Gratë në një anë, burrat në tjetrën, kanë një hendek në mes. S’e gjejnë dot gjuhën e përbashkët as në një film të animuar. Më keq është në debat. Prej thirrjes për refuzim të punëve të padukshme deri te kritikat ndaj shtetit kanë qenë kryefjalë e diskutimit, por pa dhënë një propozim se si të dilet prej kësaj gjendjeje.
Të mbledhura në panelin e titulluar “Të papaguara dhe të padukshme”, nëpërmjet Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar aktivistet u janë drejtuar grave e vajzave. Kanë qenë 100 për qind në sinkron me temën e sivjetme të “Anibarit”: “Shembe patriarkatin!”.
Galeria e Artit në Pejë zor të ketë qenë ndonjëherë hapësirë më agresive në raport me avokimin për të drejtat e grave. Të pasigurt e të brishtë burrat janë paraqitur edhe në një program të festivalit gjatë ditës së mërkurë, në ditën e tretë të ngjarjes.
Si aktiviste për të drejtat e njeriut e avokuese për të drejtat e grave, Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se është shumë mirë që ky diskutim po bëhet me të rinjtë. Sipas saj, matjet që janë bërë nuk janë të sakta. Ka thënë se nuk mund t’i pyesësh gratë për punën e papaguar pa ua shpjeguar konceptin.
“Puna e papaguar, e kujdesit, e padukshme, janë punë. Shteti ynë nuk ka një politikë të qartë për punën e papaguar, të padukshme e atë të lindjes së fëmijëve. Diskursi si aktiviste nuk më pëlqen. Në Kosovë gratë janë të punësuara diku 14 për qind. Gratë shumica në Kosovë janë mësuese, infermiere e shitëse, që i bie se janë në punë, që janë zgjatime të punëve të shtëpisë. Mesazhi im këtu sot është që vajzat të ndjekin karrierën e të largohen sa më shumë nga punët e padukshme. Mos i bëni punët e shtëpisë! Kur t’ju thonë: ‘Fshini e gatuani’, ju u thoni se jeni duke mësuar”.
Ekonomistja Dita Dobranja ka thënë se puna e papaguar mund të shihet si subvencioni më i madh i ekonomisë botërore. Sipas saj, kjo është gati komplet në krah të grave.
“Ekonomia që e shijojmë në krejt botën qëndron në krahët gjigantë të grave. Diku rreth 33 për qind e brutoproduktit të Kosovës është puna e papaguar. Nëse do të paguhej puna e përkujdesjes, atëherë do të rritej ekonomia financiare e botës”, ka thënë ajo. Sipas saj, nëse gratë nuk e bëjnë punën e përkujdesjes, atëherë do t’u binin barrë shtetit dhe ekonomia do të ishte ndryshe. Problemi i punës së papaguar e të paparë është se e marrim të mirëqenë”.
Kurse aktivistja Hana Bacaj, midis të tjerash, ka thënë se historikisht gjërat që kanë ndodhur brenda familjes nuk janë diskutuar për politikat publike, andaj ka mbetur puna e padukshme.
Ndryshe prej debateve për tema konkrete nga realiteti i përditshëm dhe ekranet e mëdha që pushtohen prej animacioneve nga të katër anët e botës, “Anibari” ofron edhe kapërcime në realitete virtuale.
Në hapësirat e Galerisë së Arteve në Pejë shikuesit kanë mundësinë të ikin në të tjera universe.
Koordinatori Lis Arifaj thotë se që nga fillimi i festivalit ka pasur interesim për të shikuar filma këtu.
“Ne do të jemi çdo ditë këtu nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites. Janë tre filma që do të përsëriten gjatë gjithë kohës, çdo ditë, gjithmonë tematikat e filmit do t’i përmbahen edhe thirrjes kryesore të festivalit ‘Shembe patriarkatin’. Interesimi gjatë ditës së djeshme ishte i madh. Duke u bazuar në praktikat e viteve të mëhershme për shkak se filmat në këtë formë në ‘Anibar’ po shfaqen qe tre vjet, interesimi gjithmonë ka qenë i madh”.
“Anibari” deri të dielën do t’i mbajë projektorët ndezur. Do të avokohet për shumë fenomene, por pa i ikur qendrës së sivjetme, thirrjes për “Shembe patriarkatin”.