EXPRESS

“Revoltë në kohë të vështirë” fuqizon rezistencën

“Poezi për fuqi” tash e një dekadë i jep zë vargut poetik për të shndërruar në reflektim, guxim e ndjeshmëri. Është shembull i atij që quhet art i aktivizmit e sivjet ka bashkuar poetë, aktorë e muzikantë në temën “Revoltë në kohë të vështirë”

Poezia ka qenë njësia matëse e revoltës në ngjarjen që me art synon fuqizimin e gruas. Vargjet janë në qendër, esenca e “Poezi për fuqi” e organizuar nga “Artpolis”. Poetë, aktorë e artistë në "Mensën Ramiz Sadiku" kanë rrezatuar mesazhe emancipimi, proteste e dhimbjeje.

Në drita të lehta me ngjyra, në ambientin gjysmë të errët, të enjten mbrëma është krijuar atmosferë më intime. E tillë edhe ka qenë. Është thyer formaliteti, me plot humor nga ata që kanë performuar. Poetët derisa kanë interpretuar vetë vargjet autoriale, temën e kanë përcjellë me emocion. Aktorët sikur kanë dalë nga margjinat e skenës dhe aty janë shprehur përtej kërkesave regjisoriale. Kësaj here kanë qenë role të vetvetes së tyre. Të mënyrës se si ndihen në kauza të caktuara, të feminizmit në këtë rast. Jehona e këngës së bendit “Don’t listen to your neighbours” ka qenë shenja e hapjes.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare “Artpolis”, Zana Hoxha, i ka paraprirë programit artistik. E ka quajtur ngjarjen “Poezi për fuqi” si natë revolte dhe fuqie.

“‘Poezi për fuqi’ tashmë për një dekadë na ka ftuar që të dëgjojmë, të ndiejmë dhe të reflektojmë përmes fjalës së fuqishme të poezisë. Sivjet nën moton ‘Revoltë në kohë të vështirë’ përcjellim vargjet që nuk janë vetëm fjalë, por akte rezistence, zëra që sfidojnë heshtjen dhe kërkojnë drejtësi”, ka theksuar Hoxha.

Ka thënë se “revolta nuk është vetëm britmë”.

“Është edhe një heshtje që vlon përbrenda, një fjalë që guxon të thuhet, një poezi që lind për të mos u harruar. Sonte përmes vargjeve të poeteve, artisteve e aktivisteve, do të ndërtojmë një mozaik ndjenjash, reflektimesh dhe fuqie të pastër njerëzore. Le ta nisim këtë rrugëtim poetik me vargjet që flasin për zemërimin e drejtë, revoltën e domosdoshme dhe dashurinë që na mban gjallë”, ka shtuar Hoxha.

Aktorja Igballe Qena ka interpretuar poezinë “Mëso të zemërohesh” që vjen si mësim për të thënë “jo” e si thirrje për revoltë e liri. “Kur ka nevojë, zemërohuni, që t’u dëgjohet zëri”,  është mesazhi i fundit i poezisë. Poetja Ilire Zajmi ka interpretuar poezinë e saj me titull “Kujtesa e trupit”. Aty është trupi i palëkundur nga harresa, plagët që nuk rrjedhin gjak e heshtjet e netëve të gjata. Krejt poezive, bendi u ka shtuar ngjyra muzikore ndërsa edhe ka interpretuar muzikën e përpunuar popullore. Rudina Dembacaj ka interpretuar poezinë “Fajtore jam” nga Radmila Radiq. Një poezi për krejt gjërat që gruaja nuk i ka bërë e as nuk ka aftësi t’i bëjë sipas patriarkatit. 

Aktorja Blerta Syla-Surroi ka interpretuar poezinë “Himn për mosbindje” të Ilire Zajmit si rrëfim për rebelim si dhe poezinë “Mos u dorëzo kurrë çika jem” nga Donika Dabishevci, si monolog i një nëne tek i drejtohet vajzës së saj duke i mësuar djallëzitë e jetës dhe tejkalimin e tyre. Ka mesazh në çdo varg. Në vazhdim kanë interpretuar edhe Ergjan Mehmeti, Sheqerije Buçaj, Bislim Muçaj e Anisa Ismaili.

Albulena Kryeziu-Bokshi ka sjellë në italisht poezinë “Le mura di Gerico antica” të poetes së shquar italiane Alda Merini, ndërsa Gili Hoxhaj ka interpretuar poezinë e saj “Pragu i pritjes” që flet për dhimbjen e një gruaje që jeton pa ditur për fatin e të dashurve të pagjetur.

Jonada Jashari ka interpretuar poezinë e saj të parë në dialektin gegë. Gjuhën e përdorur në poezinë “I mbyta krejt dashnitë e rreme” e ka konsideruar si përzierje të dialekteve të cilat i flet.

“Kjo është hera ime e parë në ‘Poezi për fuqi’ dhe ka qenë përvojë shumë e mirë sepse ka qenë shumë spontane. Shumë rastësisht ia dërgova Zanës poezitë. Asaj i kanë pëlqyer dhe ajo më ka ftuar të marr pjesë dhe t’i interpretoj vetë. Poezinë e kam shkruar gjatë kohës që jetoj këtu në Prishtinë. Ka qenë për mua mbase në atë kohë që e kam shkruar si shumë aktuale për ato që i flas, pasi kam lindur djalin i jam rikthyer punës dhe më është dukur pak sfiduese”, ka deklaruar Jashari.

Ajo i ka vlerësuar të bukura të gjitha poezitë e interpretuara të enjten mbrëma, por një prej tyre e ka veçuar.

“Pati poezi fantastike, shumë të bukura. Secila ka veçantinë e vet, mesazhin. Kam qenë e emocionuar nga pothuajse të gjitha prej tyre, sidomos poezia e Gilit për nënat që presin të pagjeturit. Është vështirë të flasësh për diçka pas asaj. Por secila poezi ka qenë shumë e veçantë”, ka shtuar Jashari.

Aktorët Alesia Xhemalaj, Shpëtim Kastrati e Xhejlane Tërbunja i kanë shtuar efektet dramatike interpretimit të tyre. Jo edhe poetja Vlora Ademi derisa ka sjellë poezinë e saj “Kështu ikin gratë”.

“Poezia është paksa paradoksale, provokative, siç edhe dëgjohet – ‘Kështu ikin gratë’. Në fakt nuk e di a ikin gratë në atë formë, por është një revoltë që shprehet nëpërmjet poezisë. Ndoshta edhe një formë edukimi që më mirë është të largohesh qetë, në paqe, sesa rrëmujshëm”, ka theksuar Ademi.

Gjithashtu ka theksuar fuqinë e poezisë për të dërguar mesazhe te publiku.

“E promovon edhe fuqia poezinë edhe poezia fuqinë. Kjo është anasjelltas, është e ndërlidhur. Poezitë e mia flasin për fuqinë, sidomos për fuqizimin e grave. Por flasin butë. Në formë të butë përcjellin një mesazh shumë të rëndësishëm e domethënës te lexuesit, sidomos te gratë”, ka shtuar Ademi.

Nën moton e sivjetme “Revoltë në kohë të vështirë”, “Poezi për fuqi” vjen çdo vit si mënyrë e përcjelljes së mesazheve që avokojnë fuqizimin e gruas nëpërmjet historive inspiruese të vetë grave.