EXPRESS

Promovohet libri me kujtimet e të deportuarve në Maqedoni

Përderisa treni në kompleksin memorial “Bllaca 1999” qëndron si simbolikë e derportimit të qindra mijëra shqiptarëve drejt Maqedonisë më 1999, rrëfimet e asaj rruge kanë munguar. Të mërkurën, në ditët kur shënohet përvjetori i 25-të i valëve të refugjatëve shqiptarë të Kosovës, është promovuar libri “Bllaca ’99 – Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe”.

Organizuar nga Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta, në ceremoninë e mbajtur buzë kufirit është promovuar botimi me dhjetëra rrëfime për ditët e fundmarsit e fillimprillit 1999. Qytetarë të profesioneve të ndryshme, gazetarë e diplomatë kanë shkruar për ditët kur forcat e NATO-s bombardonin caqet serbe përderisa shqiptarët depërtoheshin në masë nga regjimi i Serbisë.  

Të pranishmit pranë memorialit të Qendrës Përkujtimore kanë thënë se e kaluara duhet të dokumentohet.

Deputeti Besnik Tahiri ka thënë se u takon historianëve e akademikëve që të shkruajnë atë që ka ndodhur.

Sipas kryetarit të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, Qendra Përkujtimore tashmë është adresë ndërkombëtare.

Ndërsa për historianin Hakif Bajrami, shqiptarët duhet të punojnë për të ardhmen, por duhet kujtuar edhe e kaluara.

Në prill të vitit 2021, në këtë qendër është promovuar Muri i Kujtesës. Nëpërmjet një vendimi të vitit 2019 ishin ndarë 100 mijë euro për fazën fillestare për themelimin e qendrës. Mjetet asokohe ishin ndarë nga rezervat e shtetit.