EXPRESS

Portretet e Lidhjes së dytë të Prizrenit si jehonë e idealit

Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në qytetin e vjetër, është hapur ekspozita me fotografitë e 80 veprimtarëve të kësaj ngjarjeje historike. Autorët e ekspozitës kanë vënë në pah rëndësinë e angazhimit të këtyre atdhedashësve për çlirimin e viseve shqiptare, përkatësisht sendërtimin e bashkimit kombëtar. Sipas tyre, 80 vjet më parë i gjithë qyteti ishte ngritur në këmbë për t’i pritur delegatët nga të gjitha viset, që u angazhuan për vazhdimin e aspiratave të Lidhjes së Prizrenit. Krahas fotografive në ekspozitë vend i rëndësishëm u është dhënë edhe artikujve të asaj kohe, përmes të cilëve shpaloseshin veprimtaria dhe programi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Hulumtuesi Nexhat Çoçaj ka përkujtuar se veprimtaria e këtij brezi të atdhetarëve ka frymëzuar gjenerata të tëra për t’u angazhuar për lirinë e Kosovës, e që, sipas tij, ka kulmuar me luftën e UÇK-së.

“Pas një pune disamujore, të anëtarëve dhe Këshillit Organizativ të kësaj ekspozite, sot me rastin e 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kemi arritur që me fotografi ti paraqesim në këtë ekspozitë 80 veprimtarë nga e gjithë hapësira e tokave të liruara, përfshirë këtu Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Pazarin e Ri, dhe të gjitha viset të cilat nuk patën fatin që të jenë me Shqipërinë administrative”.

Historiani dhe njëri prej autorëve të kësaj ekspozite, Parim Kosova, ka shprehur qëndrimin se për herë të parë është punuar një ekspozitë për këtë ngjarje madhore të historisë kombëtare që, sipas tij, ka qenë një temë tabu për afër gjysmëshekulli nën administrimin jugosllav.

“Ekspozitë e punuar me plot përkushtim e profesionalizëm që përmban fotografitë ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilët nuk kursyen asgjë që Kosova me tokat e liruara të mbesin në kuadër të mëmës Shqipëri. Në ekspozitë janë paraqitur edhe artikujt e shtypit të kohës që botoheshin në Tiranë dhe në disa qendra tjera të hapësirës shqiptare” .

Sipas tij, sjellja në kujtesë e veprimtarisë së këtyre patriotëve është obligim ndaj gjeneratave të reja.

“Ne kujtojmë me pietet edhe sot kontributin e këtyre atdhedashësve e dëshmorëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit që nuk kursyen asgjë, madje as jetën e tyre, vetëm që të realizohet programi kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i vitit 1878, e cila u shoqërua edhe me një mbështetje të madhe popullore”.

Në hapje të ekspozitës, në Qendrën Evropa, të pranishëm kanë qenë edhe familjarët e veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Porosia e tyre ka qenë që ideali për bashkim kombëtar të mos harrohet.

“Ende jemi larg nga realizimi i idealeve të këtyre brezave. Prandaj është mirë që edhe tani e tutje ta kemi parasysh dhe të angazhohemi që atë ideal të përpiqemi ta realizojmë ashtu sic e kanë ëndërruar dhe projektuar edhe ata”.

Realizimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe i konferencës shkencore dedikuar Lidhjes së Dytë të Prizrenit, është mundësuar falë përkrahjes së Komunës së Prizrenit. Drejtori për Kulturë, Adem Morina, ka vlerësuar se këto aktivitete sjellin në vëmendje veprimtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si ngjarje që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare.

“Ne si institucione nuk kemi se si mos t’i përkrahim ngjarjet e tilla, sepse ngjarjet e tilla historike na kanë mundësuar që përmes intelektualëve të shquar, përmes veprimtarëve që ne ta gëzojmë këtë ditë që jemi këtu, dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit ka qenë njëra prej lidhjeve më të rëndësishme të kombit tonë, që ka qenë edhe pararendëse e UÇK-së”

Tetë dekada më parë, në datat 16 deri më 20 shtator, ishte mbajtur mbledhja e Kuvendit në Prizren, ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Lidhja e Dytë e Prizrenit në shtator të vitit 1943 u themelua në ndërtesën e sotme të shkollës "Lidhja e Prizrenit".