Tri vepra të kompozitorëve me nam kanë pasur për drejtues orkestre e solistë muzikantë të rinj në koncertin e së shtunës të Filharmonisë së Kosovës. Programi “Skena Iuvenis” është hapësira që ua jep institucioni i muzikës klasike. Veprat virtuoze nga Mozzart, Saint-Saens e Schumann kanë qenë magjia e veprave romantike që e kanë sjellë dirigjenti Pëllumb Vula e flautistja Zanë Abazi bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Është një vazhdimësi e traditë që vit pas viti, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, të sillen në skenë emra të rinj të muzikës klasike. Aty është imazhi i së ardhmes së këtij zhanri në vend, ndërsa organizimi një tregues për përkushtimin e institucionit muzikor për kuadrot e reja. Të shtunën Filharmonia ka marrë rrugë për në qytetin e Gjakovës, ku e ka avancuar edhe njërin program të saj, atë që njihet si “Filharmonia në lëvizje”. Bashkë me koncertin “Skena Iuvenis”, ka përthekuar dy programet e saj në një mbrëmje.
Tingujt e kryeveprave botërore kanë bërë jehonë në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”. Uvertura e operës “Cosi fan tutte” nga austriaku Ëolfgang Amadeus Mozart ka qenë i pari takim i publikut me tingujt e muzikës klasike në koncertin e së shtunës.
Kapitull më vete ka qenë “Odelette” për flaut dhe orkestër nga kompozitori francez Camille Saint Saens. Melodike e virtuoze. Flauti është në qendër.
Flautistja Zanë Abazi që është paraqitur si soliste në këtë vepër ka thënë se ajo është shumë kërkuese për nga pjesa muzikale e stilistike.
“Për mua ka qenë hera e parë që e kam interpretuar këtë vepër. Ka qenë ndjenjë shumë e veçantë dhe si vepër nuk është shumë kërkuese në pjesën teknike dhe i lë hapësirë shumë instrumentistit të bëjë muzikë”.
Është e ditur se Filharmonia e Kosovës në çdo koncert sjell vepra të reja tejet atraktive në program. “Odelette” bashkë me overturën e operës “Cosi fan tutte” janë sjellë premierë nga institucioni shtetëror i muzikës klasike.
Koncerti me titull “Skena Iuvenis” ka provuar talentin edhe me Simfoninë e katërt të kompozitorit gjerman Robert Schumann. Kjo vepër ka qenë kontrasti me pjesën tjetër të programit si vepër shumë më serioze.
Simfonia e katërt e Schumann mund të ketë zhvillime prej më të ndryshmeve, por është një seri e tingujve që e identifikon dhe e përcjellëkrejt kohën.
Dirigjenti Pëllumb Vula e ka vlerësuar veprën si pjesën më sfiduese të koncertit.
Programi i koncertit ka qenë literatura që e kishte përgatitur në kuadër të studimeve. Ka thënë se kërkon shumë punë për t’i vënë në skenë.
“Falënderoj jashtëzakonisht mentorin tim dhe menaxhmentin e Filharmonisë së Kosovës që ma kanë dhënë mundësi të interpretoj këtë program të cilin unë e kam punuar për gati një vit në kuadër të masterit në drejtimin e Dirigjimit. Janë vepra të vështira realisht, kërkojnë shumë punë, por që Filharmonia e Kosovës ka reaguar jashtëzakonisht mirë dhe jam shumë i kënaqur me ta”.
Në Gjakovë ka qenë i pari koncert për këtë vit në një qytet jashtë Prishtinës. Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se “Skena Iuvenis” është një mënyrë për të stimuluar talentet e tij që janë në zhvillim të karrierës së tyre në muzikë klasike.
“E kemi titulluar ‘Skena Iuvenis’ si koncert tradicional që u dedikohet muzikantëve të rinj ose atyre që nuk kanë pasur mundësinë të prezantohen me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës në këtë rast me dirigjentin Pëllumb Vula dhe solistes Zana Abazi. Është program që Filharmonia e mban prej shumë vitesh në kuadër të sezonit të saj për të stimuluar talentet e rinj, por edhe muzikantët që kanë në zhvillim e sipër për të pasur mundësi të luajnë me ansambël të madh”.
Institucioni më i lartë i muzikës i është kthyer Gjakovës pas një viti. Pikërisht në kuadër të programit “Skena Iuvenis” ku si solist ishte paraqitur klarinetisti Ardit Ibrahimi, i cili kishte interpretuar “Koncert për klarinetë nr.1” nga Carl Maria von Ëeber. Koncerti ishte drejtuar nga Lirjona Sylejmani.
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës më 27 prill në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit vjen me koncertin e radhës nën drejtimin e dirigjentit skocezo-italian Dario Salvi.