Koncerti “Reverie” me Xhovana Markun në obo dhe Ardita Bufajn në piano ka harmonizuar ariet e operave të Giuseppe Verdit, por jo vetëm.
Pak ditë pas koncertit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë më 9 prill, dyshja ka sjellë të njëjtin repertor në Prishtinë. Ishte organizuar në shënim të ditëlindjes së kompozitorit Verdi.
“Potpuri për obo dhe piano” e ka titulluar dyshja programin e veprave. Të tilla edhe janë pjesë të ndryshme të shkëputura nga literatura e operat që janë kryevepra botërore nga njëri prej kompozitorëve më të shquar të kësaj forme të artit.
Muzika e arieve nga opera “Un ballo di maschera” ka qenë e para që është luajtur. Pika solo në piano “Reverie” e kompozitorit italian Alfredo Catalani është domethënëse. Prej kësaj pjese emërtohet edhe koncerti. Koreografi më vete ka qenë loja e kësaj pjese nga pianistja Ardita Bufaj.
“Lidhet me një titull të veprës së Alfredo Catalanit, kompozitor i njohur italian që ka dhënë kontribut në muzikën operistike. Por, pjesën që do ta interpretoj është në fakt pjesë solo për piano, të cilën kur e kam interpretuar për herë të parë kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme. Mendova se pse të mos i lëmë titull të koncertit pasi jam e bindur që në momentin që do ta interpretoj edhe publiku do të përjetojë të njëjtat emocione si unë”.
Mozaiku i arieve nga opera “Rigoletto” e Verdit ka qenë kapitulli i radhës. Harmonizimi i dyshes në tinguj që luhen njëkohësisht ka qenë njoftimi i publikut me botën e rrëfimit të veprës.
Një lloj kontrasti kanë qenë pjesët “La Traviata”. Harmonik është interpretimi i pianos ndërsa melankolik ai i obosë.
Oboistja Xhovana Marku ka thënë se për shkak të natyrës së tingullit të instrumentit, kompozitorët shpesh e kanë vënë atë në qendër të veprave të tyre.
“Kompozitorët gjithmonë në orkestër i kushtojnë një vëmendje të veçantë për t’i dhënë melodi shumë të ndiera. Përshtatjet që janë bërë në këto tri vepra janë bërë nga një flautist dhe një oboist në të njëjtin shekull me Giuseppe Verdin. Jam e bindur se nga buja që patën veprat ata kanë marrë frymëzim që të gjitha temat e këngëtarëve t’i përshtatin me obo dhe të kenë fatin të përjetojnë të gjithë emocionet që përjetojnë këngëtarët si personazh të veprave”.
Sipas saj, meloditë e karakterizojnë pjesën interpretuese të obosë. Bashkë me pianisten Ardita Bufaj janë pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë.
“Liebesleid” nga Fritz Kreisler është interpretuar nga fagotisti Meriton Ferizi dhe pianisti Melos Buza. Tingujt karakteristikë të fagotit i kanë dhënë ngjyrë melankolike pjesës ndërsa ritmin e ka mbajtur pianoja.
Meriton Ferizi, që është edhe zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, që e ka organizuar ngjarjen në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, ka thënë se koncerti ka ardhur si rrjedhojë e përshtatjes së repertorit me institucionin e Operës.
“Me iniciativën e dy artisteve të njohura që interpretojnë shpesh këtu dhe i kemi si të shtëpisë, kanë kërkuar që koncertin që e kanë mbajtur paraprakisht në Tiranë ta sjellin edhe në Prishtinë pasi lidhet me institucionin e Operës pasi që është repertor operistik. E kemi pranuar me kënaqësi, bashkë me Fakultetin e Arteve iu kemi përgjigjur pozitivisht”.
Dyshja e instrumentisteve ka në plan që me koncertin “Reverie” të rrugëtojë edhe nëpër disa qytete në Shqipëri.