EXPRESS

Poetika moderne me ngjyrat e Ulqinit në Prishtinë

Të jetuarit në një vend bregdetar, në Kala historike rrëzë detit, krahas klimës optimale e natyrës, përbën një ambient të denjë për frymëzim, i cili doemos të çon drejt kërkimit për ta derdhur diku atë. Këtë fat jo dhe aq të shpeshtë e ndajnë artistet nga Ulqini, Vahida Hasanaga-Nimanbegu dhe Mersiha Resulbegoviq-Mavriqi, të cilat publikut të Prishtinës ia sollën Ulqinin nëpërmjet optikës së tyre. 

Edhe pse burimin frymëzues të dy artistet e kanë të njëjtë –  ujin, diellin e gurët e Ulqinit – ato i sjellin ndryshe nga njëra-tjetra. Në galerinë “OpenArt”, në kryeqytet, dyshja solli ekspozitë nën titullin ‘Sense of Balance”(Kuptimi i balancës), si një metaforë e përpjekjes së tyre artistike që botën e dendur me ngjyra e forma ta balancojnë artistikisht në kanavacë. Të dyja, edhe pse me një qasje bashkëkohore në pikturë, u përshtaten me besnikëri edhe formave tradicionale të saj. 

 Në ekspozitën e kuruar nga piktorja Zake Prelvukaj, identiteti artistik i Vahida Hasanaga-Nimanbegut në pikturën e saj shfaqet dinamik, i lirë por që ruan një harmoni mes ritmit e balancës së kompozicionit në pikturat e saja.  Shkak për të sërish del të jetë ambienti që e rrethon. Motivi prapa këtij stili është qyteti bregdetar që nuk i shqitet dot kur ajo merr penelin në dorë. 

“Arsyeja kryesore me duket që është dielli, i cili është i fortë në Ulqin, rrezatimi i diellit, pamja e qiellit, e detit, e gurëve, ngjyrat... Është thjesht poetika ime, pjesë e personalitet tim që domosdo reflekton edhe në pikturat e mia”.

 Ky cikël për të cilin ajo ka punuar viteve të fundit, u stacionua në Prishtinë pas një itinerari që përshkoi disa qytete të rajonit si Beogradi, Podgorica e Hercegnovi.  

Ndryshe për nga qasja më e drejtpërdrejtë që kanë pikturat e saj, Mersiha Resulbegoviq-Mavriq fokusohet në shpalosjen e kujtesës dhe aktualitetit të qytetit të saj duke u mbështetur në një trajtim më enigmatik. Prek edhe tranzicionin e hovshëm fizik e teknologjik që po e pësojnë hapësirat e rajonit. Me intensitetin e ngjyrave, sidomos të kaltrës, e cila e përmbledh ciklin e saj,  i jep thellësi tablosë. 

“Këto janë disa punime që unë i kam punuar së fundi. Ato kanë teksturë pak më të fortë, në disa vende janë më lehtë. Është njëfarë impresionizmi i shkrirë. Pastaj kemi ngjyrën blu, e cila me lajmërohet në të gjitha punimet e mia, herë më pak e herë më e errët, kështu që vjen nga vendi nga ku kemi ardhur dhe shpresoj që kemi sjellë një frymë nga Ulqini”.

Paraqitja dikotomike e pikturave të dyshes u potencua gjatë ekspozitës. Edhe pse të dyja artistet kanë jetuar kohën më të madhe në të njëjtin qytet absorbimi i tij ka ndodhur nënvetëdijshëm dhe duke ruajtur identitetin e tyre artistik. Vahida trajton Ulqinin në forma më lozonjare të shprehjes. Me tone më të buta e figurativitet. Ndërsa, në anën tjetër Mersiha, paraqet peizazhin e Ulqinit duke u bazuar në të kaltrën e errët.