Ka aterruar nga SHBA-ja për të prezantuar filmin e ri që kap luftën dhjetëvjeçare të popullit të Kosovës për liri, prej vitit 1989, s’ka ngjarje që nuk prek, skenari duket tepër i gjerë, mbase do të ndahet në seri, posteri është gati, një promo po ashtu dhe do të zgjasë nja dhjetë vjet. Ekipit që thotë se vjen nga Hollywoodi i prin Fatmir Bardheci në biografinë e të cilit figuron vetëm filmi “Mundije”, që përthekon arte marciale me rrënjë pellazge, besën e shqiptarit, strehimin e hebrenjve, ikjen prej komunizmit e çka jo tjetër.
Tash Bardheci me shokë ia kanë mësyrë një projekti të radhës. Titullohet “Undefeated Roots” ose “Rrënjët e pamposhtura”. Për ta prezantuar projektin – që përshkruhet edhe si iniciativë e ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi – ekipi ka mbajtur konferencë për media në Prishtinë, ku ishin të pranishëm ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të dëshmorëve të luftës dhe dashamirës të kinematografisë. Janë projektuar edhe disa skena promovuese që ngjajnë pak a shumë me skena filmash të lirë.
“Për mua është nder që kam arritur ta bëj një film, jo vetëm për luftën e Kosovës, pas gati tri dekadash qëkur ka përfunduar. Në këtë film jemi munduar t’i përmbledhim të gjitha veçoritë pozitive të popullit tonë shqiptar dhe t’ia paraqesim botës përmes Hollywoodit, duke gërshetuar më së miri traditat e shqiptarëve, historinë antike të shqiptarëve, e cila vjen që nga qytetërimi pellazg, trojan, dardan e të tjera”.
Buxheti për “Rrënjët”, që ia ka mësyrë ta realizojë, sipas tij, kap milionat.
“Për filmin ‘Undefeated roots’, ‘Rrënjët e pamposhtura” buxheti mund të shkojë të paktën pesëfish më shumë, mbi 5 milionë dollarë, sepse tematika është shumë më e gjerë, është një film i cili do të jetë me pjesë, njëra pjesë të paktën do të zgjasë 1 orë gjysmë dhe do të marrë 10 vjet kohë. Do të përfshihet jo vetëm lufta në Kosovë, por edhe prapaskenat politike, vrasjet e atdhetarëve shqiptarë, të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 10 vjetëve”.
Te “Mendije” luajnë edhe aktorët Eric Roberts dhe George Lezenby. Ky i fundit është presidenti Biden, i cili portretizohet në film. Emra të shquar synon edhe në filmin e radhës. Në konferencë nuk ka pasur pjesëtarë të komunitetit të kinematografisë në vend. Të institucioneve jo se jo. Ndër vite jo rrallë janë prezantuar e paralajmëruar filma të mëdhenj e hollywoodianë për Kosovën e luftën e saj. Nuk janë realizuar.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe Xhavit Kastrati, nipi i Shaban Polluzhës, i cili theksoi se emri i filmit të ardhshëm “Rrënjët e pamposhtura” është një titull shumë i qëlluar për filmin.
“Por, unë do të kisha propozuar që ky film të mund të titullohej edhe ‘Lisat dhe rrënjët’. Në majat e lisave vëzhgojnë shqiponjat, kurse në rrënjët e lisave shqiponjat ngrenë foletë, është ligj i natyrës, që në foletë e shqiponjës janë vezët e shqiponjës, të cilat vetëm shqiponjat mund t’i gjejnë. Zogjtë e shqiponjës vetëm shqiponja mund t’i rrisë, edukojë dhe të bëhen shqiponja të vërteta”.
Në fund të konferencës përmes platformës Zoom është inkuadruar edhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, i cili e ka përgëzuar producentin për realizimin e një projekti të jashtëzakonshëm kushtuar historisë së luftës në Kosovë, traditave dhe kulturës shqiptare.
“Ky është një kontribut i shkëlqyer për ndërgjegjësimin e publikut përtej kufijve të rajonit, Evropës dhe botës, duke përdorur artin si një medium të fuqishëm. Shpresoj që të vazhdoni me projekte të tilla, të cilat sjellin impakt pozitiv për popullin shqiptar”, ka thënë DioGuardi.
Përveç mbështetjes morale, sipas ekipit të filmit, ai ka kontribuar financiarisht në këtë film, duke dhuruar një shumë prej 10 mijë dollarësh, duke e cilësuar këtë mbështetje si një investim në promovimin e vlerave dhe identitetit shqiptar.
“Rrënjët e pamposhtura” do të xhirohet në bashkëpunim me tri kompani filmike: ‘Eagle's Film Vision New’ nga ShBA, ‘Americal’ nga Shqipëri dhe ‘Illyriaction’ nga Kosova.