EXPRESS

“Reporting House” si muze për 1998-1999

Dhjetëra fotografi statike e lëvizëse, bashkë me veprat e artit flasin për dhimbjen, sakrificën, humanizmin e qëndresën e fundshekullit të kaluar. Dokumentimi i vrasjeve vjen si artefakt historik në zemër të Prishtinës, në atë që dikur ishte shtëpia e mallrave “Gërmia”. Muze më vete është ekspozita “Reporting House” sa i përket përmbajtjes që shpalos.

Imazhet nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë janë përherë rrëqethëse. Nuk ka censurë aty, pasi i pacensuruar ishte përjetimi i tmerrshëm i secilit shqiptar. Fotografi e filmime nga masakrat, ballafaqimi me lajmet e kobshme, dhimbjet e humbjes, largimin me dhunë nga vendi janë veç një pjesë e rrëfimit. Me krejt këto dhe jo vetëm, publiku është njoftuar nëpërmjet punës së gazetarëve, kameramanëve e fotografëve si punonjës të mediave.

Po mediat e kanë sjellë kontributin e dikurshëm duke e dëshmuar atë si mjet të fuqishëm në zbulimin e së vërtetës. Këtë e ka pohuar fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka raportuar nga vatrat e luftërave. Edhe nga ajo në Kosovë.

“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas luftës kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”.

Pos në shtëpinë e mallrave “Gërmia”, ekspozita “Reporting House” do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës dhe në galerinë “Paper”.

Kuruar nga Jeta Xharra dhe Gazmend Ejupi, ajo shpalos kohën kur reporterët ishin luftëtarët e së vërtetës. Aty janë fotografitë, incizime e dokumentarë nga Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe e shumë të tjerë.

Si pjesë e ekspozitës janë prezantuar rreth 150 storie televizive të rrjeteve televizive botërore.

Gazmend Ejupi, i cili e ka kuruar ekspozitën bashkë me Jeta Xharrën, ka thënë se ideja ka qenë t’u ofrohet të rinjve platforma për të mësuar të kaluarën.

“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e çlirimit. Ideja është të japim një platformë për të rinjtë që të dinë një histori të së kaluarës. Pos reportazhit, pasi ideja ka qenë të jetë e lidhur me gazetarinë, kemi filluar gjithashtu të diskutojmë për të ftuar artistë të tjerë që kanë punë me mediumin e videos, por që kanë referencë për luftë emigrimin”.

“Reporting House” ka ngjallur emocione e kujtime tek vizitorët e kësaj ekspozite. Profesoresha universitare Remzie Shahini-Hoxhaj ka kujtuar rezistencën studentore gjatë viteve ’90. Pamjet nga protestat masive e kanë kthyer në aktivizëm për pavarësimin e institucioneve arsimore.

“Këto pamje ngjallin emocion, tregojnë një histori shumë të trishtë, një histori të re të Kosovës. Është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë të organizohet kjo ekspozitë, sepse të rinjtë tanë duhet të dinë se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë. Nëpërmjet saj kemi arritur deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj se shumë shpejt harrojmë nëse nuk i ripërtërijmë këto ngjarje”.

Fotografi Burim Myftiu e ka konsideruar ekspozitën si prej më të bukurave të hapura gjatë një çerekshekulli.

“Është një paraqitje e mrekullueshme dhe një prej ekspozitave më të bukura të pasluftës. Është një përmbledhje e mrekullueshme, por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare ‘Gërmia’, shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e gjithkujt që ky objekt të rifunksionalizohet e aq më mirë si galeri arti”.

Ekspozita përkon me 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Është punuar nga shtëpitë mediale “BIRN Kosova”, “KALLXO.com”, “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery”, dhe do të jetë e hapur deri në javën e dytë të muajit shtator.