Që në hapje, skena shquhet për simbolizmin e fuqishëm vizual. Në podium shfaqet përmes projektorit një sy – metaforë polivalente që, sipas regjisorit, Sulejman Rushiti, përfaqëson të mirën, të keqen dhe mediat. Në të njëjtin moment, skenën e pushton një figurë mitike, gruaja me fustan të bardhë dhe krahë (interpretuar nga Dora Xhemajli) e cila mishëron “Zanën e Vizitorit” nga poezia e Gjergj Fishtës.
Narrativa e shfaqjes zhvendoset përmes një udhëtimi kohor, duke nisur nga shekulli XVIII dhe duke u ndalur në fillimet e shekullit XX, periudhë që përmbledh përpjekjet heroike të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Në këtë udhëtim dramatik, regjisori përdor si burime frymëzimi katër vepra të rëndësishme të letërsisë shqiptare: romanin “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, dramën “Qerthulli politik” të Kristo Floqit, tregimin “ABC-ja e kreshnikëve” të Mitrush Kutelit dhe poezitë e Gjergj Fishtës.
“13” shndërrohet në një eksplorim të thellë të pasigurive, tragjedive dhe dilemave ekzistenciale që kanë përshkuar historinë e shqiptarëve ndër shekuj. Në skenografinë e pasur dhe një qasjeje regjisoriale që ndërthur dramatiken me simboliken, “13” shfaqet si një vepër që jo vetëm nderon trashëgiminë letrare shqiptare, por e sjell atë në një dialog të gjallë me të sotmen. Ali Krasniqi, Dora Xhemajli, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Blin Mani, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xhokli e Sherif Bega janë 13-tëshja e kastës së aktorëve.
Në një pjesë të kësaj drame paraqitet dhe një skenë e cila është e përshkruar në veprën e Kadaresë ku pesë njerëz copëtojnë një vajzë. Është metaforë për copëtimin e trojeve shqiptare në pesë vende të ndryshme.
Në një moment kulmor, në skenë shfaqet shpallja e Shqipërisë, e cila nuk mund të shmangë përmendjen e Londrës si pikë referimi historik. Është pjesë nga vepra “Qerthulli politik” i Kristo Floqit.
“Sikur fatkeqësia, fati i zi historik yni që lidhet me ndikimin e një viti pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe, çuditërisht tokat shqiptare u pushtuan nga fqinjët dhe kjo ndodhi pikërisht në vitin 1913”, thekson regjisori Rushiti.
Ka kujtuar se për numrin 13 kanë shkruar shumë autorë si, Fishta në poezinë me titull ‘Zana e vizitorit’, Kadare te vepra e tij ‘Viti i mbrapshtë’, që gjithashtu e përmend si fenomen dhe luan me këtë besëtytni.
“Ajo që kam pasur ndër mend kur kam filluar këtë shfaqje, kam pasur dhe kam një përshtypje se te ne historia na përsëritet. Prandaj edhe unë në këtë dramë kam angazhuar 13 aktorë, shfaqja ka filluar më datën 13 tetor dhe premiera është mbajtur më 13 dhjetor”, ka shtuar Rushiti.
Arben Marevci asistent regjie dhe njëkohësisht pjesë e kastës ka theksuar se ky bashkëpunim i ri ka qenë krejt i ndryshëm me shfaqjet e mëhershme që kanë realizuar.
“Ishte më i vështirë për arsye se për t’i bërë bashkë katër autorë në një dramë të vetme, ku ka shumë elemente si, sarkazma dhe humori ka qenë shumë e vështirë, por regjisori ka arritur objektivat, e gjithashtu edhe ne atë që kemi synuar ta arrijmë. Në pjesën artistike të shfaqjes duke filluar nga skenografi Bekim Korça, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke e realizuar teknikisht bukur dhe mirë. Elenora Gagica ka bërë kostume të mrekullueshme pa përtesë dhe me një përkushtim të madh. Sfidë në vete ka qenë për secilin, për të gjithë stafin teknik dhe artistik”, thekson ai.
Kushtrimi Qerimi një prej 13 aktorëve ka theksuar se mesazhi i shfaqjes është shumë i qartë.
“Po bazohem në një shkrim profetik të Fishtës të cilin e kam lexuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kemi po të njëjtat probleme dhe jam i vetëdijshëm për zhvillimet e shqiptarëve që ndodhin këtu në Ballkan, kemi shumë ngecje dhe mendoj se kemi mundur të bëjmë shumë më shumë dhe irritimi nëse e analizoj, këtë më vjen aty. Uroj që sa më shumë t’i çelim sytë dhe të bëjmë sa më shumë, sepse kjo shfaqje e trajton edhe gjendjen aktuale që po e përjetojmë”, deklaron ai.
Ka përgëzuar regjisorin Rushiti që e ka përzgjedhur këtë temë prej veprave të ndryshme e që finalja është një produkt i mirë i cili e përcjell një mesazh. Sipas Qerimit, teatrot, përkundër përkrahjes nga kjo Qeveri prapë kanë telashe teknike.
Ngjarjet janë të shumta në “13”. Vijnë si skena filmike në një shirit shekullor të shqiptarëve. Bëhen bashkë si thirrje për reflektim. Mbi të gjitha që historia të mos përsëritet.