EXPRESS

“Prapa mureve...” brenda familjes shqiptare para 50 vjetësh

Për studimin e saj antropologia norvegjeze, Berit Backer, do të ndalej në Isniq të Deçanit. Do të fokusohej në formimin dhe evolucionin e strukturave familjare në këtë zonë e do të shkruante në bazë të punës së kryer në terren nga autorja. Ishte viti 1975. Gjysmëshekulli pas, vepra vjen e botuar e plotë në shqip. “Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës” është cilësuar si vepër ikonike për Kosovën dhe shqiptarët

Gjysmë shekulli më parë antropologia norvegjeze, Berit Backer, do të ndiqte organizimin e familjes te shqiptarët. Jeta familjare e farefisnore shqiptare, çështjet kanunore e tradita do të ishin temat që do ta tërhiqnin, por edhe ritualet. Krejt këto si objekt studimi përmblidhen në librin “Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës”. Në promovimin e botimit në shqip, të enjten pasdite, është vlerësuar si vepër ikonike për Kosovën dhe si më i plotësuari midis botimeve antropologjike.

Për studimin e saj Backer u ndal në fshatin Isniq të Deçanit. Do të fokusohej në formimin dhe evolucionin e strukturave familjare në këtë zonë e do të shkruante në bazë të punës së kryer në terren nga autorja. Ishte viti 1975.

Botuesi e antropologu, Arsim Canolli, në fjalën e tij në promovim, ka thënë se ish-Jugosllavia e atëhershme qe interesante për t’u hulumtuar nga antropologët e huaj.

“Jugosllavia e atëhershme, ajo komuniste, ishte interesante për antropologët e huaj, sepse ishte një vend i painkuadruar, midis Lindjes dhe Perëndimit. Ishte po ashtu një vend që kishte një sistem specifik socialist, ajo që njihet si vetëqeverisje, po ashtu edhe njëfarë diversiteti etnik goxha të madh, kështu që edhe transformimet rurale që kanë ndodhur në Jugosllavinë e atëhershme, por edhe në Kosovë, kanë qenë po ashtu njëfarë teme shumë e rëndësishme për antropologët, sepse është parë mënyra se si nga një jetë krejt rurale ka filluar një industrializim specifik modernist brenda Jugosllavisë”, tha Canolli. 

Libri “Prapa mureve të gurit” vjen i plotë në bibliotekën e lexuesit në Kosovë në shqip nga botimet “Cuneus“, pasi në anglisht ishte publikuar e botuar me dy kapituj mungesë. Kështu ka bërë të ditur antropologu Tahir Latifi, i cili është edhe redaktor i librit të përkthyer në shqip.

“Lexuesi tash për herë të parë do t’i ketë dy kapituj që s’kanë qenë në versionin anglisht, pasi kam biseduar edhe me Robert Elsie dhe ka konsideruar se ka çështje shumë private, pasi i bëhet analizë strukturës së familjes, gjendjes ekonomike dhe i kanë shmangur ata dy kapituj, pra të pestin dhe të gjashtin. Ne bashkë me vajzën e saj jemi marrë vesh dhe kemi biseduar me Arsimin që në versionin shqip do ta kemi të plotë dhe fokusi do të jetë në tezën e saj origjinale të paredaktuar”, tha Latifi. 

Libri në shqip u përkthye nga Enes Lekiqi dhe ilustrohet me fotografi të përzgjedhura nga Ann Christine Eek. Versioni origjinal “Prapa mureve të gurit” është botuar në vitin 2003 dhe më 2015.

“Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës” është vlerësuar si vepër ikonë dhe referencë e rëndësishme studimore.