EXPRESS

S’ka “Mirëdita...” në Beograd

Shteti serb nuk e ka lejuar festivalin “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd. Disa javë para hapjes, ekstremistë serbë bashkë me zyrtarë të lartë shtetëror ishin zotuar se nuk do ta lejojnë mbajtjen e kësaj ngjarjeje që prezanton Kulturën e Kosovës para publikut në Serbi, e një gjë e tillë është konkretizuar të enjten, në ditën e hapjes.

Ka qenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ai që ka dhënë urdhrin për anulimin e festivalit.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!” për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha”, deklaroi Daçiq.

Para se të shpallej vendimi, një grup nga Kosova me pjesëtarë të ekipit dhe të mediave, është ndaluar nja 25 kilometra pa mbërritur në destinacion.

Për anulimin e festivalit, shenjat ishin dhënë javë më parë, kur organizata djathtiste serbe kishin paralajmëruar se nuk do ta lejojnë mbajtjen e festivalit. Atyre u kishin dalë në ndihmë edhe vetë zyrtarët më të lartë shtetëror përfshirë dhe ministrin Daçiq, i cili disa ditë më parë kishte thënë se nuk është koha për një festival të tillë.

Organizatorë protestash të enjten janë deklaruar grupi i tifozëve të “Crvena Zvezdas”, “Delije sever”. Nja 100 protestues kanë bllokuar rrugët për ne vendet ku ishte paraparë hapja e festivalit. Institucionet shtetërore të Serbisë kanë heshtur ndaj kërcënimeve por edhe vetë kanë nxitur kundërshtimin e festivalit.

Për organizatorët dhe të tjerë që mbështesin festivalin, anulimi i tij është nënshtrim i Serbisë ndaj huliganëve dhe jo vetëm.

Kjo është hera e parë e anulimit të festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, ani pse përherë është pritur me protesta ekstremistësh serbë, ose me alarme për bombë.

Vjet “Mirëdita, dobar dan!” ishte mbajtur në Prishtinë, që është një imazh krejt tjetër i versionit në Serbi, ku objektet në të cilat mbahet festivali përherë duhet të rrethohen me forca policore.