EXPRESS

Saimir Pirgu sjell në Prishtinë magjinë e skenave botërore

Ka shkelur skenat më prestigjioze botërore, kritika e ka cilësuar si njërin prej zërave më të shquar, por tak tash ka debutuar në Kosovë. Tenori Saimir Pirgu bashkë me sopranon e njohur, Marigona Qerkezi kanë sjellë në Prishtinë, magjinë e shtëpive të mëdha operistike në koncertin e organizuar nga Opera e Kosovës

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të martën mbrëma për nga interpretimi s’i ka lënë gjë mangët skenave botërore. Saimir Pirgu, një prej emrave më të njohur të botës operistike, ka interpretuar disa prej arieve të operave në të cilat ka luajtur gjithandej globit. Duke ndarë skenën me sopranon e njohur kosovare, Marigona Qerkezi, e cila po zhvillon një karrierë ndërkombëtare, Pirgu ka sjellë magjinë e artit operistik në kryeqytet. 

Organizuar nga Opera e Kosovës, ky koncert është më i rëndësishmi i institucionit të ri e ende pa formë të plotë. 

Me karrierë në të katër anët e globit, Pirgu ka interpretuar edhe në shqip. Për të qe e rëndësishme që të vihet edhe një gur në ndërtimin e Operës në Kosovë.

Publiku vendës për një kohë të gjatë nuk e ka parë në skenë sopranon Marigona Qerkezi. Pos arieve të operave me nam, efekt të veçantë ka pasur edhe interpretimi i “Unë biri yt Kosovë”.

Nën dirigjimin e Elda Laros, dyshja ka bërë që publiku për rreth një orë të jetë përballë një interpretimi të veçantë skenik, megjithëse në një sallë që nuk plotëson asnjë kusht për koncerte të tilla.

Për muzikantët vendës, koncerti ishte një eksperiencë e veçantë.

Pirgu në fund të koncertit ka ftuar krejt këngëtarët e pranishëm që t’i bashkohen në skenë duke bërë që mbyllja të jetë një spektakël më vete.