EXPRESS

“Polip” si fole kreative nëpër rrugën e kujtesës

Në ditën e fundit të edicionit të kaluar të “Polipit”, njëra prej temave kishte qenë e ardhmja e Festivalit. Edhe në hapje ishte paralajmëruar se edicioni i radhës do të ishte i fundit i formatit me të cilin ishte zhvilluar në 13 edicionet e kaluara.

Në të 14-in, prej epitetit si festival ndërkombëtar i letërsisë, i plotë është prezantuar si “Polip – Prishtina International Creative Hub”.

“Rruga e kujtesës” ka qenë tema e sivjetme e cila ka kujtuar themelet e festivalit dhe ka reflektuar në transformimin e tanishëm që, sipas organizatorëve, edicioni ka qenë fazë testimi.

Dramaturgu Jeton Neziraj, udhëheqës i “Qendrës Multimedia”, i cili bashkë me shkrimtarin serb, Sasha Iliq, janë themelues të “Polipit”, ka thënë se gjithçka kishte nisur me diskutimin për sfidat e Festivalit dhe mënyrën se si komunikon me audiencën dhe me formatin.

“Morëm ide vërtet të vlefshme, sugjerime, komente të cilat na kanë ndihmuar për ta rimenduar festivalin për ta kthyer në një format të tillë që shënon edicionin e parë praktikisht, por që nuk është edicion final i formatizuar, pasi e kemi si test të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojmë. Fakti që festivalin e kemi hapur me vlera artistike, nuk është më poezia zemra e festivalit, por e kemi kombinuar me aktivitete teatrore”.

Në teatrin “Oda”, të premten si përherë kur “Polip” ka bërë hapjet, sivjet është manifestuar me performancë që gërsheton poezinë, lojën e aktorëve dhe muzikën.

Të shtunën është promovuar monografia “Me Cvejën” kushtuar aktorit serb Branko Cvejiq. Botimi është cilësuar si përmendore për njeriun e teatrit, kundër artit të harresës. Aty bashkohen epitetet e rrëfimet për të mbi misionin për ta ngritur teatrin nga asgjëja e të thyente barriera.

Faktohet edhe bashkëpunimi me teatrin “Oda” në kryeqytet.  Është thënë se aktori e vizitonte shpesh Prishtinën. Vinte me punë, për teatrin. Në kryeqytetin e Kosovës do të luante në shfaqjen “Të mbrapshtit” nën regji të Andrej Nosovit. Aty kishte luajtur bashkë me aktorin Alban Ukaj.

Libri përbëhet nga një varg tekstesh të autorëve të ndryshëm, bashkëpunëtorë e miq të aktorit e ish-drejtuesit të atij që asokohe ishte teatër jugosllav i dramës.

Beka Vuço, redaktore e bashkëbotuese e monografisë “Sa Cvejom”, ka vlerësuar se aktori e kishte mbrojtur si shtëpinë e tij teatrin duke ia hequr pluhurin kur ishte shkatërruar totalisht.

“Para së gjithash, ai ka qenë ajo gjeneratë e re aktorësh që diku në vitet ’70 kanë hyrë nëpër derën e madhe të Teatrit Jugosllav të njohur si ‘Bebet e Bojanit’ në kohën e Bojan Stupicas, regjisor i njohur, skenograf, arkitekt. Ishte edhe drejtor i Teatrit Jugosllav dhe ai konsideronte që përveç një numri emrash të mëdhenj e të rëndësishëm të teatrit, duhej rinuar ansamblin. Kështu ka sjellë një klasë krejt të re, përveç kësaj edhe disa aktorë të akademisë”.

Cvejiq kishte luajtur në një numër të madh filmash, radiodrama e role televizive. Ishte drejtor i Teatrit Jugosllav në vitet ’90. Vdiq më 26 korrik të 2022-s në Beograd.

Bashkëpunëtori i aktorit të ndjerë, aktori Svetozar Cvetkoviq, ka thënë se Cvejiq jetonte për teatrin përtej Teatrit Jugosllav të Dramës. S’e tejkalonte atë që i kundërvihej misionit të teatrit.

“Në momentin kur ai ishte drejtor, edhe unë u bëra drejtor i ‘Ateliesë...’. Në Beograd ekzistonte një antagonizëm i madh midis këtyre dy teatrove dhe konkurrencë shumë e madhe. Unë dhe Cveja dinim për këtë lloj antagonizmi. Kishte aktorë që as që donin të luanin në ‘Atelie 212’ dhe anasjelltas. Pastaj bashkë bëmë një marrëveshje, një pakt bashkëpunimi. Mua m’u desh ta bëja një rol në Teatrin Jugosllav të Dramës dhe kësisoj u pajtuam, sikurse u pajtuan dy shtëpitë tona”.

Të dielën, në ditën e fundit të “Polipit”, kryefjalë ka qenë dramaturgjia.

Me britanikun Jonathan Meth, holandezin Jibbe Willems, Jeton Nezirajn e Doruntina Bashën nga vendi nikoqir, kanë ilustruar gjendjen e dramaturgjisë në nivel global, të kaluarën dhe të tashmen e kësaj fushe.

Dramaturgu britanik e profesor i dramaturgjisë, Jonathan Meth, ka thënë se teatri ende i ndien pasojat e pandemisë në shumë aspekte.

“Teatri është ndikuar shumë nga pandemia në shumë vende në aspektin ekonomik. Institucionet janë të vetëdijshme se është në gjendjen më të keqe edhe psikologjikisht e emocionalisht. Mendoj se duhet të fillohet të ringrihet duke u fokusuar në atë se si është gjendja, cilat janë rrethanat dhe të mendohet se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”.

Dramaturgu holandez, Jibbe Willems, ka thënë se janë të rëndësishme burimet e informacionit para orientimit në rrugën e dramaturgjisë.

“Duhet të mësosh më shumë për veten kur diplomon dhe fillon të punosh në fushën tënde që është e shumëllojshme dhe është gati e pamundur që profesorët t’i mbërthejnë të gjitha gjërat në një vend. Duhet të kesh shumë burime informacioni. Unë vetë jam profesor i ftuar në shumë akademi dhe e di që persona të tillë janë shumë të dobishëm për të kërkuar këshilla se si bëhen gjërat”.

Sipas dramaturgut Jeton Neziraj, në skenën vendore teatrore vështirë prodhohen tridhjetë shfaqje në vit në gjithë Kosovën.

“Nëse fillojmë nga informacione dhe të dhëna konkrete që kemi, në Kosovë brenda vitit ne nuk mund të prodhojmë më shumë se 30 shfaqje në gjithë vendin. Kemi gjashtë teatro funksionale që nuk prodhojnë më shumë se 30 shfaqje në sezon. Nga to, 20 janë shfaqje ndërkombëtare të përkthyera kryesisht nga autorë amerikanë e britanikë. Të tjerat vështirë të jenë të dhjetë autorëve vendorë, ku dy deri tri janë adaptime nga novelat, dy-tri shfaqje klasike shqiptare e disa të komisionuara nga autorë vendorë”.

Sipas Nezirajt, edukimi – që sipas tij nis fillimisht me edukimin e dramaturgëve e më pas me të tjerë pjesëtarë të teatrit – është fjala kryesore për ta ndryshuar gjendjen. Ka vlerësuar se mbështetja e Qeverisë mund ta stimulojë lulëzimin e dramaturgjisë. Në këtë pjesë është ndërlidhur dramaturgia e skenaristja Doruntina Basha, e cila ka shtuar se është thelbësor dialogu midis të dyja palëve.

“Është i nevojshëm dialogu ndërmjet dramaturgëve dhe institucioneve publike, sepse në Kosovë nuk është se kemi skenë të pasur, diverse e të pavarur. Ne vërtet mbështetemi në institucionet publike dhe jo vetëm ne, por ka shumë njerëz që ndihen të dekurajuar nga ajo se si është situata tash. Teatrot publike nëpër qytete kanë repertor, prodhojnë shfaqje, por kërkohet dialog specifik për të vendosur agjendë”.

Sivjet festivali ka zhvilluar programin nga 17 deri më 19 maj. Janë përfshirë promovime librash, panele diskutimi, lexime poetike, performanca muzikore e punëtori.

Ka qenë edicioni i parë që krahas letërsisë është përfshirë edhe teatri. Artet performuese janë mbledhur në “Polip”, që në hapje është vlerësuar si fole kreative që u jep hapësirë krijuesve profesionistë e atyre të rinj të projektojnë idetë e tyre.

Aurela Kadriu, drejtoreshë e programit në qendrën “Multimedia” që e organizon Festivalin, ka thënë se procesi i transicionit të Festivalit ka zgjatur tre vjet. Por se ka rezultuar platformë e suksesshme në edicionin e 14-të si konfirmim se ka funksionuar siç mendohej.

“Ideja jonë ka qenë t’i shkrijmë dy pjesë të punës së qendrës ‘Multimedia’ që është letërsia dhe teatri, të mos funksionojnë si dy taborë të kundërt, mirëpo të gjejmë një mundësi t’i shkrijmë në njëra-tjetrën. Kështu kemi vendosur ta shndërrojmë festivalin në një laborator ndërkombëtar të kreativitetit apo krijimit. Kështu ka qenë i konceptuar ky edicion. Ka qenë edicion i vështirë, sfidues, pasi është shndërruar krejtësisht. Por ka shkuar mirë dhe ka qenë konfirmim që po funksionon”.

“Polip” është vlerësuar si platformë për shkëmbim e rritje letrare, hapësirë guximi, pajtimi, reflektimi dhe e kritikës konstruktive.