Pianistët vendorë në shoqatën “Bell'Arte Kosova”, në vitin 2008 ishin bashkuar për një nismë e cila vinte si vazhdimësi e “Takimeve të talenteve të Kosovës” që organizoheshin nga kompozitori tashmë i ndjerë, Fahri Beqiri. Si formacione fillestare këto ngjarje u kushtoheshin seksioneve të ndryshme të muzikës klasike, por festivali “Pianisti i Ri” vinte ekskluzivisht për pianon dhe talentet e reja.
Në edicionin e 16-të për tri ditë ofroi për pjesëmarrësit hapësirë për avancim në piano me bashkëpunimin me jurinë, krahas karakterit garues. Nata finale, të mërkurën mbrëma u finalizua me ndarje çmimesh.
Emanuel Turhani nga Shqipëria ka marrë çmimin kryesor “Pianisti i Ri”, i cili me Filharmoninë do të performojë vitin që vjen në DAM Festival. Çmimin e parë e ka marrë Klaudia Gjini po ashtu nga Shqipëria, përderisa të dytin Yll Haliti e të tretin Lir Hajrizi, që të dy nga Kosova.
Me një traditë të konsoliduar tashmë, për çmimin “Pianisti i Ri” kanë garuar 140 fëmijë, të ndarë në 11 kategori sipas grupmoshave. Kanë dominuar garues nga Kosova e Shqipëria.
Festivalin e ka vlerësuar si mundësi të mirë dhe të nevojshme për talentet e reja në piano kompozitori Valton Beqiri, i cili njëherësh ndau dhe çmimin stimulues “Fahri Beqiri” për Diell Pashën, pjesëmarrësi më i ri në këtë edicion.
“Realisht mendoj që instrumentistët e rinj e kanë ndoshta një motiv shtesë që të merren në vazhdimësi me muzikën, sepse këto i motivojnë posaçërisht ata që fitojnë çmime, edhe pse çmimet nuk janë relevante, me rëndësi është pjesëmarrja, rrjetëzimi, të dëgjojnë njeri-tjetrin, të shohin konkurrencën e tyre, dhe natyrisht kjo i motivon ata që t’i përkushtohen muzikës. Kështu ky festival përmbush misionin e tij të zbulimit të talenteve përveç garës, të cilët më vonë marrin pjese në koncerte e recitale të ndryshme nëpër botë. Është një vazhdimësi e punës se një institucioni çfarë kanë qenë garat e talenteve para të themi 20-30 vjetësh”.
Për Vlora Barutin, drejtoreshë e Festivalit, ky vit përtej sfidave ka qenë i veçantë për nga simbolika pasi që i është kushtuar dhe 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por edhe për një tjetër datë.
“Këtë vit kemi menduar të jemi me dedikim për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, edhe si festë e shtetit, edhe si festë e pianistit të ri. Kemi pasur një datë të caktuar që është mbajtur në qershor, por këtë vit kemi vendosur të nisë më 25 mars dhe të mbarojë më 28 mars, kur festohet dita ndërkombëtare e pianos” .
Juria ka qenë e përbërë nga pianistja nga Kosova, Lule Elezi, kryetare e jurisë, Nadjezhda Porodini Jole dhe Kristina Petrollari Laço nga Shqipëria.
Për pianisten Lule Elezi, ky festival përtej karakterit garues paraqet një pasqyrë të entuziazmit të të rinjve për pianon.
“Ka qenë vërtet një maratone e bukur pianistike. Se bashku me dy koleget e mia në juri nuk kishim aspak të lehtë, kanë qenë talent te mrekullueshëm dhe besoj shume në atë ardhmen e tyre dhe pse është dashur t’i vlerësojmë disi dhe mendoj qe kemi punuar me shume përkushtim në këtë drejtim”.
Nadjezhda Porodini Jole, e cila kishte qenë pjesë e jurisë dhe në edicionin e 15-të të festivalit, e ka vlerësuar këtë edicion për nga aspekti profesional dhe talenti i fëmijëve pjesëmarrës.
“Unë jam e lumtur që jam pjesë e kësaj jurie për herë të dytë, isha edhe në edicionin e 15-të para dy vjetësh, dhe kam kënaqësi të madhe të kthehem që të shoh një ndryshim të mrekullueshëm, një pjesëmarrje fantastike, një punë serioze dhe kualitative. Një lojë shumë të bukur të nxënësve që asnjëherë nuk bëhet vetëm, por bëhet nën drejtimin e mësuesve te tyre”.
Edhe ky edicion arriti të dhurojë një përvojë shumë të rëndësishme në zhvillimin e pianistëve profesionistë krahas përkrahjes për të rinjtë.