Me veprimtarinë e tij, kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi është si një prej personaliteteve më të spikatura në skenën muzikore të vendit. Ka shënuar historinë e saj me kontributin në literaturën muzikore të kohës së tij, por edhe në zbulimin, restaurimin e adaptimin e literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë.
Si kurorëzim i 75-vjetorit të maestros, festa për të nuk do të ishte më adekuate sesa prezantimi i opusit të tij. Një grimë e veprave që ka shkruar janë interpretuar të shtunën mbrëma nga emra të shquar të skenës së muzikës vendore, në natën e fundit të Festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.
Sfida më e madhe e organizatorëve e interpretuesve është hapësira ku koncertet mbahet. Atelieja e hapur në të tri anët e saj sipër sallës nuk është aspak e përshtatshme për koncerte të kësaj natyre që kërkojnë disiplinë e përqendrim absolut. Dhe këto janë introt e secilit koncert.
Në një sallë të tillë e rrethana të ngjashme u mbajt edhe koncerti i radhës në kryeqytet, ai që nderon jetën dhe veprën e akademikut Rafet Rudi. Pikërisht salla koncertale është një lloj pengu e revoltë e tij në këtë kohë kur muzika klasike në vend po shënon kulmin e saj.
Në koncertin e fundit të “Remusicas” që ka qenë autorial i profesorit Rudi, veprat kanë kulmuar duke e vënë në qendër mjeshtërinë kompozicionale e kreativitetin e tij.
“Impresione” për flaut dhe piano nga Zana Abazi dhe Andi Duraku ka qenë ajo që ka nisur rrugëtimin nëpër opusin muzikor të kompozitorit Rudi.
“Fantasia in Si” është sjellë nga violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe pianistja Lirika Pula. Janë tinguj seriozë dhe që e shprehin virtuozitetin si të shprehur në tinguj, ashtu edhe në paraqitjen e solistit, në këtë rast të Badivukut për të cilën edhe është shkruar vepra.
“Fantasia in Si, është një vepër që profesori ma ka dedikuar mua, domethënë nota Si, kur kam qenë qysh studente në Moskë, rreth vitit 1985 apo 1986 e ka shkruar. Pastaj për herë të parë nuk e kam ekzekutuar unë, por profesori i mirënjohur Sergei Kravchenko që ka qenë po ashtu profesor në konservatorin ‘Tchaikovsky’ që është një emër eminent. Mua pastaj m’u dha rasti ta interpretoj në një edicion të ‘Kosova KamerFest’, ndoshta në edicionin e gjashtë, por ka qenë viti 2006, me pianisten me prejardhje malazeze Maya Kastratoviq”.
Pianistja Lirika Pula ka thënë se pjesa për piano jep mundësi shprehëse për nga ana teknike e muzikore.
“Kompozitori Rafet Rudi ka bashkëlidhur partiturën për piano dhe violinë, aq më tepër që vepra ka qenë e kompozuar për profesoreshën me ide shumë të qarta. Por mendoj se parti pianistik është mbështetës i fortë e partit solistik të violinës. Aq më tepër që i ka dhënë disa momente solistike ku pianisti mund të shprehet shumë teknikisht dhe muzikalisht”.
Treshja e kitaristëve Petrit Çeku, Tringa Sadiku dhe Diar Aliu kanë sjellë ritmet e muzikës tradicionale shqiptare me “Three albanian songs”.
Kitaristi virtuoz Çeku ka qenë edhe solist me Korin e Filharmonisë së Kosovës të drejtuar nga dirigjenti brazilian Marcio Da Silva. Elonë Sadiku e Etrit Nura e kanë pasuruar më tej vokalin me pika solistike.
Korit i janë bashkuar perkusionistët Patris Berisha, Meriton Zajmi e Kenan Bytyqi, dy pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu dhe sopranot Adelina Paloja e Kaltrina Miftari. Qysh në prezantimin e formacionit, duket tejet atraktive, e pasur dhe e veçantë. Kreative po se po. E mjeshtëria e Rudit dëshmohet në çdo notë të instrumenteve e vokal të Korit e solisteve.
Autori i krejt veprave të interpretuara, Rafet Rudi, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve, ka thënë se solistët janë prej emrave të shquar të skenës muzikore në vend.
“Isha shumë i lumtur, pati emra të mëdhenj të muzikës sonë duke filluar prej Diarit e Tringës e deri tek emra shumë të rëndësishëm të muzikës sonë si Sihana Badivuku e Petrit Çeku. Natyrisht nuk ka se si të mos jetë njeriu i lumtur kur një ekip i tillë i realizon veprat. Jam falënderues edhe për Filharmoninë që mori pjesë, por ishte paksa befasi për mua vullneti i të gjithëve për të marrë pjesë në këtë koncert kushtuar 75-vjetorit tim”.
Para koncertit autorial të Rudit, mexosopranoja Flaka Goranci dhe kitaristja Tringa Sadiku kanë sjellë repertor të larmishëm klasik. “Meloditë e zemrës” është titulluar koncerti.
Dyshja e ka nisur interpretimin me këngën shqiptare “Dashnor tu bana”. Sadiku nis të luaj tinguj të lehtë të këngës e qetas i ofrohet Goranci që me zërin e saj të bukur nis të zbërthejë vargjet e këngës si vepër e aranzhuar nga Rudi për kitarë e solokëngëtar.
Më pas kanë sjellë katër nga tetë këngët “Siete Canciones populares espagnolas” të kompozitorit spanjoll Manuel de Falla. “Gracias a la vida” e kompozitores kiliane Violeta Parra ka qenë thellësisht emocionale. Goranci ka treguar se kompozitorja e kishte shkruar këngën pak kohë para se të vdiste, më 1967.
Nën moton “Togetherness”, festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” nga 5 deri më 8 nëntor e ka shpalosur programin e edicionit të 23-të me të cilin e ka festuar muzikën dhe shumëllojshmërinë e saj.
“ReMusica” për katër ditë ka sjellë magjinë muzikore botërore, solistë të shquar që bashkë me vete kanë zbërthyer tinguj e vargje të repertorit vendor e botëror. Deri në edicionin e radhës, publikun e ka lënë me shijen e duhur muzikore.