EXPRESS

“Prishtina Jazz Orchestra” në rrëfimin origjinal që frymon shqip

Skena muzikore e Prishtinës është e pasur me ngjarje kulturore, veçmas me festivale që përqendrohen në zhanre të veçanta e shënjestrojnë instrumente të veçanta. Për jazzin, frymë unike është “Prishtina Jazz Festival”.

Sivjet ngjyrat e tij i ilustrojnë emra të shquar të muzikës. Prijatar i edicionit të 12-të ka qenë koncerti nga “Prishtina Jazz Orchestra” e repertori me vepra origjinale të vetë interpretuesve. Folklori është njëra prej frymëve që shkrihet në muzikën jazz, e muzika shqiptare është bërë një me të.

Të enjten mbrëma në teatrin “Oda” ka nisur rrugëtimi i sivjetmë nëpër ritmet e muzikës jazz. Aty zhvillohet krejt programi.

Veprat në përgjithësi janë moderne e më së miri shprehen me përfshirjen e violinës dhe instrumentit të muzikës elektronike.

Kitaristi Armend Xhaferi ka thënë se në përgjithësi, veprat origjinale bëjnë bashkë jazzin me folklor shqiptar.

“Është jazz i kombinuar me folklor tonin. Atë që ne si fëmijë e kemi dëgjuar nëpër dasma, nëpër filma, jazzin që e kemi mësuar në shkollë, krejt këto i kemi bashkuar. Veprat tona nuk janë të ngjashme, por prapë nuk mund t’i vendosësh bashkë. Në total janë shumë të përafërta dhe po flenë shumë mirë në koncept të bendit, të repertorit. Është hera e parë që po e bëjmë këtë gjë bashkë dhe shpresoj të mos jetë e fundit”.

Orkestra e Prishtina Jazzit ka bashkuar Xhaferin, Raynald Colomin, Daniel Nosigun, Dukagjin Muhaxherin, Jure Puklin, John Cushingun, Philip Yaegerin, Visar Kuçin, Ilir Bajrin, Liburn Jupollin, Taulant Mehmetin, Driton Bejtën, Enver Muhamedin, Nesim Maxhunin, Enes Beun dhe Sam Levin.

Xhaferi që është edhe drejtor i “Prishtina Jazz Festival” ka thënë se këta emra janë prej muzikantëve më të mirë në vend e më gjerë. 

Veprat që kanë luajtur kanë për autorë Taulant Mehmetin, Visar Kuçin, Liburn Jupollin e Armend Xhaferin.

Veprat “Lanugo” dhe “Albinox” të Visar Kuçit kanë qenë me ritme “sëing” siç ka ngjarë me të parën e me ato tradicionale, në të dytën.  Tingujt e pianos në këtë të fundit janë më të theksuar dhe këtu e shpreh tamam rolin e saj në muzikën jazz. Frymorët kanë lloj ngjyrash tradicionale. Ato konfirmohen me lojë më të gjatë që vjen si version i plotë i asaj që paraprakisht paralajmërohet.

Autori i veprave, violinisti Visar Kuçi, ka thënë se veprat kanë qenë me motive të muzikës etno.

“Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale të kompozuara prej Armend Xhaferit, Taulant Mehmetit dhe dy kompozime të miat. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare, ballkanike. Madje në një moment e kam cituar një temë që është shumë e njohur popullore. Tjetra ka qenë një parodi e ‘jazz sëings’, sepse sonte nuk kemi pasur ‘sëings’. Krejt ka qenë jazz me motive më shumë të muzikës etno”.

Koncerti ka nisur me rreth gjysmë ore vonesë. I vonshëm ka qenë kryeministri Albin Kurti. Kohëve të fundit skena e ngjarjeve kulturore është bërë edhe skenë për fushatë politike, andaj kryeministri para të pranishmëve ka thënë se do të vazhdojnë përkrahjen për festivalin. E rëndësinë e jazzit e ka përkufizuar edhe me improvizimin.

“Në këto edicione të Jazz Festit duhet të theksojmë një aspekt të rëndësishëm: se pse bëjmë muzikë dhe çfarë e bën improvizimin kaq të vlefshëm. Improvizimi jazz na bën të mësojmë të mos jemi shumë të rehatshëm, apo të provojmë të jemi të rehatshëm me mosrehatinë, sepse rehatia na largon prej dëgjimit të vërtetë. Dëgjimi është çelësi i çdo bashkëpunimi të shëndetshëm, si në muzikë, ashtu edhe në politikë. Pjesëmarrja e ‘Prishtina Jazz Orchestra’ në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së jazzit si për kulturën, ashtu edhe për shoqërinë tonë”.

Aktori Alban Ukaj e ka hapur Festivalin. Në skenë ka kujtuar kur herën e parë kishte shkuar në Sarajevë bashkë me Armend Xhaferin. Prej atij rrugëtimi kujton qetësinë e Xhaferit duke e lidhur edhe me muzikën e tij.

“Më kujtohet që ajo rrugë kah Mali i Zi ka qenë diku rreth 18 orë dhe ato maltretimet që i kemi pasur nëpër kufij, ku gjithmonë neve shqiptarëve na nxirrnin nga autobusët. Por Xhafa nuk e kishte problem. Sa herë kthehej në autobus, e zinte prapë gjumi. I thosha se si po mund të flejë dhe thoshte se bëhesh nervoz, por pas një momenti fle. Ashtu është edhe muzika e Xhafës. Duhet të jesh i gjallë në mendime, në dëshira, në aspektin spiritual për të bërë diçka të tillë. Unë kam pasur fatin dhe dëshirën që gjatë gjithë kohës jam shoqëruar me muzicientë, më pak me aktorë”.

Vjet “Prishtina Jazz Festival” u rikthye për ta vazhduar rrugëtimin që e kishte ndërprerë në vitin 2014. U mbajt për dhjetë edicione prej vitit 2005, themeluar e organizuar nga Ilir Bajri.