EXPRESS

“Shtëpia e grave” hap botën e artistes së aktivizmit

Ekspozita “Shtëpia e grave” është një lloj profili artistik i kroates Sanja Ivekoviq. Përthekon më shumë se një gjysmëshekull krijimtari. Figura e saj prej pioniereje të videos, performancës dhe artit konceptual qysh prej viteve ’70 vjen nëpërmjet veprave të krijuara ndër vite e nga materialet e saj arkivore si trashëgimi e vyer që kthen në realitete historike e politike. Është vështrim retrospektiv, sikurse edhe ekspozita e shpalosur në krejt hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Dy ekspozita brenda njërës, të kuruara nga Hana Halilaj dhe kroatja Ivana Bago komunikojnë me të kaluarën dhe të sotmen, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e rrëfimeve të saj.

Në krejt Galerinë, veprat e artistes kroate Sanja Ivekoviq janë të pafundme. Të dy katet janë përplot.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. Ajo në katin përdhes është përzgjedhje e veprave të autores. E kuruar nga Hana Halilaj, prezanton një numër veprash të mediumeve të ndryshme, duke e bërë shumëdimensionale figurën e Ivekoviqit si artiste. “Përkohësitë e shpresës” quhet ajo që është strukturuar si një lloj nënekspozite e ekspozitës retrospektive “Shtëpia e grave”.

Tejet unike, po aq sa edhe flasin shumë, janë pesë kallëpë gjipsi të fytyrave me titull “Shtëpia e grave” ku secila fytyrë prezanton një histori që dëshmon për rëndësinë e luftës së vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre. Janë vepra të ekspozuara për të parën herë.

Është praktikë e artistes që në secilin vend që shkon, ta zhvillojë këtë projekt të saj. Njëjtë ka vepruar në Kosovë, në vitin 2004.

“Interesimi im ka qenë dhe ende është që punët e mia të kenë subjekt gratë e abuzuara. Kurdo që bëj një ekspozitë të madhe, mundohem të bashkëpunoj me një strehimore lokale për gratë e abuzuara. Në vitin 2004, kur isha ftuar nga Erzen Shkololli për të qenë në ekspozitën e tij, e kam kontaktuar strehimoren në Pejë dhe kam bërë një punëtori me gratë që ishin aty atë kohë. Kjo është mënyra se si mundohem ta fokusoj dhunën ndaj grave si temë, e cila gjithmonë duhet të trajtohet. Po ndodh sot, ka ndodhur 20 vjet më parë. Është problem global”.

Kuratorja e këtyre veprave, Hana Halilaj, ka thënë se ky është një lexim feminist i artistes.

“Sanja e ka një lexim feminist në reprezentimin e grave në mediet masive dhe të objektivizmit të tyre që përdoret për konsumim. Shpeshherë këto histori u janë bashkëngjitur posterëve që janë reklama për brende dhe marka të ndryshme luksoze, por në momentin që shikuesi ofrohet dhe lexon storiet, takon një anë të kundërt të imazheve që këta posterë prezantojnë”.

“Meeting points: Documents in the making” titullohet nënekspozita e shtrirë në krejt katin e sipërm të objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. E kuruar nga kroatja Ivana Bago, ekspozita sjell hulumtimin e saj nga ekspozita me titull “Dokumente 1949-76” e vitit 1976 në Zagreb. Siç edhe kishte ngjarë atëkohë, kur artistja synonte ta dokumentonte historinë e saj personale, ajo e ka bërë këtë pas afër një gjysmëshekulli në Prishtinë. 

Materialet arkivore përfshijnë vizatime, skica, shënime, fotografi, letra, posterë ekspozitash, libra e revista. 

Kuratorja e “Meeting points: Documents in the making” ka thënë se ekspozita është strukturuar si ese pamore ku rrëfimi kuratorial vendoset në të njëjtin plan me veprat e autores. 

“Ekspozita ‘Meeting points: Documents in the making’ është bazuar nga hulumtimi im mbi arkivin e ekspozitave personale të Sanjës dhe punës së saj në përgjithësi. Fokusohet në vitet ’70 dhe është strukturuar si një ese vizuale. Pra, në një formë është një hapësirë tekstuale, nëpërmjet së cilës kuptojmë jetën dhe punën e Sanjës nga viti 1968 deri më 1982. Ekspozita konsiston në veprat artistike origjinale që kombinohen me materiale arkivore si fotografi, letra, pjesë gazetash, shkrimet e saj ku ka shkruar idetë e saj për zhvillimin e veprave”.

Ekspozita “Shtëpia e grave” e Sanja Ivekoviqit e mbyll programin vjetor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar.