Është ëndërr e secilit artist botëror që të ekspozojë në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Petrit Halilaj jo vetëm që e arrin këtë, por atje çon ëndrrat, imagjinatën e fëmijëve e nëpërmjet tyre zbërthen historinë e Kosovës. Me “Abetare” ka pushtuar qiellin e kësaj kryeqendre, nga tarraca e njërit prej institucioneve më prestigjioze të artit në botë
Një prej pikave më të vizituara të artit pamor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mban në hapësirën e vet më të bukur rrëfime të gjeneratave të ndryshme në Kosovë. “Abetare”, instalacioni poetik skulpturor i Petrit Halilajt ka dërguar atje merimanga, mbishkrime, tituj këngësh, zogj e çka jo tjetër. Përjetime, zhgënjime, shpresë e imagjinatë të fëmijëve që dikur jetonin në ish-Jugosllavi, mandej në Kosovën e viteve ’90 nën okupim, fëmijëve që përjetuan luftën e mesazhe lirie të viteve të para të këtij shekulli.
Skulpturat janë derivat i vizatimeve të nxënësve mbi bankat e shkollës fillore në Runik të Skenderajt, ndërtesa që u rrënua para 14 vjetësh.
Në ato dërrasa të fabrikuara ai gjente imagjinatën. Vizatimet gjenden si instalacione në tarracën e çatisë së një prej muzeve më me nam në botë, Muzeut Metropolitan të Artit në New York.
Midis emocionesh Halilaj veprat ua ka dedikuar fëmijëve të Kosovës e atyre të krejt botës.
Në ceremoninë e inaugurimit të instalacionit “Abetare” ka treguar se kur u ishte afruar bankave, kishte parë shumëçka.
“Bankat kanë parë krejt periudhën jugosllave, segregacionin e viteve ’90, vitet e luftës dhe kishin shpëtuar. Isha i surprizuar të shoh vizatime për UÇK-në, NATO-n, futbollistë, e të tjera vizatime. Nuk e imagjinoja se pas disa vjetësh, disa prej atyre vizatimeve do të ishin këtu në tarracën e Muzeut Metropolitan të Artit”, tha Halilaj.
Instalacioni dominohet nga një merimangë e madhe e ndërtuar nga metali sikurse gjithçka tjetër.
“Kjo merimangë këtu duket si një alien që ka ardhur këtu dhe thotë: tungjatjeta. Më pëlqen që po mban një zog që ka ardhur nga Shqipëria. Është një zog i lumtur”, tha ai.
Një zog mbi merimangën, që ka edhe formën e Jezu Krishtit. Shkronjat “IDGAF” janë edhe titulli i një kënge të pop-yllit botëror, Dua Lipa.
Instalacioni me vepra statike në tarracën e Muzeut Metropolitan, i themeluar më 1870, bën që prej poshtë të duket sikur është pikturuar qielli. Janë rrëfimet e fëmijëve kosovarë që tash qiellit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i japin ngjyrë. Nga një tjetër perspektivë, janë rrëfime që shkojnë atje 25 vjet pasi pikërisht SHBA-ja pati rolin kryesor të çlirimit të Kosovës dhe kthimin në shtëpi të rreth një milion refugjatëve. Deri më 27 tetor të këtij viti, vizitorë nga e tërë bota do të kenë mundësinë që të shohin ekspozitën e Halilajt të komisionuar nga Muzeu Metropolitan i Artit.
Max Hollein, drejtor i Muzeut, ka thënë se kjo tarracë është galeria më e popullarizuar që kanë gjatë verës. Sipas tij, bëhet fjalë për hapësirën kryesore të vizitorëve.
“Ofron mundësi që të shihet një pjesë e madhe e New Yorkut. Petriti është prej artistëve më të dashur dhe më të rëndësishëm për ne. Veprat e tij kanë të bëjnë me historinë, vendin e tij, kulturën, transformimin kulturor dhe këtë e bën duke menduar lokalisht, por duke i shndërruar rrëfimet në universale”, tha Hollein.
Iria Candela, kuratore e Muzeut për artin e Amerikës Latine dhe e Departamentit të Artit Bashkëkohor, ka shpalosur një pjesë të biografisë së Halilajt. Ka treguar për përvojën e tij si refugjat në Shqipëri e vizatimet e asaj kohe që ishin një lloj shprehje e traumës.
“Eksperienca traumatike e Petritit e ka bërë atë që të mendojë shumë për vendin e tij dhe ndikon shumë në gjithçka që bën ai”, tha Candela.
Krejt ngjarja nuk u ka shpëtuar disa prej mediave më prestigjioze të globit. Revista “Vogue” ia ka kushtuar një tekst të gjatë, përderisa kritiku i artit i “The New York Times”, Holland Coter, ka shkruar se në vend të skulpturave, ekspozita është ajo që do ta quante “lëmsh të hapur të linjave kaligrafike të errëta prej bronzi dhe çeliku që gjurmojnë imazhe e silueta – të zogjve, luleve, yjeve, një merimange gjigante dhe një shtëpie përrallore – kundër panoramës së Manhattanit.
Petrit Halilaj ka dërguar edhe zogj në ekspozitën e tij në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. I ka me vete kudo që shkon dhe nëpërmjet tyre dërgon edhe ndjesi lirie e dashurie. Janë mesazhe që nëpërmjet tij i jep një vend që numëron veç çerekshekulli në liri.