EXPRESS

Prishtina e fragmentuar dhe paradoksale “Përtej titullit”

Tabuja është armiku kryesor i artistit Orhan Kurtolli në pikturat e tij. E lufton atë duke e ballafaquar me realitetin, i cili shpesh krijon dikotomi. I zhvesh subjektet e tij në figurë, si një ftesë e thyerjes së koncepteve kulturore e bashkë me to zhvesh dhe botëkuptimet me të cilat identiteti i tij i lirë artistik nuk pajtohet. Në ekspozitën personale “Përtej titullit”, të premten mbrëma në galerinë “Hani i 2 Robertëve”, artisti qëmton copëzat që e ndërtojnë Prishtinën, e cila në pikturat e tij duket se debaton vazhdimisht me identitetin e saj të dikurshëm, asaj të fëmijërisë së autorit.

Në rreth njëzet vepra, të cilat përbëjnë një periudhë të konsiderueshme të veprimtarisë së Kurtollit, ai luan edhe me ironinë. Me penel ndërton shfaqje teatrale në kanavacë, të cilat shërbejnë si depërtim nëpër poret e jetesës urbane që rëndom është e dendur me banalitet. Rrjedhimisht interpretimi i tyre sipas këndvështrimit të shikuesit është hapi i fundit drejt jetësimit të veprës, pasi që u ngelet atyre që t’i observojnë ato varësisht nga impulsi personal. Kurtolli është stomatolog me profesion, në art kaherë ka krijuar identitetin e tij artistik. Kjo ekspozitë është kuruar nga Skhkëlzen Maliqi.

Në dy hapësirat e galerisë shtrihen pikturat e ndryshme, të cilat ndërtojnë një tregim që dëshmon fatet e kryeqytetit duke filluar nga historia, e cila rrjedh nga kujtimet personale të artistit, pastaj aty vërehet që Kurtolli merret shumë edhe me komplekset njerëzore, në to vend i bën dhe ndërtimit të egër në kryeqytet, i cili tashmë është shndërruar në detaj identifikues. 

Artisti Veton Gusia, i pranishëm në vernisazhin e ekspozitës, veprën e Kurtollit e quan si veprimtari e cila fton në reflektim dhe mund të nxisë diskutime. 

Procesi i tij i punës karakterizohet nga tërheqja e tempit dinamik duke u strukur në hapësira që e lejojnë atë të përpunojë ngjarjet e përditshmërisë, e si i tillë për të arritur deri te ky cikël i është dashur plot një dekadë. 

“Hapësirat ku personazhet e mia ndodhen janë shumë domethënëse. Shpesh janë vende në formë imagjinare nëpër hapësira, nëpër galeri, nëpër labirinte, në vendkalime. Por është pjesë e ambientit ku njeriu vetë jeton dhe ai shpesh pa dashje ndodhet në disa labirinte, po them kështu kushtimisht. Prandaj mundohem t’i fragmentoj disa momente në formë sureale. Nganjëherë njerëzit vijnë deri në nivel të karikaturës me qëllim, për të treguar një lloj pakënaqësie dhe s’e meritojmë më shumë, hapësira më të mira”.

Karakterin e Kurtollit e ka vlerësuar të veçantë Bardhyl Bejtullahu, profesor universitar i grafikës, teksa sodiste me kërshëri pikturat e Kurtollit. Sipas tij, kjo veprimtari përçon identitet unik artistik. 

“E vlerësoj shumë si artist. Është një artist shumë i veçantë që kur i kam parë pikturat e tij për herë të parë vërtet jam mahnitur. E ka një stil shumë unik, është shumë i veçantë dhe çdo tablo e tij është një histori më vete, një copëz e historisë së tij, jetës, familjes, Prishtinës, rrethanat në të cilat ka jetuar. Është shumë unik, shumë i veçantë”.

I lindur në vitin 1952 në Prishtinë, ku jeton dhe punon, Orhan Kurtolli ka diplomuar në Degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe që nga shkolla e mesme është interesuar për art dhe veprimtari artistike. Veprat e tij janë prezantuar në ekspozita të shumta grupore si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Sipas biografisë, gjithashtu ka marrë pjesë në dy nga edicionet e ekspozitës ndërkombëtare të çmimit ndërkombëtar të artit “Muslim Mulliqi” më 2010 dhe 2012.