EXPRESS

“ReMusica” hapet me yllin operistik e korin e artë

Javën e kaluar qe yll operistik i Vjenës në “La Bohème”. E të martën mbrëma, Elbenita Kajtazi solli pak nga magjia e skenave botërore në Prishtinë. Është artistja që hapi edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “Remusica” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Me sallën plot, Kajtazi ka bërë që të pranishmit të përjetojnë pak nga atmosfera e interpretimi që përjeton publiku i operave botërore.

E përcjellë në piano nga Elda Laoro, Kajtazi ka interpretuar disa prej arieve më të njohura të operave të Puccinit, Tchaikovkit e të Charles Gounod. Ka befasuar publikun duke interpretuar edhe arien e Mimit, rol ky që javën e kaluar e ka luajtur në Operën Shtetërore të Vjenës në skenë bashkë me tenorin e njohur shqiptar Saimir Pirgu.

Koncerti i parë i “ReMusicas” për sivjet është hapur me yllin operistik e mbrëmja ka vazhduar me korin “Siparantum” që në fund të muajit të kaluar doli i artë në garën e 50 koreve në Spanjë.

Formacioni koral, i njohur edhe në botë, ka sjellë program të cilin e ka interpretuar në disa vende Evropiane e përtej këtij kontinenti.

“Media vita” e Michael McGlyn e “Fire” e Katerina Gimon qenë midis veprave të interpretuara. Në Atelienë e Pallatit të Rinisë kanë interpretuar edhe veprën e Baki Jasharit “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr”. “Siparantum” me vokalin e tij e bashkë me dramacitetin që u jep veprave nëpërmjet lëvizjeve koreografike, ka bërë që publiku të shohë interpretimin e korit që së fundmi në Spanjë ka marrë çmim special për program kontemporan e interpretim në skenë.

Jashari për interpretimin e veprës së tij ka thënë se është version bashkëkohorë që i shkon për shtati formatit të korit “Siparantum”.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka thënë se interpretimet para publikut vendor kanë tjetër domethënie.

Organizatorët e “ReMusica” hapjen e Festivalit e kanë përshkruar si ngjarje më vete.

“ReMusica” sivjet bashkon emra të mëdhenj të muzikës klasike nga vendi e bota duke zhvilluar program shumë të ngjeshur deri në ditën e tetë të këtij muaji.