EXPRESS

“Shqiptarët dhe serbët” në ballafaqim të fakteve historike e trillimeve

Tri ditë pa u bërë një vit prej kur në moshën 82-vjeçare vdiq profesor Shyqri Nimani, familjarë, miq, kolegë e adhurues të punës së tij janë mbledhur në Galerinë Kombëtare të Kosovës për të promovuar një libër të veçantë: “Shqiptarët dhe serbët” me nëntitull “E vërteta kundër të pavërtetës” është promovuar të mërkurën pasdite.  

Përmbajtja e veprës që është botuar në shqip e anglisht është ajo që e ka lënë Nimani në dorëshkrim. E kishte lënë gati edhe dizajnin.

“Nuk ka zot më të lartë se e vërteta”, është titulli hyrës i librit duke huazuar thënien e Mahatma Gandhit. Nimani, në këtë vepër të botuar e promovuar post mortem bën ballafaqimin e të vërtetave shkencore të shkruara nga autorë eminentë me fabrikimet serbe për historinë e këtyre anëve. Të pranishmit kanë vlerësuar veprën e Nimanit, si një botim të veçantë e në kohë të duhur.

Akademik Pëllumb Xhufi, ka thënë se profesor Nimani nuk ka lënë prapa pishmane. Sipas tij, bashkë me këtë vepër ai ka lënë një varg veprash të çmuara ku fjalës së historianit i vjen në ndihmë edhe imazhi dhe e vërteta historike tek ai merr edhe më shumë forcë.

“Titulli i librit na parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër, të cilat, këto të fundit përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe asgjësimit të tjetrit qysh në kohën e Nimanjiqëve serbë në shekujt 13 dhe 14”.

Sipas Xhufit, një mitologji të tillë autori e sheh të mishëruar në dëshmitë e vjetra. Ka përmendur kronikat serbe të shekujve 13 dhe 14 dhe aktet zyrtare të carit serb, Stefan Dushani.

“Në ato dokumente dhe shumë të tjera flitet shkoqur për një urrejtje me prapavijë ekonomike, fetare e mbi të gjitha kombëtare të pushtetarëve serbë që qëndron në themel të politikave gjenocidiale të zbatuara prej tyre deri në ditët tona në dëm të shqiptarëve”.

Historiani Jusuf Buxhovi, ka thënë se Nimani ka bërë punë prej intelektuali dhe ka shkruar për gjëra që duhet të thuhen. Ka thënë se studiuesit duhet të përmendin se politika ka krijuar “eksterritorialitet” të kishave serbe në Kosovë.

“Në këtë kuptim dua të them se ky libër është shumë i rëndësishëm. Jep argumente që kjo të demistifikohet. Këtë libër duhet ta shpërndajë sa më shumë shteti i Kosovës në mënyrë që t’i përgjigjet propagandës së Serbisë veçmas në planin kulturor dhe në rrënimin e historisë e trashëgimisë sonë. Uroj që shteti i Kosovës më në fund t’u kthehet kulturës e shkencës, t’i kthehet asaj që politika vazhdon ta prishë në Prishtinë e në Tiranë”, ka thënë ai. Ka treguar se Nimani kishte bashkëpunuar me të sa i përket historisë së mesjetës.

Poeti Lulzim Tafa, si mik i Nimanit, ka thënë se në artin e historinë dhe përgjithësisht në kulturën shqiptare profesor Nimani është ndër emrat më të respektuar.

“Nimani si studiues kulturës shqiptare kontribuoi dhe la një pasuri të madhe, të veprave, të ndryshme shkencore por edhe artistike. Është autori që me punën e tij të palodhshme bëri të pamundurën për të zbuluar e rigjetur personalitetet e njohura botërisht që ishin me gjak e rrënjë shqiptare”, ka thënë ai.

Nimani përtej profesorit si dizajner ishte i dhënë pas historisë. U lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku përfundoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Rrugëtimi i Nimanit qe i bujshëm. Në vitet 1976-1978, qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, ShBA, Singapor e të tjera.

Sot gjurmët e artit të tij janë ngado. Emri i tij, i patejkalueshëm në historinë e re të Kosovës e të shqiptarëve.