EXPRESS

“Provinca” në Mitrovicë godet politikën që e vonoi me fushatë

Shfaqja “Provinca” me tekst e regji të Ard Islamit, e zhvesh politikën, përkon me realitetin. Tubimet e fushatës në objektin teatror e vonuan premierën edhe në realitet. Në shfaqjen e teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë komedia satirizon politikën e me të është përuruar edhe salla e rinovuar

“Provinca” shënon jo vetëm shfaqjen e parë për këtë vit të teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, por edhe “prerjen e shiritit” të sallës së rinovuar. Me autor dhe regjisor Ard Islamin, shfaqja komedi satirizon politikën e zbulon prapaskenat e punës së një shfaqjeje teatri. Hipokrizia e paradokset e pushtetit vijnë në skenë teatri si reflektim mbi gjendjen e shoqërisë. Aty ka përplot mesazhe, e mesazhi për publikun është misioni i teatrit.

Në ambientet e sallës së teatrit, në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” në qytetin verior të Kosovës, mbrëmja e së enjtes ka qenë e rezervuar për shfaqje. Pra, për destinimin që ka salla, pas plot fushata partish të cilave u ka bërë nikoqirllëk.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të teatrit “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, këto organizime e kanë vonuar premierën.

“Kjo është shfaqja e parë për vitin 2025, për arsye se gjatë vitit të kaluar teatror ka qenë në renovim dhe renovimi ka përfunduar në dhjetor. Kjo shfaqje ka përfunduar para muajit dhjetor dhe kemi qenë duke u përgatitur me disa vonesa, për shkak të angazhimeve politike në sallë. Kjo na ka çuar në vonesë të kësaj shfaqjeje”, thekson Sheremeti.

Kryepersonazhi është, siç deklarohet ai, aktor, regjisor, punëtor teknik, ndriçues, drejtor teatri dhe jo vetëm. Ai e ka uzurpuar institucionin duke qenë në krye të tij për plot 20 vjet.

Në një bisedë me një regjisor, drejtori i teatrit, rol që e luan Butrint Lumi, i kërkon një regjisori të punojë një shfaqje për teatrin. Kusht është që ajo të përfundojë brenda shtatë ditësh. Pra, premiera gjithsesi të jetë dy ditë para fushatës. Gjithsesi shfaqja duhet të dërgojë mesazhe tek audienca për të ndikuar në vendimet e publikut te partia që atë e mban në detyrë drejtorin.

Në shfaqjen “Provinca”, trupa e teatrit të Babaincës është amatore. Ata nuk janë fare aktorë në fakt, siç i portretizon Ard Islami. Skena vandalizohet përherë.

Dy aktore shfaqen në skenë: Igballja, që e luan aktorja Blerina Veseli dhe Eminja, që e luan Venera Bojaj. Janë vajza rebele, të lazdruara.

Aktorja Veseli ka thënë se në shfaqje ka vërtet momente që ato i përjetojnë prapaskenat e një shfaqjeje.

“Ka dalë pak a shumë në pah realiteti ynë në vend, për fat të keq. Sa i përket rolit tim, kam kaluar mirë, jam munduar ta bëj një rol ku nuk është se kam marrë për bazë ndonjë prej kolegeve të mia personalisht ose të teatrove të vendit, por jemi munduar që t’i bëjmë në një formë si karikatura. Gjithmonë teatri kërkon një emocion më të madh sesa filmi”, deklaron Veseli.

Derisa vijon rrëfimi, publiku gjurmon nëpër pushtetin totalitar të drejtorit të teatrit mbi teatrin. Ai kontrollon përmbajtjet që japin shfaqjet derisa regjisori, rol që e luan aktori Agan Asllani, synon të sjellë një frymë të re. Kjo nuk depërton assesi.

Regjisori i pranon krejt kushtet për shfaqjen në këmbim të një pagese të mirë për të. Madje edhe një punëtor teknik, rol që e luan Fatmir Haliti, bëhet aktor në mungesë të aktorëve. 

Problemet janë që në lexim skenik. Që aty nisin telashet. Dini, i biri i drejtorit – rol që e luan aktori Fisnik Ademi – është kulmi që e bën regjisorin të heqë dorë nga projekti, e madje të kthejë shumën e parave edhe përtej asaj që ka marrë.

Aktori Ademi ka thënë se shfaqje flet midis tjerash edhe për respektin ndaj teatrit.

“Ky tekst të cilin e ka shkruar Ard Islami dhe e ka bërë regjinë po ashtu, tregon për një realitet të hidhur që mund ta gjesh nëpër vendin tonë ku teatri si teatër, nuk është se respektohet shumë. Më shumë e kemi sa për ta pasur. Po flas në kuptimin sa investohet dhe sa respektohet në komplet shoqërinë tonë. Personazhet që i keni parë janë disa stereotipa të cilët kemi dashur t’i krijojmë për të qenë sa më komike dhe që secili të tregojë diçka. Tregon një realitet ku ne si shoqëri jemi përballur nëpër vite të ndryshme në punët që kemi pasur dhe Ardi i ka pasqyruar shumë mirë këto rrethana të cilat janë dhënë në shfaqje”, thekson Ademi.

Është bërë e ditur se trupa e teatrit veçse është duke punuar në një tjetër shfaqje nën regji të Ilir Bokshit, dhe e cila pritet ta ketë premierën në fund të këtij muaji.

Financimi i teatrove të qyteteve mbetet sfidues, e ai i qytetit të Mitrovicës programin e tij sivjet synon ta realizojë me buxhet prej rreth 50 mijë eurosh.