiduese teknikisht. Vrulli në lojën e tingujve dhe pasazhet e pastra e karakterizojnë këtë vepër.
Në repertor ka përfshirë edhe një vepër të francezit César Franck.
Gulyak ka thënë se veprat i ka zgjedhur duke u munduar të bëjë kombinim të larmishëm e unik.
“Më pëlqejnë kombinimet e ndryshme. Më pëlqen të krijoj programin tim më ndryshe. Më pëlqeu të vendos pjesë nga Bach dhe Busoni dhe patjetër se nuk mund ta kaloj Chopinin kur kemi të bëjë me ‘ChopinFest’, por gjithashtu më pëlqeu të luaj diçka që nuk është luajtur shpesh këtu, siç është ‘Rondo a la Mazur’. Vërtet i dua këto pjesë dhe nuk munda t’i anashkaloj. Duke qenë se Chopin dhe Liszt kishin një lidhje të mirë mendova që në fund të shtoj edhe një vepër nga Liszt”.
Pjesët sfiduese nëpër veprat që ka interpretuar i ka luajtur lehtësisht me përsosmëri e me shumë qetësi. Ka thënë se ka qenë kënaqësi të interpretojë para publikut të cilin e ka vlerësuar dëgjues të vëmendshëm.
Në pjesën e dytë të programit ka interpretuar vepra nga kompozitorët Chopin e Liszt.
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, e ka konsideruar pianisten Gulyak si artiste të vërtetë e njeri të veçantë që i kishte injoruar totalisht pyetjet për kushte të sallës e për pianon me të cilën do të interpretonte.
“Është një pianiste e jashtëzakonshme, mund të them e kulmit të perfeksionimit të pianizmit botëror. E kemi parë një program që nuk e hasim, nuk e dëgjojmë shpesh. Janë vepra monumentale, kapitale të literaturës pianistike siç ishte Bach-Busoni, mandej përpunime të tjera si dhe Franck që është dëgjuar për herë të parë, por mendoj se njëjtë ngjan edhe me këtë të parën. Së paku prej vitit 2000 e këndej, pjesa e parë e programit interpretohet për herë të parë”.
Pianisti Andi Duraku i ka theksuar aftësitë e Gulyak në interpretimin e veprave shumë kërkuese.
“Ishim dëshmitarë të një mbrëmjeje të jashtëzakonshme pianistike. Një program i cili është me kërkesa të jashtëzakonshme i cili u interpretua me një lehtësi të jashtëzakonshme nga një pianiste që ne veçse prisnim të ishte i tillë, por ishte komplet ndjenjë tjetër ta dëgjonim nga afër. Me të vërtetë jam shumë i lumtur që isha sonte prezent ta dëgjoja një koncert të tillë”.
Pianistja e skenave botërore e ka përmbyllur koncertin në mënyrë romantike duke lënë shije të veçantë muzikore për publikun që koncertet i shijon skutave, ndërsa muzikantët janë kontrasti i krejt rrëfimit.