Përderisa “Siparantumi” u jep zë veprave shqipe, imazhit, kulturës e shtetit të Kosovës, dy herë është thirrur emri i korit dhe i shtetit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të garës botërore “Sing for gold” në Spanjë. Ka marrë “Medalje të Artë - Niveli IV”, duke u radhitur i treti në kategorinë e vet, por nuk është ndalur me kaq. Interpretimi i anëtarëve të korit nga Kosova ka bërë që juria të ndajë edhe Çmimin Special për programin më të mirë kontemporan dhe interpretimin në skenë.
Salla e improvizuar në breg të detit në Calella u ka bërë strehë qindra koristëve nga 32 shtete të botës. Aty është mbajtur edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të dielën pasdite.
Midis një konkurrence prej tetë koreve “Siparantum” ia kanë dalë që me pikë të jetë i treti, për të marrë zyrtarisht “Medalje të Artë - Niveli IV”.
Për Korin nga Kosova krejt ky ka qenë sukses i madh. Befasi e këndshme ka dalë të jetë Çmimi për programin më të mirë kontemporan dhe interpretimin në skenë.
Salla e ndarjes së çmimeve ka gumëzhuar nga qindra koristë që kanë përbërë 50 kore nga 32 shtete të botës. Aty kanë qenë thuajse krejt kontinentet. Kultura të ndryshme prej Zimbabvesë e deri në Kore të Jugut e Peruja, pavarësisht se kulturat lidhin popujt e shkrijnë paragjykimet, në gara të tilla ku ansamblet bartin mbi supe flamujt e shteteve të tyre, kanë një lloj egoizmi nacional. Synojnë që emri i shteteve të tyre të thirret për çmimet më të mira.
E emri i Kosovës është thirrur dy herë. Për ata që e përjetojnë një ceremoni të tillë, nuk është gjë e vogël. “Siparantum” tashmë ka bërë që emri i Kosovës të thirret në 16 shtete.
“Siparantum” më pas ka vazhduar me luajtjen e dy veprave në ambient të hapur në sheshin afër Kishës së Shën Marisë dhe Shën Nikollës në qytetin e Calellas, ku qytetarët kanë parë performancën në një rrethanë tjetër. Tashmë me atë që njihet si koncert miqësie, atë garues në Barcelonë në Sallën e Konservatorit të Muzikës, “Siparantum” ka mbajtur gjithsej tri koncerte. Në një shtet si Spanja që prej vitit 2008, refuzon të njohë Kosovën, Kori ka lënë shenja jo të vogla. Por aso të Medaljes së Artë e të një Çmimi Special.